Kallëzim penal dhe akuza – nuk ndalen reagimet për zgjedhjen e Bozhidar Deliqit nënkryetar i Kuvendit në Serbi - NACIONALE

Kallëzim penal dhe akuza – nuk ndalen reagimet për zgjedhjen e Bozhidar Deliqit nënkryetar i Kuvendit në Serbi

1 vit më parë

nga Arbër Ramadani

Shoqata Krimet e Luftës në Gjakovë ka dorëzuar kallëzim penal kundër nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë Bozhidar Deliq. Kallëzimi penal ka të bëjë me pozitën që ky i fundit mbante në ushtrinë serbe, gjatë luftës në Kosovë.

Bozhidar Deliq tash nënkryetar i kuvendit të Serbisë ishte komandant i Brigadës 549.

Kallëzimi është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme në Prishtinë.

Të dhënat nga Fondi për të Drejtën Humanitare thonë se në territorin e e përgjegjësisë së brigadës që udhëhiqej nga Deliq e ku përfshihet komuna e Gjakoves ajo e Suharekës e komuna të tjera, ishin vrarë rreth dy mijë civilë shqiptarë.

Familjari i viktimave të luftës Gjokë Sokoli para mediave ishte shprehur se ka dëshmi të mjaftueshme kundër Deliq, pasi ka njerëz që e njohin dhe e kanë parë të njejtin kur ai kishte marrë pjesë në masakrën e Mejës.

“Kemi dëshmi sepse njerëzit e kanë njohur këtë person edhe kur i ka ndarë njerëzit nga kolona, edhe kur ka marrë pjesë në masakrën e Mejës dhe Korenicës në qytetin e Gjakovës. Pra kemi të dhëna të mjaftueshme për këtë kriminel lufte dhe i kemi sjellur të gjitha këtu në Prokurori. Me qindra janë dëshmitë, unë kam besim se ky person do të bjerë në dorë të Hagës”, ka thënë Sokoli.

Tutje Sokoli ka shprehur indinjatën e tij për zgjedhjen e Bozhidar Deliq, si numri dy i kuvendit serb.

Është turpi i botës kjo, të zgjidhet krimineli nënkryetar i parlamentit të Serbisë. Këtu duhet jo vetëm ne banorët e njerëzit që kemi viktima të luftës, por duhet edhe ministria e Drejtësisë të bëjë thirrje në mbarë botën, Evropë e Amerikë, që kryetari i Serbisë e ka marrë atë afër, kjo tregon që ai edhe vet i ka duart me gjak. Po barazohemi ne me atë që na i ka vra 15 mijë njerëz”, shprehet ai.

Udhëheqësja e shoqatës, Shkëndije Hoda theksoi se në dokumentacionin që kanë dorëzuar në prokurori, është edhe një ditar, ku gjinden emrat e pjesëtarëve të ushtrisë serbe që kanë marrë pjesë aty, si dhe gradat që ata mbanin.

Ky material që është shkruar nga vet oficerët e kësaj brigade tregon më shumë, Prokuroria ka punë tash sepse janë diku mbi 200 faqe në shkronja të alfabetit cirilik. Janë të gjithë emrat e tyre sepse në në fund të raportit ditor ata kanë shkruar emrat e tyre dhe gradat që i kanë pasur”, deklaroi Hoda.

Rrëfimi i dëshmitarit: Deliq kishte dhënë urdhër

Në masakrën që kishte ndodhur në fshatin Tërnja të Komunës së Suharekësnë vitin 1999, Bekim Gashit iu vranë nëna dhe katër motrat. Krimi makabër u krye pikërisht nga Brigada 549 që udhëheqej nga komandanti serb, tash nënkryetar i kuvendit të Serbisë Bozhidar Deliq.

Për masakrën në fshatin Tërnje, Bekim Gashi kishte ngritur kallëzim penal në Prokurorinë e Serbisë ndaj komplet zinxhirit komandues të kësaj brigade. Përfshirë tash Nënkryetarin e Kuvendit të Serbisë, Bozhidar Deliq. Megjithatë, i njëjti u largua nga aktakuza e Prokurorisë së Serbisë.

