'Ndëshkimet' e Qeverisë: A po qeveris Qeveria Kurti me statuse të simpatizantëve në Facebook?
Si u bënë kërcënimet në Facebook nga simpatizantët e VV-së ndaj Rrahman Jasharajt dhe mësimdhënësve në politika qeveritare?
Rrahman Jasharaj është në grevë, bashkë me mësimdhënësit kosovarë që përfaqëson. Në grevë janë edhe punëtorët tjerë të sektorit publik. Ministria e Financave po kërkon emrat e tyre, që më pas të shqyrtojë pezullimin e pagave të tyre. Por, cila ishte fushata propaganduese e pushtetit që parapriu këtë kërkesë hakmarrëse?
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) i udhëhequr nga Atdhe Hykolli paralajmëroi shpalljen e grevës qysh më 18 gusht në një konferencë për medie. Greva e përgjithshme nisi sot, më 25 gusht duke u respektuar afatet ligjore.
Prej 18 gushtit, sulmet ndaj Rrahman Jasharajt dhe aktivistëve tjerë ishin të vrazhda e të vazhdueshme nga eksponentët e partisë në pushtet (VV) ku nuk kursehej as gjuha e urrejtjes dhe mosdurimit.
Kërkesa që u bë sot nga Ministria e Financave për listën e pjesëmarrësve në grevë – në mënyrë që atyre të iu pezulloheshin pagat është thjesht kulmimi i kësaj fushate.

Ideatorët e ndëshkimeve
Ishte Avni Zogiani ai që i pari përmendi mundësinë e ndëshkimit të grevistëve me anë të një statusi në Facebook që do të pëlqehej edhe nga profili i rremë Çerçiz Topulli.
“Kosova, si tërë Evropa, po kalon krizë të thellë për arsye që tashmë dihen... SBAShK-u po funksionon si parti opozitare e jo si sindikatë, prandaj mësimdhënësit nuk duhet t’i shkojnë prapa. Qeveria do të duhej të ndërprejë marrëdhënien e punës për secilin që dëmton mësimdhënien në këto kushte të vështira!”
Në anën tjetër, Sadri Rambaja do të tregohej edhe më i ashpër duke i quajtur sindikalistët “njerëz pa atdhe”
Rron Gjinovci, një tjetër përkrahës i partisë në pushtet, i bëri me faj sindikalistët për “mungesën e njohurive në lexim” duke kërkuar po ashtu “përjashtim masiv prej punës”.
Me tone kërcënuese më herët kishte folur edhe znj. Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit duke kërkuar që madje të mos kishte as paralajmërime për greva.
Kundërshtues i kërkesave të mësimdhënësve ndërkohë ishte edhe Albin Kurti gjatë ditës së djeshme në një konferencë për medie.
Jasharaj i patrembur
Rrahman Jasharaj në një prononcim për gazetën Nacionale e ka konsideruar si “skandaloz” dhe “të paligjshëm” vendimin e nxjerrë nga ana e Ministrisë së Financave.
“Është vendim skandaloz, sepse greva është e ligjshme dhe ne kemi respektuar të gjitha procedurat siç parasheh ligji për greva. Kemi filluar me procedura të përshkallëzuara, duke i dhënë hapësirë dialogut, kemi mbajtur protestën paralajmëruese të prillit, një grevë një-orëshe, pastaj protestën me pjesëmarrjen masive të sektorit publik, kemi dërguar edhe ndërmjetësuese, i kemi respektuar dhe harxhuar të gjitha gjitha mundësitë që na jep ligji,” - tha z. Jasharaj.
Përkthimi i kërcënimeve të eksponentëve të VV-së në Facebook në politika qeveritare duhet të jetë shqetësues për monituesit e demokracisë në vendin tonë.
Në lidhje me zhvillimet e tjera nga situata e përshkallëzuar, Nacionale do të ju informojë në kohë reale.


