Komunat e demantojnë keq Qeverinë: Vlerësimi i Ministrisë së Financave ndikoi në dyfishim të tatimit - NACIONALE

Komunat e demantojnë keq Qeverinë: Vlerësimi i Ministrisë së Financave ndikoi në dyfishim të tatimit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Vlerësimi i ri i pronave të paluajtshme nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka ndikuar që të ngritët shkalla e tatimit në pronë. Kjo ka nxitur një debat të ri në mes të opozitës, pushtetit dhe komunave. Të parët kanë fajësuar Qeverinë, kjo e fundit ka thënë se komunat janë përgjegjëse për caktimin e tatimit në pronë. Por, komunat kanë demantuar Qeverinë duke thënë se nuk kanë pasur asnjë përgjegjësi në këtë proces.

Përfaqësuesit e partive opozitare kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për dyfishimin e tatimit në pronë.

Zyrtarët PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë thënë se kjo do ta rëndon edhe më shumë gjendjen e qytetarëve të Kosovës.

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka bërë me dije se nuk është dashur të ndodh kjo në kohen e krizës së rritjes së çmimeve.

Në profilin e saj në “Faceboook”, deputetja e LDK-së ka shkruar se ngritja e tatimit është bërë për shkak të ndërhyrjes së Ministrisë së Financave.

“Nuk e kanë rritë komunat tatimin në pronë. Në kohën e krizës ekonomike e sociale nëpër të cilën po kalon vendi, qytetarëve u janë rritë vetëm çmimet, nuk ka rritje të pagave, nuk ka rritje të pensioneve, nuk ka rritje e të të hyrave - janë rritë vetëm çmimet. Mënyra e llogaritjes së tatimit në pronë është paracaktuar sipas Ligjit Nr 06/L-005 për Tatim në Pronë dhe qytetarët duhet ta dinë se komunat në kohën kur po flasim nuk e kanë bërë asnjë veprim për rritjen e tatimit në pronë, por është Ministria e Financave Punës dhe Transfereve e cila sipas Ligjit Nr 06/L-005 për Tatim në Pronë, Nenit 18 e ka për obligim që t’i bëj vlerësimet e pronave çdo 3 vjet, vlerësim të cilin se fundi e ka bërë në kushte të këtij inflacioni marramandës dhe ky vlerësim i fundit ka shpier deri të fryrja enorme e faturave të tatimit në pronë e cila me të drejtë ka nxitur reagim qytetarë”, ka shkruar Bajrami në profilin e saj në “Facebok”.

Ajo ka treguar se ministria ka vlerësuar dyfish vlerën e pronave të qytetarëve, duke shtuar se kjo pastaj ka ndikuar në dyfishimin e tatimit.

“Komunat i kanë normat e njëjta të tatimit sikurse edhe vitin e kaluar, të cilin e përcaktojnë në bazë të Ligjit Nr 06/L-005 për Tatimit në Pronë, Neni 9 i këtij ligji, ju jepë të drejtë komunave caktojnë normat e tatimit në pronë mes minimumit dhe maksimumit, që është 0,15% deri 1%. Çka d.m.th. kjo edhe nëse komuna e ka normën minimale që është 0.15% por Ministria e ka vlerësu dysfysh vlerën e pronës suaj, prapë tatimi është dyfishu”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka bërë me dije se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve me një vendim të pezulloj rivlerësimin e fundit të patundshmërive në vendin, sepse është bërë në kushte të një inflacioni enrom dhe të procedoj sa me parë në Kuvend Ligjin e ri për Tatim në Pronë, i cili është draftu në tetor të vitit 2022.

Edhe Arben Mustafa, koordinator i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverije të Mirë në PDK, ka se në kohën kur qytetarët e Kosovës po ballafaqohen me një krië ët rritjes së çmimeve rritja e tatimit është një goditje shumë të rënd. “Qeveria e Kosovës paska vendosur ta dyfishojë tatimin në pronë për shumë qytetarë, duke ua rënduar edhe me tej gjendjen veç se të rënduar ekonomike. Kjo politikë e Qeverisë për t’i ngarkuar qytetarët me tatime më të larta në këtë kohë krize është vështirë e kuptueshme dhe flet më së miri për kapacitetet e dobëta qeverisëse dhe shpërfilljen që kjo Qeveri po i bën vështirësive me të cilat po ballafaqohen qytetarët. Me politika si kjo, Qeveria e Kosovës po dëshmon se është duke jetuar e shkëputur nga realiteti i zymtë ekonomik që po mbretëron në Kosovë!”, ka shkrua ai në profilin e tij në “Facebook”.

Kurse, shefi i Grupit Parlament të AAK-së, Besnik Tahiri, ka vlerësuar se rritja e tatimit për pronat është sulm ndaj qytetarëve.

