Shokohet qytetari: Vitin e kaluar kishte paguar 247 euro tatim, këtë vit do të paguajë 856.98 euro - NACIONALE

Shokohet qytetari: Vitin e kaluar kishte paguar 247 euro tatim, këtë vit do të paguajë 856.98 euro

1 vit më parë

nga NACIONALE

Vlerësimi i ri i pronave të paluajtshme nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka ndikuar që të ngritët shkalla e tatimit në pronë.

Kjo ka nxitur reagime të shumta nga qytetarët, duke e kundërshtuar një gjë të tillë.

I habitur me shifrën e faturës së re për takim ka mbetur edhe një qytetar i Prishtinës, i cili nuk ka dashur ta tregon identitetin e tij.

Faturat që i ka siguruar gazeta Nacionale, tregojnë se ai në vitin 2022 ka paguar 247.50 euro tatim, ndërsa këtë vit për pronën e njëjtë do të paguajë 856.98 euro.

Gazeta ka mësuar se prona gjendet afër qendrës tregtare “Albi Mall” në Prishtinë.

Ngritja e tatimit ka nxitur debat të ashpër në mes të opozitës, pushtetit dhe komunave. Të parët kanë fajësuar Qeverinë, kurse, ekzekutivi ka thënë se komunat janë përgjegjëse për caktimin e tatimit në pronë.

Komunat kanë demantuar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se nuk kanë pasur asnjë përgjegjësi dhe asnjë ndikim në këtë proces. Sipas tyre, tatimi është ngritur për shkak të rivlerësimit që Ministria e Financave iu ka bërë pronave.

Asociacioni mohon se komunat kanë pasur gisht në ngritjen e tatimit

Fatura e tatimit në pronë përmban dy elemente mbi bazën e të cilave përcaktohet shuma e kësaj pagese.

Elementi i parë është vlera e pronës për metër katror (m/2), e cila përcaktohet nga Ministria e Financave dhe Transfereve (Departamenti i Tatimit në Pronë), kurse elementi i dytë është norma tatimore, e cila përcaktohet nga Komunat.

Edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës dje ka bërë me dije se komunat nuk kanë gisht në rritjen e tatimit në pronë.

Bazuar në dispozitat e Ligjit në fuqi për Tatimin në Pronën e Paluajtshme ‘Autoriteti kompetent për zbatimin e procedurës së vlerësimit është Ministria e Financave e cila përcakton zonat e vlerave, nivelet e vlerave dhe vlerën e vlerësuar të pronave të paluajtshme që janë brenda territorit të komunave. Vlerësimi i pronave të paluajtshme kryhet në përputhje me rregullat dhe procedurat e parashikuara në këtë Ligj dhe në aktin nënligjor që nxjerr Ministria e Financave për kategoritë e vlerave, metodat dhe modelet e vlerësimit’. Së këndejmi, vlen të sqarohet se Komunat nuk e kanë ngritur normën tatimore por është bërë rivlerësimi i pronave nga Departamenti përkatës i Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar edhe në çmimet e tregut”, është thënë në njoftimin e asociacionit.

Sipas njoftimit, çmimi i faturës së Tatimit në Pronë llogaritet me shumëzimin e vlerës së pronës me normën tatimore.

Kështu, me rritjen e çmimit të pronave (pa u rritur fare norma tatimore nga Komunat) është rritur automatikisht vlera e faturës së Tatimit në Pronë. Ajo çka është varur nga Komunat nuk ka ndryshime, sepse ato mbeten të përkushtuara që të mos bëjnë ngritje në këtë kohë të vlerave të taksave për qytetarët, sidomos në këtë kohë të krizës ekonomike dhe rritjes së vazhdueshme të shumicës së artikujve. Me këtë rast, Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon edhe njëherë që sa më shpejt të procedohet në Kuvend, Ligji i ri i Tatimit në Pronë, ku është kërkuar që norma tatimore aktuale të ulet nën 0.15%”, është thënë në njoftim.

Lajme të ngjashme