Pak ditë para hapjes së Pavijonit të Kosovës në Venecia
Intervistë ekskluzive me artisten Doruntina Kastrati dhe kuratoren Erëmirë Krasniqi që sivjet përfaqësojne Kosovën në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venecias.
Më 18 prill, kur Pavijoni i Kosovës të jetë hapur, një varg tregimesh do të bëhen bashkë për të krijuar histori të re— një shtresim të ri historik për Kosovën në edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venecias. Së pari, Doruntina Kastrati, artistja që sivjet përfaqëson Kosovën në Bienalen e Venecias, do të jetë e para artiste kosovare, e lindur dhe e rritur, dhe që vazhdon të jetojë dhe formësojë praktikën e saj artistike në Kosovë.
Së dyti, tregimi i saj, i nënës së saj dhe grave të përfshira në industritë e parregulluara të pasflutës në Kosovë, do të jetë i pari që trajtohet nga një perspektivë vendosshmërisht feministe dhe që përfaqëson Kosovën në Bienalen e Venecias.
Doruntina Kastrati (1991) praktika e së cilës përqëndrohet në skulpturë, instalacion dhe imazhe lëvizëse, sjellë në qendër të Pavilionit të Kosovës një projekt skulptural që përbëhet nga katër skulptura të cilat me fromën dhe prezencën e tyre sigurohen të jenë të zëshme në artikulimin e bezdisë së orareve të gjata dhe kontratave të përkohshme në një fabrikë llokumesh në Kosovë, ku një e treta e grave punëtore detyrohen të bëjnë intervenimin kirurgjik të implantimit të protezave në gju.
Nisur nga përvojat e grave që punonin në këtë fabrikën, instalacioni prezanton katër skulptura të modeluara sipas lëvozhgave të arrave që përdoren në prodhimin e llokumeve dhe sipas formës së protezave të përdorura për implantet kirurgjikale në gjunjë. Përzgjedhja e materialeve aludon në ftohtësinë e maqinave të fabrikës dhe ftoftësinë e frikshme të metalit të huaj në gjunjët e punëtoreve.
Më shumë shtresime historike mundësohen në pavijonin e sivjemë kosovar nga puna e kuratores Erëmirë Krasniqi, praktika kuratoriale e së cilës ndërthuret me arkivat, historinë gojore dhe fabulimet kritike që kanë për qëllim korigjimin dhe adresimin e mangësive në historive zyrtare. Kjo praktikë në Pavijonin e Kosovës sjellë nga periferia në qendër historitë gojore të tri grave të cilat kanë inspiruar dhe informuar krijimin e instalacionit skulpturor të artistes Doruntina Kastrati.
Vetëm pak ditë para hapjes së Bienalës së Venecias dhe hapjes zyrtare të Pavijonit të Kosovës në këtë Bienale, artistja Doruntina Kastrati dhe kuratorja Erëmirë Krasniqi kanë ndarë me Nacionale një material fotografik dhe pikëpamjet e tyre për këtë ngjarje, rëndësinë e përfaqësimit të Kosovës në të, si dhe punën dhe tematikën që sivjet na përfaqëson.
Nacionale: Jemi pak dite para hapjes së Bienalës së Venecias. Pse është ky moment i rëndësishëm për ju?
Doruntina Kastrati: Është moment kulminant i një pune të gjatë, një procesi sa teknik poaq emocional, moment kur idea e të sjellurit të përvojave nga margjina në qendër bëhet i vërtetë dhe tregimi i nënës time, i imi, i grave kosovare në Kosovën e paslfutës, i hapet botës dhe tregime të reja bëhen të mundura. Për më tepër, e kemi me rëndësi që vetën tonë si gra dhe gratë të tjera me të cilat i ndajmë këto përvoja, të i shohim në platforma të rëndësishme të artit pamor.
Erëmirë Krasniqi: Bienalja e Venecias është një skenë ndërkombëtare e artit ku takohen skena më të vogla të vendeve të ndryshme nga të gjitha anët e botës. Është një moment për të prezantuar projekte artistike që reflektojnë mbi kompleksitetin e konteksteve lokale prej nga vijnë artistët e përzgjedhur nga kombe të ndryshme, por poashtu edhe nga kuratori Adriano Pedrosa për ekspozitën kryesore “Të Huaj Kudo”. Projekti ynë është zhvilluar përbrenda mureve të shtëpive dhe studiove tona, dhe ky është një moment kur projekti hapet përpara një audience të gjerë dhe fillon të zhvillohet tutje nga ky dialog ndërkombëtar. Ky është një moment i ri nga i cili edhe ne si kuratorë e artistë mësojmë nga puna jonë dhe dalim jashtë kornizave iniciale përbrenda të cilave e kemi zhvilluar projektin. Në nivel tejet praktik, atë të rrjetëzimit profesional, prezantimi në Bienale sjell në dialog koleksionistë, galeristë, dhe institucione tjera të artit që mund të gjejnë interes të akomodojnë projektin në programet e tyre institucionale apo në tregjet e artit ku participojnë. Pra, është një moment i dukshmërisë së shtuar si për artistët dhe praktikën e tyre artistike, po ashtu edhe për ne kuratorët që bartim mbi vete përgjegjësinë se si prezantohen këto projekte para publikut të gjerë.
Nacionale: Çka përmbanë instalacioni skulpturor, “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës”?
