Si dështoi Serbia t’i gjykojë krimet e luftës në Kosovë – fakte dhe statistika - NACIONALE

Si dështoi Serbia t’i gjykojë krimet e luftës në Kosovë – fakte dhe statistika

1 vit më parë

nga Besian Beha

Emërimi i Bozhidar Deliq si nënkryetar i Kuvendit të Serbisë, nxiti shumë reagime në Kosovë. Deliq ishte udhëheqës i Brigadës 549, që njihej për mijëra civilë të vrarë në Kosovë. Edhe pse disa herë i dyshuar për krime lufte, Deliq nuk u akuzua kurrë nga institucionet e drejtësisë ndërkombëtare, e as ato vendore në Beograd.

Megjithatë, Bozhidar Deliq është vetëm një numër në listën e të dyshuarve për krime lufte, që nuk u hetua kurrë. Madje, që sot kanë pozita në institucionet e larta të Serbisë.

Gazeta Nacionale ka siguruar disa të dhëna nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, në lidhje me trajtimin e rasteve të krimeve të luftës nga Prokuroria atje.

Sipas të dhënave që Fondi ka dërguar për Nacionalen, që nga themelimi i Zyrës së Prokurorit për Krimet e Luftës në Serbi, janë ngritur vetëm 13 aktakuza për krimet e kryera në Kosovë.

“Ju lutemi, vini re se, proceduralisht, Prokuroria ndonjëherë lëshonte më shumë se një aktakuzë për një rast. Për shembull, në rastin "Qyshku", Prokuroria lëshoi ​​një aktakuzë të vetme të ndryshuar pasi kishte lëshuar disa aktakuza gjatë procedurës”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.

Pra, për gati dy dekada, Prokuroria për Krime Lufte në Serbi ka ngritur 13 aktakuza për krimet në Kosovë.

Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, nga 13 aktakuzat e ngritura, janë akuzuar 55 persona.

Cilat raste u hetuan?

Në 13 aktakuzat e ngritura nga kjo Prokurori, përfshihen disa raste nga zona të ndryshme në Kosovë. Njëri nga rastet madje, është ndaj kosovarit Nezir Mehmetaj që tash e 3 vjet po mbahet i arrestuar në Serbi, si i dyshuar përkrime lufte në Klinë.

Aktakuzat e tjera të ngritura për krime lufte në Kosovë përfshijnë: “Grupin e Rahovecit”, “Gjakova”, “Suhareka”, “Vëllezërit Bytyqi”, “Podujeva”, “Grupi i Gjilanit”, “Qyshku”, “Tërnje – Suharekë”, “Nezir Mehemtaj”, “Nerodime e Epërme”. Kurse rasti i Lybeqniti dhe Predgrad Vukotiq, janë bashkuar me lëndën e Qyshkut.

Ndër vite, për masakrën në Qyshk të Pejës, disa herë ishte plotësuar aktakuza.

“Prokuroria lëshoi ​​aktakuzën e parë për krimin në Qyshk në vitin 2010 kundër nëntë personave të akuzuar. Prokuroria e Krimeve të Luftës ngriti akuza për këtë krim kundër pesë personave të tjerë më 1 prill 2011, 27 prill 2011, 31 maj 2011, 7 nëntor 2011 dhe 26 shtator 2012. Aktakuza u ndryshua më 27 shtator 2012, ku të akuzuarit gjithashtu akuzohen për krime të kryera në fshatrat Lubeniq, Pavljan dhe Zahaq”, thuhet në një sqarim të Fondit për të Drejtën Humanitare,

“Në korrik të vitit 2019, ZKPK-ja ka lëshuar aktakuzë edhe kundër Predrag Vukoviqit, dhe ky rast është bashkuar edhe me rastin “Qyshk”, thuhet më tutje.

Në gjithë këto procedura, në shumicën prej tyre kanë pushuar hetimet.

Në 11 aktakuza (duke ditur se me rastin e Qyshkut janë bashkuar dy akuza të tjera), 8 raste deri më tani kanë pushuar me hetime.

Në një rast i akuzuari nuk është në dispozicion të shtetit, pasi është arratisur. Fjala është për Rajko Kozlinën, i dënuar për krime lufte në Tërnje të Suharekës.

Kurse, gjykimi i dy rasteve të tjera është duke vazhduar.

Si u amnistua Bozhidar Deliq?

Zhurma për amnistinë e Serbisë ndaj krimeve të luftës, kulmoi me riemërimin e Bozhidar Deliq si Nënkryetar i Kuvendit të Serbisë.

Deliq ka qenë deputet katër herë në Kuvendin e Serbisë. Fillimisht në vitin 2007 deri më 2008, pastaj nga vitit 2008 deri më 2012, dhe pastaj 2016 – 2020, dhe në vitin 2022.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd ka treguar për Nacionalen, se çka parasheh rregullorja e Kuvendit të Serbisë.

“Sipas Rregullores së Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë, nëse deputeti ka imunitetin, ai nuk mund të paraburgoset, e as kundër tij nuk mund të zhvillohet procedurë penale apo ndonjë procedurë tjetër në të cilën mund të shqiptohet dënimi me burg, pa miratimin e Asamblesë. Megjithatë, organi kompetent mund të paraqesë kërkesën për autorizimin e paraburgimit për një deputet dhe kërkesën për miratimin e fillimit të procedimit penal ose procedimeve të tjera në të cilat mund të shqiptohet dënimi me burg tek Kryetari i Kuvendit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Fondi ka bërë të ditur se ndaj Deliqit kishin paraqitur dy kallëzime penale, megjithatë ndaj tij nuk pati kurrë aktakuzë.

“Nuk është për t'u habitur që politika prek pothuajse të gjitha fazat e gjykimeve për krimet e luftës - nga hetimi, përmes aktakuzës dhe vendimit, deri te ekzekutimi i dënimit. Ndikimi politik mund të shihet në dy aspekte. Njëra është – te ata të cilët i akuzon Prokuroria e Zyrës së Krimeve të Luftës, dhe tjetra është - për çfarë veprash akuzohen”, përfundon përgjigja e Fondit për të Drejtën Humanitare.

Menjëherë pas luftës Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë me seli në Hagë, filloi që të merret me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës.

Sipas tij, gjykata e Hagës ka akuzuar për krime lufte 15 persona, 9 serb e 6 shqiptarë. Kurse janë dënuar 6 serb e 2 shqiptarë.

Lajme të ngjashme