“Bozhidar Deliqi ka qenë komandant i Brigadës 549 në Ushtrinë Jugosllave. Pra për komplet regjionin e Gjakovës dhe Prizrenit e ka udhëhequr, ai ka qenë komandant kryesor. Kur është kryer masakra nuk ka qenë prezent, por është normale që është kryer me urdhër të tij”, e nis rrëfimin e tij Bekim Gashi për gazetën Nacionale.

“Kur e kemi pas bërë padinë në vitin 2008 e kemi përfshirë komplet zinxhirin komandues në krye me Bozhidar Deliqin. Prokurori që e ka hetuar, e ka hek Deliqin e ka bërë të pafajshëm kinse nuk ka dëshmi të mjaftueshme. Ka qenë edhe i ftuar i Hagës”, deklaron Bekim Gashi.

Tutje Gashi tregon se si Deliq trajtohej si i “përkedhelur” gjatë procesit gjyqësor ku ky i fundit ishte i thirrur si dëshmitar pranë gjykatës në Beograd, për kirme lufte në Kosovë.

“Me sa jam në njohuri Fondi ka pasur kallëzime penale ndaj Deliqit, por Gjykata ka caktuar prokurorë njëherë i ka hetuar, dhe pastaj i ka hudhur ato poshtë si të pabaza, nuk ka fakte të mjaftueshme kinse. Normalisht, ka fuqi politike ai, edhe në Gjykatë me pa pritjen që iu ka bërë edhe nga prokurorja që e ka udhëhequr rastin ka qenë e çuditshme. Ka qenë i përkdhelur nga dëshmitarët e tjerë, shumë i përkëdhelur”, shprehet më tutje Gashi për Nacionalen.

Reagimet e politikanëve kundër zgjedhjes së Deliq nënkryetar i kuvendit të Serbisë

Ndaj zgjedhjes së tij si nënkryetar kishte reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Në Kosovë, Saranda Bogujevci, një e mbijetuar e masakrave brutale të regjimit gjenocidal të Serbisë, shërben si nënrkyetare e Parlamentit. Derisa, Parlamenti i Serbisë ka emëruar Bozhidar Deliqin, komandantin e brigadës që ka masakruar mijëra kosovarë, si nënkryetar”, kishte shkruar Osmani në Tëitter.

Ndaj zgjedhjes së Deliq në karrigën e dytë më të rëndësishme të kuvendit serb kishte reaguar edhe ish presidenti e ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Berisha e quajti xhelat të shqipëtarëve Deliqin.

“Xhelati i shqiptarëve të Kosovës, Bozhidar Deliq zgjidhet nënkryetar i parlamentit të Serbisë. Në një sfidë të hapur ndaj shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar, Aleksandër Vuçiç zgjodhi me votat e partisë së tij, Deliq si nënkryetar të parlamentit të Serbisë. Bozhidar Deliq është një xhelat i vërtetë i shqiptarëve në Kosovë”, kishte shkruar Berisha.

Biografia e Deliq

Deliq ka lindur në Lugbunar të Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në Kosovë, kurse më pas u zhvendos në kryeqytetin e Serbisë Beograd ku përfundoi studimet për akademinë ushtarake.

Anipse në biografinë e tij, nuk shkruan fare pozicioni dhe përgjegjësia që ai ka mbajtur në ushtrinë jugosllave, aty thuhet se Deliq nga ushtria u pensionua në vitin 2005.

Ai ka qenë disa herë deputet i Kuvendit të Serbisë, e një herë tjetër para kësaj të fundit, nënkryetar i kuvendit të Serbisë.

Për një kohë të gjatë ishte anëtar i Partisë Radikale në Serbi, e më vonë iu bashkua partisë së presidentit aktual Aleksander Vuçiq, nga ku u largua pas një kohe të shkurtë.

Në janar të vitit 2022 ai themeloi lëvizjen politike me emrin “Nuk ka kthim, Serbia qëndran prapa”

Deliq gjithashtu ishte edhe dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin kundër Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës.

Lajme të ngjashme