Pavijoni i Kosovës nderohet me ‘Mirënjohje të veçantë’ në ceremoninë e edicionit të 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia
Sot, në Ceremoninë e Ndarjes së Çmimeve të Edicionit të 60-të, të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia, instalacioni skulpturor i Doruntina Kastratit “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” u nderua me ‘Mirënjohje të veçantë’, në kategorinë e çmimeve që ndahen për përfaqësim shtetëror.
Juria ndërkombëtare e edicionit të 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia, përbërë nga Julia Bryan-~Wilson (presidente), kuratore amerikane dhe profesoreshë në Universitetin e Kolumbisë; Alia Swastika, kuratore dhe shkrimtare indonesiane; Chika Okeke-Agulu, kuratore nigeriane dhe kritike e artit; Elena Crippa, kuratore taliane; dhe María Inés Rodríguez, kuratore francezo-kolumbiane, mes tjerash ka vlerësuar Pavijonin e Kosovës për aktivizmin e feminist.
“Duke iu referuar lëvozhgave të arrave, të përdorura në prodhimin e llokumeve, si dhe protezave mjekësore për riparimin e gjunjëve, nga përgatitja e këtyre llokumeve, skulpturat elegante të artistes Doruntina Kastrati mbërthejnë shikuesit. Një peisazh tingujsh vibrues vie nga dyshemeja, që të mbushë kockat dhe jehon përtej aktivizmit feminist.” - ka thënë María Inés Rodríguez me rastin e ndarjes së këtij cmimi.
Ditë më parë, u hap Pavijoni i Kosovës, në edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia, ku artistja Doruntina Kastrati, e filloi fjalën e saj me citatin nga shkimtarja Elif Shafak:
“Tregimet na bashkojnë, historitë e patreguara na mbajnë larg. Ne jemi krijuar nga histori - ato që kanë ndodhur, ato që po ndodhin në këtë moment dhe ato që formohen thjeshtë në imagjinatën tonë përmes fjalëve, imazheve, ëndrrave, dhe një ndjenjë të pafund habie për botën përreth nesh dhe si funksionon ajo. Të mos jesh në gjendje të tregosh historinë tënde, të heshtësh dhe të mbyllesh, do të thotë të dehumanizohesh”. Artistja Kastrati vazhdoi: “Jam e lumtur që jam këtu sot dhe ndaj pjesë të një historie që është gjithmonë e pranishme në përvojën tonë lokale dhe globale, duke filluar nga nëna ime Fitnete, ish-koleget e saj Shaije dhe Mimoza, dhe shumë zëra të tjerë nga margjina, të paarritshëm, të padëgjuar.”
Mirënjohja u nda nga Adriano Pedrosa, kuratori i këtij edicioni të Bienales së Venecias.
Në ceremoninë e ndarjes së këtij cmimi ishte edhe Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku, i cili tha: “Gratë e Kosovës shkruajnë histori. Sërish! Shteti ynë prek majat e suksesit botëror në art. Një arritje e jashtëzakonshme e artistes Doruntina Kastrati, e cila e vendosi Kosovën në mesin e më të mirëve në konkurrencë me mbi 80 shtete nga e gjithë bota.” Duke përcjellur përgëzimet e tij për ekipin dhe tërë Kosovën, Ministri Çeku shtoi se “Instalacioni skulpturor "Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës" me kuratore Erëmirë Krasniqi dhe komisionere Hana Halilaj, ka rrënjët te përvojat e grave që kanë punuar në një fabrikë llokumesh në Prizren, në vendlindjen e artistes.”
Kuruar nga Erëmirë Krasniqi, instalacioni prezanton katër objekte skulpturore: dy prej tyre të modeluara sipas lëvozhgave të llojeve të ndryshme të arrave, të përdorura në prodhimin e llokumeve, dhe dy të tjerat sipas formës së protezave të përdorura për implantet kirurgjike në gjunjë. Instalacioni përcillet nga një projekt tingullor kompozuar nga Paul Hauptmeier dhe Martin Recker.
Pavijoni i Kosovës në edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia është komisionuar nga Hana Halilaj, kuratore pranë Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Pavijoni i Kosovës si dhe Ekspozita Ndërkombëtare e Artit — La Biennale di Venezia mbesin të hapura deri më 24 nëntor, 2024.