U rrit tatimi në pronë, qe qysh bëhet vlerësimi i pronave në Kosovë - NACIONALE

U rrit tatimi në pronë, qe qysh bëhet vlerësimi i pronave në Kosovë

1 vit më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Rritja e faturës së tatimit në pronë në Kosovë, ka rritur edhe faturën e kritikave ndaj Qeverisë Kurti, konkretisht Ministrisë së Financave. Qytetarët po ankohen për dyfishim e trefishim të faturave të tatimit në kohë krize e në kohën kur rritja e çmimeve është gati e pakontrollueshme.

Por, si bëhet vlerësimi i pronave?

Rivlerësimi i pronave i bërë tashmë nga Minisitra e Financave ka bërë që të ngritet edhe fatura e tatimit në pronë. Një proces që bëhet çdo tri vjet.

Për shkak të rritjes së çmimit të patundshmërive, ka rritur edhe çmimin e pronave e kështu ka rritur edhe vlerën e pronës që nënkupton rritjen e tatimit në pronë.

Vlerësimi i proëns është një proces që bëhet nga zyra e vlerësimit brenda Ministrisë së Financave.

Ministria e Financave sipas Ligjit përdor tri metoda të vlerësimit të pronave.

1. Departamenti i Tatimit në Pronë përdor një prej metodave të mëposhtme për vlerësimin e pronave të paluajtshme: 1.1. Metodën e krahasimit të shitblerjeve; 1.2. Metodën e të hyrave; ose 1.3. Metodën e kostos. 2. Vlerësimi i pronave të paluajtshme kryet kryesisht duke përdorur metodën e krahasimit të shitblerjeve” – thuhet në Neni 5 Metodat e Vlerësimit.

Pas klasifikimit të pronave, mbledhjes së të dhënave, analizës së informatave të tregut, përcaktimit të zonës së vlerës dhe niveleve të vlerës bëhet edhe llogaritja e vlerës së vlerësuar.

Sipas të dhënave që gjenden në uebsajtin e Tatimit në Pronë “formula për llogaritjen e vlerës së vlerësuar dallon pak mes objekteve dhe parcelave. Vlera e vlerësuar e një parcele llogaritet duke shumëzuar sipërfaqen e parcelës me nivelin e aplikueshëm të vlerës.

Vlera e vlerësuar e një objekti llogaritet duke shumëzuar sipërfaqen e objektit me nivelin e aplikueshëm të vlerës, koeficientin e gjendjes, dhe koeficientin e përfundimit.

Cilat janë procedurat tjera?

Në anë tjetër, Valon Januzi – Vlerësues i licencuar nga kompania Paralel Consulting & Appraisals që merret me vlerësimin e pronave, për Nacionalen ka treguar procedurën si bëhet një vlerësim i një prone.

Ai ka treguar hapat që duhet ndjekur deri te vlerësimi i pronës.

Vlerësimi i një prone të paluajtshme të vetme bëhet nga një vlerësues i licencuar, i cili jep një opinion të paanshëm dhe të pavarur në lidhje me vlerën e tregut të asaj prone, në një date të caktuar, përmes një deklarate me shkrim, ku janë paraqitur të gjitha informacionet thelbësore dhe analiza e tregut përkatës. Së pari bëhet inspektimi i pronës, përmes së cilit vlerësuesi konstaton gjendjen e brendshme dhe të jashtme të pronës. Pastaj vlerësuesi kryen hulumtime mbi lagjen përkatëse, zonimin, për përdorimin e mundshëm të asaj prone, analizon tregun, ofertat dhe shitblerjet e fundit të pronave të ngjashme në zonën e përafërt dhe pastaj aplikon metodologjitë e duhura të vlerësimit. Pasi të ketë përfunduar fazën e hulumtimeve dhe analizës së pronës, vlerësuesi përpilon raportin narrativ të vlerësimit.” – ka thënë ai.

Më tej, Januzi theksoi se ka pasur trend të rritjes së vlerave të patundshmërive viteve të fundit.

Padyshim mendoj se ka pasur trend të rritjes së vlerave te patundshmërive viteve të fundit për shkak të inflacionit dhe faktorëve tjerë varësisht nga zona në zonë. Këtë mund ta vërejmë po ashtu edhe në koston e ndërtimit të një shtëpie standarde banimi. Nëse kostoja për ndërtimin e një shtëpie banimi në të kaluarën ka kushtuar rreth 250.00 – 280.00 euro për meter katror aktualisht kushton rreth 350.00 – 380.00 euro për meter katror. (Nuk llogaritet trualli në këtë çmim),

Natyrisht që rritja e kostos së ndërtimit ka ndikuar edhe në rritjen e vlerave të pronave siç ka ndodhur me çmimin e banesave, shtëpive etj. mirëpo në rritjen totale të vlerave të pronave kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë.” – nënvizoi ai.

Ndërkohë edhe komuant edhe Ministria e Financave dhanë sqarime për faturat e tatimit në pronë.

Kryetarët e komunave përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës reaguan duke thënë se faturat e tatimit nuk janë rritur nga ta, por për shkak të rivlerësimit të pronave nga ana e Ministrisë së Financave.

Ndërkaq ministria e Financave ka thënë se “përgjatë vlerësimit të pronave rezidenciale, Departamenti i Tatimit në Pronë ka bashkëpunuar ngushtë me komunat për të përcaktuar çmimin për m2 për objekte dhe toka.

Vendimi për rivlerësimin e pronave në këtë kohë është kritikuar nga qytetarët pasi ngarkon edhe më shumë buxhetin e tyre.

Po ashtu edhe partitë opozitare kanë kundërshtuar qeverinë Kurti teksa kanë kërkuar që të pëzullohet vendimi.

Kujtojmë se çmimet e ndërtimit në Kosovë patën rritje për 3.0% në tremujorin e tretë (TM3) 2022, krahasuar me tremujorin e dytë (TM2) 2022.

Ndërkaq, krahasuar tre mujorin e tretë (TM3) 2022 me të njëjtën periudhë të vitit paraprak (TM3 2021), Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati rritje për 19.5%, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Lajme të ngjashme