Mësuesi dyshohet se rrahu nxënësin në Dragash, prindi i tij përplaset me drejtorin e shkollës: "Më sulmoi edhe mua" - NACIONALE

Mësuesi dyshohet se rrahu nxënësin në Dragash, prindi i tij përplaset me drejtorin e shkollës: "Më sulmoi edhe mua"

1 vit më parë

nga Blendrita Avdiu

Mungesat e një nxënësi në shkollën fillore “Sazai Surroi” në Bellobrad të komunës së Dragashit është bërë shkas që mësuesi i tij të ushtroi dhunë ndaj H.A, që vijon klasën e nëntë. Kjo ka bërë që në rast të përfshihet edhe prindi i nxënësit, drejtori i shkollës, Drejtoria komunale e Arsimit dhe Policia e Kosovës. Gazeta Nacionale ka kontaktuar palët dhe me poshtë jep versionet e tyre për rastin.

Leutrim Arifi nuk është ndier mirë kur të hënën ka parë se ndaj djalit të tij, H.A, është "ushtruar dhunë" nga mësuesi Ajaz Myrtezani. Në një prononcim për gazetën Nacionale, Arifi ka pretenduar se kjo ka ndodhur për shkak të disa mungesave të paarsyeshme.

Arifi ka ofruar për Nacionalen foto dhe video që sipas tij dëshmojnë se ndaj djalit të tij është "ushtruar dhunë".

“Rasti ka ndodhur pardje, ditën e hënë. Më është rrahur djali nga mësimdhënësi Ajaz Myrtezani. Me ka thirre djali në telefon, kam shkuar për të biseduar me drejtorin. Drejtori e ka qitë në hajgare. Kam marrë e kam dërguat djalin në spital, në polici”, ka thënë L.A. për Nacionale.

Tutje, Luetrimi, babai i nxënësit që dyshohet të jetë rrahur, pretendon se mësuesi e ka kërcënuar djalin e tij edhe me humbje të vitit shkollor.

E ka kërcënuar me humbjen e vitit shkollor dhe i ka porositur nxënësit me fol në polici për atë deklaratë. Si ka ardh djali prej shkollës 12:30, kam shku në shkollë, kam hyrë në zyre të drejtorit. Kam hyrë në mënyrë të rregullt me një arsimtare në kat të dytë, kur kam shkuar, kam trokit, kam hyrë si është mënyra e rregullt”, është shprehur Arifi.

Ai ka folur për takimin me ushtruesin e detyrës së drejtorit të shkollës, Fadil Bahtjari.

Sipas tij, ai i është drejtuar me fjalë banale, duke mos e marrë seriozisht rastin e djalit të tij. Madje, sipas tij, ushtruesi i detyrës së shkollës e ka sulmuar fizikisht.

Gazeta ka siguruar videon ku shihet se momenti i përplasjes së ndodhur në objektin e shkollës.

“Thash drejtor kam ardhë me u anku për diçka, ai me është kundërpërgjigjur: ‘nuk ke çka ankohesh, se pari djali yt ka lypur “q* nanën’. Thash, a je tu e ditë çka je tu fole. Ai me tha: po-po, djali yt dje ka lypë q* nanën. Edhe ka filluar, ai sulmi fizik. Ka munguar të premten në shkollë pa arsye, ka dalë më shokë. I kam dhënë deklaratat në polici, i ka raportet mjekësore të gjitha i kam”, ka thënë Arifi.

Mirëpo, Fadil Bahtjari, ushtruesi i detyrës së drejtorit të shkollës “Sazai Surroi’ në Bellobrad të komunës së Dagashit, ka tjetër version për ngjarjen.

Bahtjari ka konfirmuar rastin për gazetën Nacionale, duke thënë se për çështjen e dhunës që dyshohet të jetë kryer ndaj nxënësit, ka ngritur një komision.

Ai ka thënë se do të diskutojë edhe me mësimdhënësin për të konfirmuar nëse në të vërtetë e ka goditur nxënësin.