“Efektet zinxhir të krizës socio-ekonomike, nuk mund të shërbejnë si vlerësime reale të normës tatimore të pronave. Logjika që kriza e shkaktuar nga inflacioni të kthehet barrë, jo vetëm e rritjes së çmimeve bazike, por edhe në vlerësimin e vlerës tatimore, është e pa bazuar, jo logjike dhe rënduese për qytetarët. Ka kohë që nxjerrja e parave nga xhepi i qytetarëve, po përkthehet si rritje e të hyrave buxhetore, si rritje ekonomike. Në vend se shteti të sigurojë vitalitetin e ekonomisë, e të garantojë mirëqenien e qytetarëve, ai po kthehet në instrument të varfërimit të qytetarëve”, ka shkruar Tahiri në profilin e tij në “Facebook”.

Qeveria shfajëson vetën

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është munduar të ia hedh fajin komunave për dyfishin e tatimit në pronë.

Përmes një njoftimi për medie, kjo ministri ka vlerësuar se tatimi në pronë është tatim i cili mblidhet nga komunat dhe përbën njërin nga burimet kryesore të të hyrave vetanake për komunat.

“MFPT, bazuar në Ligjin për Tatim në Pronë, obligohet që në baza të rregullta të bëjë vlerësimin e pronave të paluajtshme, ndërsa shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat. Departamenti i Tatimit në Pronë, në kuadër të MFPT, përgjatë vitit 2022 ka kryer vlerësimin e përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, si dhe ka përpiluar raporte të vlerësimit për prona rezidenciale më datë 31.10.2022, për të cilat janë njoftuar të gjitha Komunat”, është thënë në njoftim.

Me tej, ministria ka treguar se vlerësimi i pronave është bërë në bazë të vlerës në treg.

“Përgjatë vlerësimit të pronave rezidenciale, Departamenti i Tatimit në Pronë ka bashkëpunuar ngushtë me komunat për të përcaktuar çmimin për m2 për objekte dhe toka. Vlerësimi i përgjithshëm kryhet duke u bazuar në vlerën e tregut me ç’rast Departamenti i Tatimit në Pronë përdor të dhënat si në vijim: kontrata të shitblerjeve për prona rezidenciale (jo më të vjetra se 3 vjet); ntervista me agjentë të shitjes së pronave të paluajtshme; anketime të pronarëve të pronave; intervista me zyrtarë bankash në lidhje me vlerat e pronave që përdoren si kolateral; vlera të pronave që janë shpronësuar; të dhëna të qirave; dhe të dhëna nga kompani të ndërtimit.”, është thënë në njoftim.

Komunat përcaktojnë vlerën minimale

Komunat kanë hedhur poshtë pretendimet e Ministrisë së Financave. Ato kanë bërë me dije se Ministria e Financave është autoriteti kompetentë që përcakton përqindjen e tatimit. Sipas tyre, vlerësimi i pronave nga Ministria e Financave ka ndikuar në dyfishimin e tatimit.

Kryetari i komunës së Prishtinë, Përparim Rama, ka treguar se ka marrë shumë shqetësime të qytetarëve për rritje të tatimit.

Ai ka treguar se kryeqyteti do të aplikoj normat më minimale të tatimit.

“Bazuar në dispozitat e Ligjit në fuqi për Tatimin në Pronën e Paluajtshme (neni 17 i Ligjit nr. 06/005 dhe UA MF-Nr. 08/2019) Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është autoriteti kompetent për vlerësimin e pronave, ndërsa Kryeqyteti sipas të njëjtit Ligj, cakton përqindjen e tatimit në pronë në bazë të vlerësimit të Ministrisë. Kryeqyteti e ka caktuar përqindjen më të ulët të mundshme të tatimit në pronë. Norma më e ulët e lejuar është 0.15% e shumës së përcaktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve”, ka shkruar ai, duke shtua se komuna nuk ka pasur asnjë ndikim në këtë proces.

“Prandaj, ju siguroj se Kryeqyteti nuk ka pasur asnjë ndikim në rritjen e faturave të tatimit në pronë, por rritja ka ardhë si pasojë e ri-vlerësimit të pronave nga Ministria e Financave”, është shprehur Rama.

Edhe Komuna e Mitrovicës ka demantuar Ministrinë e Financave.

Përmes një njoftimi për medie, Drejtoria për Buxhet dhe Financa e kësaj komune ka treguar se Komuna e Mitrovicës do ta përcakton vlerën minimale për të gjitha kategoritë e pronave.

“Lidhur me rritjen e çmimit të faturës për Tatimin në Pronë, Drejtoria për Buxhet dhe Financa sqaron për të gjithë qytetarët se Komuna e Mitrovicës nuk e ka ngritur normën tatimore, por është bërë rivlerësimi i pronave nga Departamenti përkatës i Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar edhe në çmimet e tregut. Duke u ndërlidhur me gjendjen e rëndë ekonomike të qytetarëve dhe normën e lartë të inflacionit, e gjithë kjo do të ndikoj drejtpërdrejtë në gjepin e qytetarëve të Komunave të Republikës së Kosovës”, është thënë në njoftim.

Lajme të ngjashme