Ikja e anesteziologëve nga QKUK-ja : Çka po bën shteti për ta parandaluar këtë dukuri - NACIONALE

Ikja e anesteziologëve nga QKUK-ja : Çka po bën shteti për ta parandaluar këtë dukuri

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

QKUK tash e disa muaj po ballafaqohet me mungesën e dukshme të anesteziologëve. Ky institucion shëndetësor ka dyfish më pak anesteziolog se sa do të duhej të kishte në kushte normale. Për momentin në QKUK punojnë 47 anesteziolog për 40 njësi klinike. E për të funksionuar normalisht puna QKUK do të duhej të kishte së paku 120 anesteziolog. E një mjeku i duhen pesë vjet për t’u specializuar në anesteziologji.

Për largimin e anesteziologëve nga sektori publik, të enjten është diskutuar edhe në Kuvendin e Kosovës.

I shqetësuar për situatën u pa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Fitim Uka. Ky i fundit e pyeti Ministrin e Shëndetësisë Rifat Latifin, nëse shërbimet shëndetësore do të rrezikohen nga ikja e anesteziologëve nga sektori publik në privat.

Kohëve të fundit është raportuar për ikjen e anesteziologëve. Veç gjatë muajit shtator është raportuar për ikjen e 6 anesteziologëve. E në anën tjetër raportohet se nuk ka anesteziolog ë papunë. Andaj ministër a mund të na tregoni se cilat janë masat që keni ndërmarrë për ikjen e këtyre”, pyeti Uka.

E ministri Latifi nga foltroja e Kuvendit fajin për këtë situatë e hodhi tek qeveritë paraprake.

Sipas tij, kjo situatë është pasojë e mungesës së konkursit për specializime nga viti 2016 deri në fund të vitit 2020, gjë që sipas tij Kosova ka humbur dy gjenerata të mundshme të anesteziologëve.

“Çështja e anesteziologëve është lënë pas dore për vite të tëra, që nga viti 2016 nuk kemi pas konkurs për specializime. Po të ishte bërë kjo tani do të kishim dy gjenerata të anesteziologëve. Pasojat po i përjetojmë tash. Nga viti 2020 mungojnë 22 anesteziologë”.

“Ne në QKUK janë 34 salla të operacionit të shkapërderdhura gjithandej në QKUK, të personalizuara për shërbime të caktuara dhe jo salla që mund të përdoren për të gjitha disiplinat. Nuk është krijuar vetëm një bllok me salla. Ne nuk kemi një menaxhim të strukturuar për salla të operacionit. Këta anesteziologë mbulojnë 40 njësi klinike”, ka thënë Latifi.

Ai ka shtuar se anesteziologët do të trajtohen me prioritet dhe si profil deficitar.

“Është e qartë se duhet t’i trajtojmë anesteziologët si prioritet dhe profesionist deficitar sikurse ata të IT-së dhe duhet të jemi kreativ në solucione për t’i kthyer edhe ata që nuk punojnë në sektorin publik”, ka deklaruar Latifi.

E nga QKUK-ja, gjatë këtij viti kanë ikur dhjetë anesteziolog. Kështu po thuhet në të dhënat e Odës së Mjekëve të Kosovës.

Kreu i kësaj Ode, Pleurat Sejdiu, ka theksuar se gjatë këtij viti nga QKUK dhe spitalet rajonale kanë ikur mbi 60 profesionistë shëndetësor-mjekë.

Nuk janë veç anestezilogët mungesë

E nuk janë vetëm anesteziologët ata që mungojnë në QKUK. Nacionale dje ka publikuar një shkrim ku vihen në pahë mungesat edhe të infermierëve.

Veç për nëntë muaj, Kosovën e lëshuan mbi 600 infermierë e staf mbështetës. Këto statistika po shihen dramatike për zyrtarët e Odës së Infermierëve kosovar. E thirrjet e tyre karshi institucioneve për këtë alarm, ata thonë se nuk o i dëgjon askush. Tutje infermierët kosovarë, në tetor pritet që të marrin oferta pune me shumicë nga Gjermania.

Situata është shumë shqetësuese. Mund të mbesim pa staf mjekësor”. Kështu po deklaron Kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemaj. Ai në një bisedë për Nacionalen, ka dhënë deklarata shqetësuese sa i përket ikjes së infermierëve nga Kosova.

Deri në këto momente që ne po flasim, mund të ju them se janë diku mbi 600 infermierë e staf tjetër mbështetës që e kanë lëshu Kosovën. Gjithë vitin e kaluar i kemi pasur 600-700 infermier e staf tjetër mbështetës që kanë lëshu Kosovën, por këtë vit, numri është shumë më i madh. Dhe më e keqja është që po na ikin infermier që kanë përvojë që 20 vite, qoftë teknik të anestezionit, qoftë instrumentar, në urgjencë. E këta infermier, nuk mund të zëvendësohen brenda natës”, deklaron Rrustemaj për Nacionalen.

Sipas tij, QKUK-ja funksionon me rreth 2.400 infermierë, ndërsa do të duhej të kishte mbi 3.000. Paga bazë e një infermieri në Kosovë është rreth 400 euro në muaj.

E në diskutim publik tashmë gjendet projektligj i ri për pagat, që parasheh rritje për punonjësit e sektorit publik, aktualisht është në procedurat e konsultimeve publike. Qeveria e Kosovës ka thënë se ky projektligj do të dalë në miratim së shpejti. Në rast se kalon, ai do të hyjë në fuqi tetë muaj pas miratimit.

Këtë muaj, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka formuar edhe Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, i cili do të udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme