160 çerdhe për katër vjet: Kurti as afër përmbushjes së premtimit, deri tash janë ndërtuar veç tri - NACIONALE

160 çerdhe për katër vjet: Kurti as afër përmbushjes së premtimit, deri tash janë ndërtuar veç tri

3 vjet më parë

nga NACIONALE

160 çerdhe të reja ishte kryepremtimi i përfshirë në programin e Lëvizjes Vetëvendosje në fushatën ne fundit elektorale për zgjedhjet e 14 shkurtit në sektorin e arsimit parauniversitar. Pra 40 çerdhe çdo vit të qeverisjes 4-vjeçare do të ndërtoheshin në Kosovë gjatë qeverisjes së Albin Kurti. Tash kur ka kaluar pothuajse gjysma e mandatit të Qeverisë Kurti II, është vendosur gurthemeli i vetëm 3 çerdheve.

Shkruan: Arbër Ramadani dhe Blendrita Avdiu

Sipas përllogaritjes së Nacionales, Kurti dhe Qeveria e tij janë 157 çerdhe larg përmbueshjes së premtimit të dhënë në zgjedhjet e fundit. 3 çerdhet, të cilave iu vendos themeli, janë në qytetin e Prishtinës (1), Gjilanit (1) dhe Gjakovës (1).

Qeverisë Kurti II i kanë mbetur 2 vite e pak muaj që të ndërtojë edhe 157 çerdhe të tjera për të arritur synimin 4-vjeçar. Megjithatë, në prezantimin e Buxhetit për vitin 2023, Kurti njoftoi se janë buxhetuar edhe 11 çerdhe të reja, që priten të ndërtohen në vitin e ardhshëm.

Pra tri gurthemele të vendosura dhe 11 çerdhe të buxhetuara. Megjithatë nuk dihet se kur do të buxhetohen ose ndërtohen edhe 146 të tjera nga 160 çerdhe të premtuara.

Çka ndodhi për 21 muaj qeverisje të Kurtit?

Në prezantimin para deputetëve në mars të 2021, Kurti e theksonte edhe një herë premtimin e fushatës elektorale për ndërtimin e 160 çerdheve.

“Prandaj do të investojmë në shkolla dhe çerdhe publike me kujdes dhe edukim cilësor dhe shujta falas. Përmes investimeve ne 160 çerdhe dhe në adaptimin e hapësirave në institucione shkollore, përfshirja në edukimin e fëmijërisë së hershme rritet nga 7% në 24% për fëmijët e moshës 0-5 vjeç dhe nga 38% në 64% për fëmijët e moshës 3-6 vjeç. Kur kësaj i shtohet rritja e kapaciteteve në sektorin privat, atëherë mund të pritet rritje edhe më e madhe e pjesëmarrjes”, theksonte Kurti në Kuvend, gjatë prezantimit të plotë të programit qeverisës për vitet 2021-2025.

Ndërtimi i çerdhës në Prishtinë ka filluar më 27 tetor të këtij viti, të cilën gjë e kishte njoftuar edhe Përparim Rama, Kryetar i Kryeqytetit kosovar. Ai kishte shkruar se bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, kanë hedhur gurthemelin për fillimin e ndërtimit të një çerdhe në Prishtinë.

“Një çerdhe e re do të ndërtohet në Prishtinë: Sot bashkë me Kryeministrin Albin Kurti dhe Ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, hodhëm gurthemelin për fillimin e ndërtimit. Vetëm bashkë mund ta transformojmë Prishtinën, prandaj mirëpresim bashkëpunimin me Ministrinë 🤝 në projektet tjera për arsimin në kryeqytet”, shkruante në postimin e tij.

Në anën tjetër, një tjetër çerdhe gjatë këtij mandati i realizuar edhe në Gjilan. Fillimi i ndërtimit të saj është bërë me datë 13 tetor të këtij viti, ku kryeministri Kurti kishte publikuar një video në vënien e gurthmelit në Maresh të Gjilanit.

