Një ligj, dy kuptime – Këto janë nenet që shkaktuan ‘tollovi’ për grevën dhe ndalimin e pagave
Sindikalistët janë futur në grevë, duke kërkuar shtesën prej 100 eurove nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Qeveria u ka thënë se “Është koha për punë, e jo për grevë”.
Kur greva u konkretizua, eksponentë të qeverisë paralajmëruan se do të “pezullohen” nga pagat të gjithë grevistët. Kundër kësaj kanë dalë sindikatat, të cilat thonë se Ligji Për Grevë ua lejon atyre të drejtën për grevë, dhe se paga nuk parashihet me ligj t’u pezullohet.
Gjithë këtë tollovi vetëm sa e ka bërë edhe më të dendur Ligji i cili ishte miratuar në vitin 2010, e më pas ishte plotësuar sërish me disa detaje të tjera.
Hilja e ligjit - Neni 13 i Ligjit për Greva
Mbrojtja e të drejtave të të punësuarve gjatë grevës
Me këtë nen rregullohen dhe mbrohen të drejtat e punëtorëve që futen në grevë, duke specifikuar hollësisht se si të mbrohet një grevist.
“Për organizuesit e grevës, pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t’ju ndërpritet marrëdhënia e punës”, thuhet në paragrafin e parë të këtij neni.
Paragrafi tjetër specifikon se gjatë kohës së grevës punëdhënësit nuk mund t’i zëvendësojnë pjësëmarrësit në grevë me punëtorë të ri.
Dykuptimësia e këtij ligji, vjen si rezultat i një plotësim/ndryshimi të tij, i cili mban datën 6 shtator 2012. Me këtë plotësim/ndryshim, ndryshohet neni 18.
Neni 18: Tre paragrafë janë paraparë në mënyrë që të rregullohet ligjshmëria e grevës: Gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga Kontrata e Punës, Ndërprerja ose largimi nga marëdhënia e punës për shkak të pjesëmarrjes në një grevë të ligjshme është i kundërligjshëm, paragrafi i dytë nuk zbatohet kur i punësuari gjatë grevës kryen një akt që bie ndesh me ligjin.
Ndryshimi: Gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga Kontrata e Punës, kësaj pjese i është shtuar fjalia: “duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar.”
Pra, në njërën anë e kemi nenin 13 i cili decidivisht e mbron grevistin nga masat ndaj tij, përfshirë ato materiale, në anën tjetër në ndryshimin që ka pësuar në shtator të 2012-ës thuhet se pezullohen detyrimet që rrjedhin nga Kontrata e punës, përfshirë të drejtën në pagesë.
Ndryshimi “që s’e pa askush” i ligjit
Nuk dihet pse ky ndryshim, nuk u bë asnjëherë subjekt i Gjykatës Kushtetuese, meqenëse është kaq problematik.
E ajo që është edhe më enigmatike është moszbatueshmëria e këtij neni, nga asnjë Qeveri e Kosovës.
Madje edhe në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje ishte në opozitë e me orientim të majtë, kur përkrahte sindikatat, asnjëherë nuk është problematizuar ky plotësim i nenit, as nga partia opozitare, atëherë LVV, e as nga vetë Sindikatat.
Kujtojmë se propozimi për plotësim/ndryshim të këtij ligji bëhet nga qeveria, në qeverinë e atij viti ministria e cila prekej nga ky plotësim/ndryshim, ishte Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Për kohën për të cilën po flasim, këtë ministri e ka udhëhequr politikani serb Nenad Rashiq.
Nuk dihet nëse raportet e afërta të kryeministrit aktual Albin Kurti me ish-ministrin Rashiq kanë bërë që ky i fundit ta informojë kryeministrin për “ekzistencën” e këtij neni që nuk u zbatua e as nuk u fol asnjëherë në Kosovë.
Siq, nuk dihet nëse ky ligj do të jetë subjekt i interpretimit në Gjykatën Kushtetuese apo jo, por nga ajo që po shohim nga Qeveria, deri në një ndryshim tjetër, ky ligj do të interpretohet e zbatohet në atë mënyrë që grevistëve t’u pezullohen pagat.