E kemi ngritur një komision dhe jemi duke punuar drejtë rastit, natyrisht se do të bisedojmë edhe me mësimdhënësin. Nëse është e vërtetë se ka përdorur dhunë dhe forcë ne do të marrim të gjitha masat dhe mund t’i japim edhe vërejtje si shkollë dhe atë do ta përcjellim si rast tek organet kompetente”, ka thënë Bahtjari.

Ai ka kritikuar prindin e nxënësit se ka përdorur gjuhë të vrazhdë ndaj tij, duke mohuar se e ka sulmuar atë.

Mirëpo më e keqja është se prindi i nxënësit është sjell në mënyrë shumë të egër, për mos me përdorë fjalor tjetër të vrazhdë. Ka hyrë në zyrën e drejtorit ka bërë inçizime, unë e kam ndjerë vetën të kërcënuar, se e kam ndjerë vetën të pasigurt, pasi pa ftesë, pa asgjë ka hyrë në zyrën e drejtorit. Kam qenë në vendin e punës rreth orës 13:00. Prindi normalisht që do të thotë se ka hyrë normal, mirëpo tek drejtori i shkollës duhet me e ditë se si me shku. Ai e ka shfrytëzuar rastin kur është bërë ndërrimi i turneve të shkollës, dera ka qenë e hapur. Nuk është problem pse ka hy, mirëpo mënyra se i ka hy nuk ka qenë e mirë. Edhe unë kam hapur rast për kërcënimin që më ka bërë”, ka thënë Bahtjari për Nacionalen.

Drejtoria e Arsimit në Dragash ka vetëm versionin e drejtorit të shkollës

Drejtori i Arsimit në Komunën e Dragashit, Selim Kryeziu, e ka konfirmuar rastin. Ai për gazetën Nacionale ka treguar se ka kërkuar që të formohet një komision dhe të merren masa disiplinore ndaj mësimdhënësit, nëse vërtetohet që ka ushtruar dhunë ndaj nxënësit.

Kryeziu ka bërë me dije se deri tani kanë vetëm variantin e drejtorit të shkollës.

Jam në dijeni për këtë rast. Unë kam vetëm versionin e drejtorit dhe kërkova raport me shkrim dhe nuk kam versionin e prindit, pasi që ai nuk ka kërkuar takim më mua dhe nuk ka ardhur tek unë. Nuk e di sa jam i saktë, nëse jap vetëm njërin version. Unë sot e thirra drejtorin edhe e pyeta për rastin. Pretendohet se një mësues ka rrahur nxënësin, pra ka përdorur dhunë, mirëpo prindi në mënyrë aspak të lejueshme futet në zyrën e drejtorit dhe me veprime jo të sjellshme. Ka një mënyrë dhe një rregull se si duhet të qasesh në zyrën e një drejtori të shkollës. Drejtori ka paraqitur në polici sjellën e prindit. Problemi tjetër është se janë mësuar keq, se në vend që të vijnë në Drejtorinë e Arsimit, prindërit shkojnë dhe i drejtohen drejtpërdrejtë mediave. Unë i kam urdhëruar që të formohet komisioni dhe të merren masa disiplinore ndaj mësimdhënësit”, ka thënë Selimi për Nacionalen.

Për këtë rast, gazeta ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, ka deklaruar për Nacionalen se policia ka intervistuar të gjitha palët.

Nga ana e Stacionit Policor në Dragash janë marrë të gjitha veprimet ligjore. Në konsultim me prokurorin e Shtetit rasti kalon në procedurë të rregullt. I dyshuari është intervistuar në Stacionin Policor në lidhje me rastin dhe rasti shkon me procedurë të rregullt”, ka deklaruar Gashi.

* Gazeta Nacionale ka fshehur identitetin e plotë të nxënësit, ndonëse redaksia e kishte lejën e prindërit për të publikuar identitetin e tij.

Lajme të ngjashme