“Vendosëm gurthemelin e çerdhes në Miresh të Gjilanit, investim i MASHTI-t. Çerdhja e re do të ketë një sipërfaqe prej 708 metra katrorë, e destinuar për 60 fëmijë. Tri dhoma do të jenë për qëndrim të fëmijëve nga 0 deri në 2 vjeç, dy dhoma për fëmijë.” - shkruante si mbishkim i asaj videoje.

Në anën tjetër, në fjalimin e tij për ndërtimin e kësaj çerdhe, Kurti pati thënë se do të ketë madhësi prej 708 metrave katrorë e cila do të jetë e destinuar për 60 fëmijë.

“Ky ka qenë një zotim i yni, e zotimi ynë bëhet puna jonë, kurse puna jonë bëhet për juve. Përveç për ndërtimin e çerdheve të reja, po punojmë edhe për adaptimin e hapsirave ekzistuese dhe për përmirësimin e kushteve e mjetëve mësimore. Çerdhja e re do të ketë një sipërfaqe prej 708 metra katorë e destinuar për 60 fëmijë. 3 dhoma për qëndrim të fëmijëve na 0 der në 2 vjeç, 2 dhoma për fëmijë nga 2 deri në 4 vjeç, një sallë për kujdestarë, adiministratë, kuzhinë si dhe hapsirë teknike. Ne do të shihemi atëherë kur do të hapën dyert për vugëlushët dhe vogëlushet e këtij fshati, ju faleminderit dhe e gëzofshi”, deklaronte Kurti në fjalimin e përurimit të fillimit të ndërtimit të kësaj çerdhe.

Një nga 160 çerdhet e premtuara, ka filluar të ndërtohet edhe në Gjakovë, e cila filloi me datë 19 tetor të këtij viti në lagjen Rezinë të kësaj komune.

Kryeministri Kurti tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm, për shkak se të gjitha studimet kanë treguar që suksesi në shkollat fillore është i lidhur drejtpërsëdrejti me suksesin që kanë treguar fëmijët në shkollimin parashkollor.

“Objekti dykatësh, me gjithsej 1400 metra katror, është i planifikuar për 150 fëmijë. Ai do të këtë shtatë dhoma për qëndrim të fëmijëve, tri dhoma të gjumit për fëmijë, hapësirën për qëllime të ndryshme, kuzhinën, dhomën e mjekut, dhomën e psikologut, administratës dhe një hapësirë shtesë teknike.Sipas kontratës, koha e realizimit të këtij projekti është 24 muaj, ndërkaq vlera e investimit është rreth 759 mijë euro”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit po atë ditë.

A është i realizueshëm premtimi i Kurtit?

Njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, e ka cilësuar si revolucionar për arsimin parashkollorë, nëse zbatohet premtimi i Kurtit për investime në ndërtim të institucioneve parashkollore.

Në një përgjigje për Nacionalen, Qehaja tha se kërkesa për përmbushjen e premtimit të kryeministrit Kurti, duhet të nxitet nga vetë komuniteti i prindërve, të cilët ndikohen më së shumti nga këto investime.

“Premtimi elektoral për investime në ndërtim të institucioneve parashkollore nëse jetësohet është me të vërtet revolucionar për arsimin parashkollorë! Sa do të arrij qeveria të përmbush këtë premtim është debat që duhet të nxitet nga çerdhet që veçse janë ndërtuar gjatë këtij mandati, ato të cilat janë në prokurim dhe të tjerat për të cilat veçse është ndarë buxhet. Kërkesa për përmbushje të këtij premtimi duhet të jetë e nxitur nga vet komuniteti i prindërve – investimet në parashkollor kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomitë familjare”, thuhet në përgjigjien e Qehajes për Nacionalen.

Për këtë ka reaguar edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka kritikuar Qeverinë Kurti për premtimin e çerdheve. Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se Qeveria Kurti ka premtuar që këtë mandat të bëhët ndërtimi i 160 kopshteve për fëmijë.

“160 qerdhe janë premtuar për këtë mandat nga Qeveria Kurti, 3 janë nisur këtë vit, kanë mbetur vetëm edhe 157 tjera për pjesën tjetër të mandatit.Foto: pjesë nga transkripti i seancës së Kuvendit së 17 majit 2021, prezantimi i programit të Qeverisë Kurti”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Lajme të ngjashme