Reagimet e komentuesve në TikTokun e Nacionales për "shtatzaninë pa burrë" janë thjesht të trishta të lexohen
Debati mbi fertilitetin me asistencë mjekësore në Kuvend, i ndau deputetët e VetëVendosjes në dysh, po ashtu edhe popullatën që po shikonte nga televiziori i shtëpisë, kafiqit apo bastores - oh, ndoshta jo nga këto të fundit.
Njëra prej atyre që ishte pro këtij ligji që ia mundëson nënave të krijojnë fëmijë pa pasur nevojë për praninë e burrit në jetën e tyre, ishte deputetja e partisë në pushtet, Saranda Bogujevci.
“Unë po du me kanë e sinqertë edhe publikisht me thanë këtë pjesë që unë përderisa nuk e kam pasë mundësinë të jem në lidhje apo të jem në lidhje martesore apo çfarëdo forme tjetër, kam dashtë me u ba nanë.”
Sa i përket procesit për të mbetur shtatzanë përmes metodave shkencore, ajo potencoi se "nuk është aspak e lehtë, pasi jo secila herë rezulton me sukses që në tentimin e parë. Është i kushtueshëm si financiarisht, si emocionalisht e mentalisht."
Pra, ja ku e kemi... nuk është shkencë raketore, nuk është asgjë përtej normales sa mund të hamendësoj një komentues ofendues në linkun e deklaratës së Bogujevcit, por është thjesht një nënë që ka vendosur ta jetojë e shijojë atë çka i ofron bota, pa e parë të nevojshme lidhjen me një burrë për të krijuar familje.
Sidoqoftë, për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme ky ligj u bart për seancat e ardhshme në Kuvend, derisa fjalimi i Bogujevcit ishte nxitje për komentet më të tmerrshme stigmatizuese në rrjetet sociale ndaj saj.
Në zhvillimet rreth kësaj ngjarje, Nacionale publikoi një video në TikTok ku dëgjohem unë duke i pyetur kolegët: "A kishit bo fëmijë pa burrë/gru (duke u mbështetur në metoda shkencore)?" Ishte pyetja ime për Anitën, Visarin, Jetlirin, Mirandën dhe Ditean të cilët u përgjigjën ashtu si u përgjigjën, me disa që thanë "po", e disa të tjerë si Visari që nuk e morën aq seriozisht pyetjen dhe u përgjigjën me humor.
Sidoqoftë, ajo që rrëmben më shumë vëmendje dhe që është më problematike se sa përgjigjet e kolegëve, ishin komentet.
Njëjtë siç u sulmua në mënyrë bizare Bogujevci për komentet e saj, edhe kolegët që u përgjigjën me pohim e pësuan njëjtë.
"Se kuptoj këtë njerëzim, ky është fundi i botës," thotë një komentues qysh në fillim.
@nacionaleoffice Qe qysh u përgjigjën kolegët... #fyp #nacionaleoffice #office #kosova #prishtina ♬ original sound - NacionaleOffice
"Po si u lind ajo k*dër që flet marrina", thotë një komentues tjetër që përdhos emrin e qytetit antik, Prizrenit, teksa i ka vënë emrin e njëjtë llogarisë së tij apo saj në TikTok.
"Po, ka mundësi, me shku nëpër klube të natës, t'i bojnë ka dy bineq," thotë një tjetër komentues i neveritshëm, i cili aludon se klubi i natës është vendi i vetëm nikoqir i marrëdhënieve seksuale dhe kushdo që shkon aty, shkon për seks. Në rast se nuk e kuptuat plotësisht ironinë e plogësht të komentuesit me emrin Albert.
Por, qysh është realisht të mbetesh shtatëzënë "pa burrë?" Unë hulumtova e hulumtova dhe disi e gjeta një grua kosovare që i kishte besuar shkencës për krijimin e familjes, respektivisht sjelljes në jetë të një fëmiu.
Anonimja jonë, e cila refuzoi t'i referohemi qoftë edhe me iniciale, kur flasim për paragjykimet, është nënë e lumtur e një vajzeje 6-vjeçare.
Kur e pyeta nëse mendon se është hequr sadopak stigma ndaj grave që duan të mbeten shtatzënë pa burra, pas fjalimit të deputetes Bogujevci, anonimja u shpreh:
"Nuk e dëgjova debatin në Kuvend. Mirëpo, sa i përket kryeqytetit besoj se po (janë hequr stigmat). Ekziston një numër i grave që sot kanë zgjedhur të jenë prindi i vetëm. Ose me donator ose përmes proceseve të asistuara të fertilizimit, me donator të njohur (mik) por edhe donator anonim."
E njëjta tutje më thotë se gratë në fjalë, disa prej të cilave ajo i njeh, "kryesisht janë gra me karrierë solide, gjendje relativisht të mirë dhe të qëndrueshme financiare dhe rreth moshës 40-vjeçare".
Ndërsa ajo potencon se gjatë kohës së shtatzanisë është përballur me paragjykime, shton se ato e kanë bërë "më krenare se i kam hap rrugë dikujt ndoshta më të ndishme dhe më pak të guximshme".

