Kërcënimi me ndalje pagash nga Qeveria, Rrahman Jasharajt s'i trembet syri: Vendim skandaloz
Greva ka trokitur në derë. E ajo është shkaktare edhe për përplasjet mes sindikatave të sektorit publik dhe Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri i majtë, Albin Kurti. Ekzekutivi madje po synon t’ua heq pagat grevistëve, duke theksuar se gjatë grevës pezullohen edhe pagat, edhe përgjegjësia nga puna.
Por, një kërkesë të tillë e ka quajtur skandaloze Rrahman Jashari, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit.
Në një prononcim për media, ai ka theksuar se grevistët kanë respektuar të gjitha procedurat ligjore, dhe se greva e tyre bazohet në ligj.
“Është vendim skandaloz, sepse greva është e ligjshme dhe ne kemi respektuar të gjitha procedurat siç parasheh ligji për greva. Kemi filluar me procedura të përshkallëzuara, duke i dhënë hapësirë dialogut, kemi mbajtur protestën paralajmëruese të prillit, një grevë një-orëshe, pastaj protestën me pjesëmarrjen masive të sektorit publik, kemi dërguar edhe ndërmjetësuese, i kemi respektuar dhe harxhuar të gjitha gjitha mundësitë që na jep ligji”, tha ai në një prononcim për Nacionalen.
Ai tha se përkundër që grevistët dhanë hapësirë për dialog, Qeveria nuk bëri asnjë hap në këtë drejtim.
“Ne kemi njoftuar se greva do të fillojë me 25 gusht, i kemi dhënë hapësirë dialogut. Qeveria nuk e ka bërë asnjë hap që të ulet me sindikatat, uroj që të mos jetë kërcënues, sepse një vendim i tillë është cenim i të drejtave dhe shkelje drastike e ligjit për greva”, deklaroi z. Jashari.
Tutje, Jashari ka treguar se është në terren, duke përcjellë mbarëvajtjen e grevës.
“Greva ka rrjedhë të mbarë, është e qetë, në nivel. Tash po kthehemi në BSPK për të marrë raportet nga këshillat greviste, nga sindikatat pejsëmarrëse në grevë si e kemi gjendjen dhe pastaj të dalim me një komunikatë”, shtoi tutje.
Kujtojmë që sot në media është publikuar një dokument nëpërmjet të cilit kërkohet pezullimi i pagës për grevistët.
Zëvendës-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu.
“Po, është kërkesë ligjore e cila kërkon që personave që janë në grevë t'u pezullohet paga dhe përgjegjësia nga puna. Neni 18 i Ligjit për Greva kërkon pezullimin e kontratës së punës dhe të mos paguhet, vetëm për këtë arsye e kemi dërguar emal-in. Sot e kemi marrë njoftimin për grevë, nuk kemi marrë me herët njoftim. Proceduralisht duhet me ditë kush është në grevë”, tha Spahiu për Insajderi.
Ndryshe, shumë institucione publike të Kosovës i janë bashkuar thirrjes për grevë të thirrur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).
Në një postim të Ali Sefajt, zyrtar i lartë ligjor në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kuptohet se edhe nëpunësit e kësaj ministrie i janë futur grevës në kërkim të shtesës prej 100 eurove deri në miratimin e ligjit të pagave.
Qeveria e Kosovës ka qenë vazhdimisht kritike ndaj paralajmërimeve për greva të punëtorëve të sektorit publik.
Madje ministrja e MASHTI-së, Arbërie Nagavci, paralajmërimet e Rrahman Jasharit, kryetarit të SBASHK-ut, për grevë, i ka quajtur shantazh, që sipas saj duhet të ndalojë.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti u ka thënë grevistëve se është koha për punë, e jo për greva.

