"Kriza ekonomike": Pse kosovarët blenë më pak banesa më 2022?
Dje, Instituti GAP publikoi një info-grafik në lidhje me shitblerjen e banesave në disa qytete të mëdha të Kosovës, përfshirë Prishtinën. Përmes info-grafikut, u kuptua se shitblerja e banesave ka pësuar rënie në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021. Pse ndodhi kjo rënie, sipas ekonomistëve?
Në info-grafikun e Institutit GAP, qartazi vërehet se ka rënie në të gjitha qytetet e mëdha, me përjashtim të Pejës, ku ka pasur rritje të shitblerjes së banesave në vitin 2022.
“Numri i shitblerjeve të pronave banesore në Kosovë në vitin 2022 del të jetë më i ulët📉 se në vitin 2021” – shkroi GAP-i.
Shpjegimi i ekonomistëve
Në interpretimin e ekonomistit Valdet Kaçanolli, rënia e shitblerjes së banesave lidhet me faktorët ekonomikë, përfshirë dobësimin e fuqisë blerëse të qytetarëve.
“Faktorët ekonomikë luajnë nje ndikim të madh në shitblerjen e ndërtesave. Rënia ekonomike është faktori kryesor që shkakton ulje të kërkesës për blerjen e banesave, sepse fuqia blerëse e njerëzve/popullit ulet dhe interesimi për pasuritë e paluajtshme e, në këtë rast, për banesa, bie. Faktorët kryesorë, si norma e lartë e papunësisë, norma e lartë e inflacionit dhe normat e interesit në banka, ndikojnë në tregun e pasurive të paluajtshme” – vlerësoi Kaçanolli.
Në krejt këtë muhabet, Kaçanolli i përmend edhe ndikimet negative të pandemisë COVID-19, e cila ka ndikuar në rritjen e inflacionit, temë shumë e komentuar gjatë vitit 2022.
“Ne ende i vuajmë pasojat e pandemisë dhe kjo ka ndikuar edhe në rënie të fuqisë tonë blerëse e, në këtë rast, edhe kriza ekonomike ka ndikuar në rritje të inflacionit, me ç'rast shporta e konsumatorit është zvogëluar dhe blerja e pasurive të patundsdhme është e pamundur.
Pandemia dhe kriza ekonomike globale kanë ndikuar që çmimet e tregut, sidomos ato të materialit ndërtimor, të rriten (çmimi i hekurit, transportit), me ç'rast edhe kostoja e ndërtesave për metër katror është rritur, gjë që ndikon në ulje të dëshirës për blerje të banesave” – deklaroi ekonomisti Kaçanolli.
Një interpretim të ngjashëm ka edhe ekonomisti Lulzim Beqiri. Sipas tij, përveç pandemisë, edhe lufta në Ukrainë ka ndikuar në shrenjtimin e çmimeve të banesave në Prishtinë. Një gjë e tillë, thekson Beqiri, ua ka kufizuar mundësitë qytetarëve të Kosovës.
“Sipas Indeksit të Çmimeve të Pronës Banesore, (IÇPB) gjithashtu edhe sipas Agjencisë Kadastrale të Kosovës, ka rënie të blerësve të njësive banesore. Kjo vjen edhe si rezultat i inflacionit të çmimeve të produkteve ndërtimore, sidomos hekurit, i cili ka shënuar rritje të jashtëzakonshme ne pandemi dhe gjatë luftës në Ukrainë.
Qytetarët e Kosovës nuk janë duke blerë banesa, sepse kushtet e jetesës janë vështirësuar, sidomos në dy vitet e fundit, shto kësaj që edhe çmimi i njësive banesore është shumë i lartë dhe i papërballueshëm për xhepin e një kosovari me të ardhura mesatare” – theksoi Beqiri për Nacionalen.
Ndërsa në sytë e Berat Rukiqit, zyrtar i lartë i LDK-së, fajet për rënien e shitblerjës së banesave e ka Qeveria Kurti.
“Kjo rënie e shitblerjeve të pronave, mes tjerash, vjen nga: rënia e fuqisë blerëse (ndikimi i rritjes të çmimeve te qytetarët) dhe krizës së likuiditetit (bizneset kanë vështirësi në realizimin e investimeve dhe mbulimin e shpenzimeve).
Rënia e fuqisë blerëse dhe problemet me likuiditet te bizneset, janë pasojë direkte e paaftësisë së qeverisë, për menaxhim të krizës me rritjen e çmimeve dhe për të implementuar politika dhe projekte publike (investimet kapitale nga buxheti).” – shkroi ai në profilin e tij në “Facebook”.

