Kur do të jenë gati banesat e premtuara nga Kurti për çifte të reja? - NACIONALE

Kur do të jenë gati banesat e premtuara nga Kurti për çifte të reja?

3 vjet më parë

nga Blendrita Avdiu

Ndonëse kanë kaluar dy vjet nga një prej premtimeve më të bujshme të kryeministrit Kurti për strehimin për rreth 4 mijë çifte të reja, ende nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.

Këtë projekt Kurti e pati premtuar kur kishte shpalosur programin qeveritar për 4 vjet sa do të jetë në mandat.

Siç kishte thënë ai, nëpërmjet programit “120×120” dhe “150×150” sidomos për çiftet e reja do të përfitohen banesa me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove në muaj.

Për të moshuarit që presin ndihmën tonë do t’i ndërtojmë edhe 5 shtëpi të tjera me shërbime të përkujdesjes për ta. Kurse nëpërmjet programit “120×120” dhe “150×150” sidomos për çiftet e reja do të përfitohen banesa me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove në muaj, për një periudhë kohore prej jo më shumë se 120 muaj, përkatësisht 150 muaj,” - pati thënë Kurti gjatë prezantimit të programit qeveritar 2021-2025.

Mirëpo a po ecet përpara drejt realizimit të këtij premtimi?

Aktivistja e PSD-së, Teutë Rrusta, tha për Nacionalen nuk ka asnjë mundësi që të realizohet ky premtim brenda këtij mandati, pasiqë sipas saj punët janë larg konkretizimit.

Ajo ka thënë se ky premtim do të duhej të ishte në krye të listës së prioriteteve duke e përmendur problemin e madh kombëtar të dhunës ndaj grave.

Me çka dihet deri sot është që asgjë nuk ka filluar për këtë projekt. Punët janë aq larg konkretizimit saqë nuk ka asnjë mundësi që të realizohen brenda këtij mandati. Një ide e mirë do të mbetët premtim i parealizuar. Edhe ky projekt do t’i bashkohet listës së gjatë të premtimeve të braktisura. Problemi është që nuk po lihet anash një projekt, por një ide e mirë që ua ndikonë jetën çifteve të reja. Mundësia e banimit të përballueshëm nuk është luks, por nevojë dhe domosdoshmëri. Kjo ide madje ndikon dhe ndihmon në reformimin e familjes,” - ka thënë Rrusta për Nacionale.

Rrusta tutje tha se sot është e pamundur blerja e banesës me kursimet e çiftit, pasiqë sipas saj çmimet e tregut janë të papërballueshme.

Qysh u debatua ky premtim?

Kjo çështje është diskutuar edhe në mbledhjen e Kuvendit e cila është mbajtur me datë 23 dhjetor ku deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e pyeti Kurtin se kur do të realizohet ky projekt dhe në cilën fazë janë.

Në programin qeveritar, ndër të tjera keni thënë se do të mundësojmë banim të përballueshëm për 4 mijë familje, këtë synojmë ta arrijmë nëpërmjet programit “120×120” dhe “150×150” sidomos për çiftet e reja do të përfitohen banesa me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove në muaj, për një periudhë kohore prej jo më shumë se 120 muaj, përkatësisht 150 muaj. Zotri kryeministër a mund të na thoni ne dhe qytetarëve të Kosovës se ku jeni me këtë projekt në cilën fazë?” - pati pyetur deputetja Musliu në Kuvend.

Ndërkohë një kundërpërgjigjie e Kryeministrit Kurti ishte se deri më tani vetëm Komuna e Pejës ka siguruar një parcelë të mjaftueshme për këtë projekt. Sipas tij, në Pejë mund të ndërtohen 339 njësi banimi, ndonëse shtoi se janë duke u angazhuar që të sigurohen edhe parcela të tjera në komuna tjera për këtë projekt.

Është më shumë rëndësi të përmendet se është gjetur një zgjidhje praktike për të vazhduar me projektin, pra ai mund të realizohet bazuar në ligjet në fuqi. Analiza dhe modeli financiar janë në fazën e fundit, do të përfundohen brenda disa ditëve, modeli financiar do të strukturohet si një shabllon që mund të aplikohet për shumë lokacione në mënyrë që të mund të përdoret për qytete shtesë. Deri më tani vetëm komuna e Pejës e ka siguaruar një parcelë të mjaftueshme për këtë projekt. Sipas planit fillestar në Pejë mund të ndërohen 339 njësi banimi. Jemi duke u angazhuar që të sigurohen edhe parcela të tjera në komuna të tjera për këtë projekt,” - është shprehur Kurti.

Tutje, lryeministri Kurti tha se për realizimin e këtij projekti janë përzgjedhur pesë komuna përfshirë këtu Prishtinën, Prizrenin, Gjilanin, Pejën dhe Mitrovicën.

Deputetja Musliu kishte kërkuar nga kryeministri Kurti që të tregonte se kur do të jenë të gatshme për banim këto banesa, ndërkohë që Kurti kërkoi që për hollësi të referohet ministrit Liburn Aliu.

Lajme të ngjashme