Alarmi që s’e dëgjuam: Rritet tatimi në pronë, fajësohet Ministria e Financave - NACIONALE

Alarmi që s’e dëgjuam: Rritet tatimi në pronë, fajësohet Ministria e Financave

1 vit më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Qytetarët e Komunës së Prishtinës po ankohen për rritje të çmimit të tatimit në pronë. Komuna ka thënë se rritja e tatimit është bërë për shkak të rivlerësimit të pronave nga Ministria e Financave, teksa kjo e fundit nuk ka bërë ndonjë sqarim akoma. Si u rrit tatimit në pronë?

Qytetarët e Prishtinës kanë pranuar faturat e tatimit në pronë me çmime dyfsh më të larta në krahasim me vitin e kaluar.

Sipas ankesave që po qarkullojnë në rrjetet sociale, në vitin 2022 për tatimin në pronë në Prishtinë një qytetar ka paguar 119 euro, ndërsa në vitin 2023 do të paguajë mbi 523 euro.

Të alarmuar nga kjo situatë, qytetarët janë ankuar ndaj udhëheqëvse të Komunës së Prishtinës, ku këta të fundit kanë thënë se rritja e tatimit është bërë për shkak të rivlerësimit të pronave nga Ministria e Financave dhe jo nga ta.

Në reagimin e Komunës së Prishtinës është cituar Ligji për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, ku thuhet se Ministria e Financave e udhëhequr nga ministri Hekuran Murati bën vlerësimin e pronave që rriti edhe tatmin në pronë.

“Autoriteti kompetent për zbatimin e procedurës së vlerësimit është Ministria e Financave e cila përcakton zonat e vlerave, nivelet e vlerave dhe vlerën e vlerësuar të pronave të paluajtshme që janë brenda territorit të komunave. Vlerësimi i pronave të paluajtshme kryhet në përputhje me rregullat dhe procedurat e parashikuara në këtë Ligj dhe në aktin nënligjor që nxjerr Ministria e Financave për kategoritë e vlerave, metodat dhe modelet e vlerësimit”. Komuna e Prishtinës, nuk e ka bërë përcaktimin e shumave në faturat e qytetarëve për vitin tatimor 2023.” – thuhet në reagimin e tyre në Facebook.

Në anën tjetër, ish-ministrja e Financave dhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga Ministria e Financave që me vendim të pezullojë rivlerësimin e pronave.

Sipas saj, ky rivlerësim nuk është dashur të bëhet në kohën kur ka rritje të çmimeve në të gjitha produktet pasi vështirësohet edhe më shumë jeta e qytetarëe.

Ajo ka kërkuar nga Ministria e Financave të ofrojë këto dy zgjidhje.

1. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve me një vendim të pezulloj vlerësimin e fundit të patundshmërive në vendin tonë, sepse është bërë në kushte të një inflacioni enrom dhe 2. Ta procedoj sa me parë në Kuvend Ligjin e ri për Tatim në Pronë, i cili është draftu nga grupi punuës që nga tetori 2022, me të cilin duhet të largohet pragu i poshtëm 0.15% dhe të mbetet vetëm pragu i lartë, në mënyrë që të ju lejohet komunave të bëjnë përshtatjen e normave të tatimit sipas rrethanave.” – ka shkruar ndër të tjera ajo në Facebook.

Ndërkohë, asamblistja e LDK-së, Fiknete Bejta ka publikuar video nga mbledhja me 24 nëntor 2022 e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku kundërshtonte futjen në rend të ditës të pikës për rivlerësimin e pronave.

Ndërkaq, kryeasamblisti i VV-së, Gëzim Sveçla kishte kundërshtuar heqjen nga rendi i ditës së kësaj pike, teksa kishte thënë se kanë vërejtje për vlerësimin e pronave.

Nuk e di a është në rregull ne si asamble me dalë në një lajthitje të tillë, ku nuk është kompetencë e jona as mundësi e jona që të ndikojmë te ministra gjegjëse për vlerësimin e pronave, prandaj në kushte normale edhe ne i kemi vërejtje tona për çështjen e vlerësimit të pronave, mirëpo kjo është jashtë kompentecave të Kuvendit Komunal dhe si të tillë e shoh të kotë nëse e largojmë si pikë të rendit të ditës.” – kishte thënë ai në këtë mbledhje.

Çka thotë Ligji?

Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme vendos tatimin mbi pronën e paluajtshme dhe përcakton rregullat dhe procedurat themelore për administrimin e tatimit në pronën e paluajtshme nga komunat dhe Ministria e Financave.

Vlerësimi i pronës përcaktohet me nenin 18 të Ligjit për Tatimin në Pronë dhe që parashihet të bëhet çdo tri vjet.

1. Ministria e Financave, nëpërmjet departamentit përkatës për tatimin në pronë, kryen vlerësim të përgjithshëm një herë në çdo tre (3) vjet ose një herë në çdo pesë (5) vjet, bazuar mbi një skemë përsëritëse dhe procedurën e përcaktuar në aktin nënligjor që nxirret në përputhje me paragrafin 1 të nenit 17 të këtij Ligji. 2. Përjashtimisht nga paragrafi 1. i këtij neni, Ministria e Financave kryen një vlerësim të përgjithshëm për të gjitha njësitë e parcelave përpara vitit tatimor 2019.” – thuhet në pikën 1 dhe pikën 2 të nenit 18.

Në nenin 17 të këtij Ligji thuhet se Ministria e Financave përcakton vlerat e pronave brenda komunave.

1. Ministria e Financave përcakton zonat e vlerave, nivelet e vlerave dhe vlerën e vlerësuar të pronave të paluajtshme që janë brenda territorit të komunave. Vlerësimi i pronave të paluajtshme kryhet në përputhje me rregullat dhe procedurat e parashikuara në këtë Ligj dhe në aktin nënligjor që nxjerr Ministria e Financave për kategoritë e vlerave, metodat dhe modelet e vlerësimit.” – thuhet në nenin 17.

Po ashtu. në këtë Ligj parashihet edhe publikimi online nga Ministria e Financave të informatave që kanë lidhje me pronën e paluajtshme. Informatat publikohen brenda 10 ditëve që nga lëshimi i faturave.

Ndryshe, edhe qytetarë të qyteteve të tjera janë ankuar se kanë pranuar faturat e tatimit në pronë me rritje enorme.

Lajme të ngjashme