Doruntina Kastrati: Kuruar nga Erëmirë Krasniqi, instalacioni skulpturor, “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” synon të i sjellë rrëfimet e grave - atyre që punojnë në margjinat e shoqërisë - në opinionin publik. Ky projekt niset nga përvojat e grave që punonin në një fabrikë të llokumeve në Prizren. Instalacioni prezanton katër objekte skulpturore: dy prej tyre të modeluara sipas lëvozhgave të llojeve të ndryshme të arrave të përdorura në prodhimin e llokumeve dhe dy të tjerat janë modeluar sipas formës së protezave të përdorura për implantet kirurgjikale në gjunjë. Instalacioni përcillet nga një projekt tingullor që është krijuar posaçërisht për t'i aktivizuar skulpturat. Të punuara kryesisht nga alumini, skulpturat aludojnë në implantet kirurgjikale ashtu dhe në prodhimin industrial. Përzgjedhja e materialeve është menduar të rikrijojë ftohtësinë e maqinave të fabrikës së llokumeve dhe ftoftësinë e frikshme të metalit të huaj në gjunjët e punëtoreve. I shtresëzuar me simbolikë diskrete dhe të qetë, që përfaqëson tjetërsimin e grave të klasës punëtore, çdo element në projekt krijon një rrjet të asocimeve, referencave dhe historive.
Nacionale: Çka komunikohet përmes këtij titulli?
Erëmirë Krasniqi: Projekti ka për fokus gratë në ekonominë e periudhës së tranzicionit të cilat humbin fuqinë politike për të krijuar një ambient më miqësor në kontekst të vendit të punës. Rrethana të tilla i prodhojnë ato si subjekte margjinale. Kjo heshtje e cila nuk është njëjës, por shumës, përfaqëson zërat e shumtë të grave në këto industri të ushqimit. Poqëse ndalemi të i dëgjojmë rrëfimet rreth kushteve të punës i sjellim ato nga margjina në qendër, që është një moment që shpërfaqë pozicionin e tyre aspak margjinal, por kanë fuqinë të destabilizojnë marrëdhëniet e punë përbrenda të cilave shfrytëzimi tashmë është bërë normë. Shumë gra në këto industri i nënshtrohen operimeve të gjurit për shkak orëve të gjata në këmbë gjersa performojnë punën e tyre në orare mbi dymbëdhjetë orë. Këto operacione i lënë ato me një metal në gju. Ky moment ku pikëtakohet lëkura dhe metali - figurativisht apo bukfalisht - na ka interesuar ta hulumtojmë tutje, pasi që shpërfaqë mungesën e mirëqenies në ambiente pune të cilat dominohet nga gratë. Në mungesë të kontratave permanente që rregullojnë oraret e punës dhe mundësojnë sigurim shëndetësor, shumë prej grave vazhdojnë të mbajnë orare të gjata dhe të i mbulojnë shpenzime shëndetsore nga buxheti personal. Kështu duke i varfëruar ato tutje.
Nacionale: Si erdhët deri tek tema e instalacionit skulpturor? A i referencoheni përvojave personale?
Doruntina Kastrati: Unë jam rritur në një familje të klasës punëtore dhe tema të tilla ishin gjithmonë pjesë e diskutimeve tona: orët e gjata të punës, puna e papaguar, shfrytëzimi dhe tema të tjera të ngjashme. Kjo temë lidhet veçanërisht me nënën time, e cila punonte për vite me radhë në një fabrikë lakmotesh turke. Kishte shumë ditë, javë dhe muaj kur asaj iu desh të punonte më shumë se dhjetë deri në 14 orë në ditë, shpesh në turnin e natës. Ndonjëherë, ajo shkruante shënime dhe i linte nëpër shtëpi, kryesisht në tavolinën e kuzhinës, duke na kujtuar të përfundonim pjesën tjetër të punëve – si marrja e rrobave nga lavatriçja ose nxjerrja e mishit nga frigoriferi. Në fund të shënimit, ajo gjithashtu na njoftonte se sa orë do të punonte atë ditë. Disa nga këto shënime i mbaja mes librave të mia dhe i gjeta disa vite më vonë. Në shtëpi na vinin për kafe e darka kolegët e nënës, me të cilët ajo punonte. Kështu që dëgjoja bisedat e tyre, reflektimet private, shqetësimet dhe fragmente nga puna e tyre e përditshme, si dhe heshtjet e tyre. Ato ishin aq të zhurmshme dhe megjithatë aq të heshtura. Për mua, mënyra se si mësova për fabrikën dhe sesi ato i trajtuan këto gra atje ishte duke dëgjuar rrëfimet e tyre. Fillova të mendoj për projekt propozimin për Pavijonin e Kosovës më shumë se një vit më parë dhe ftova Erëmirë Krasniqin të punojë me mua dhe filluam ta zhvillojmë më tej këtë temë së bashku dhe u thelluam në këto histori të heshtura.
Nacionale: Pavijoni i Kosovës përbëhet nga një ekip grash dhe prezanton një projekt që reflekton mbi pozitën e gruas në ekonominë e Kosovës së pasluftës. Cila ka qenë ambicja e ekipit dhe këtij projekti?
Erëmirë Krasniqi: Projekti artistik i Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venecias, përqendrohet në punën e feminizuar dhe pabarazitë në vendin e punës në kontekstin e ekonomive të deindustrializuara në periudhën e pasluftës. Shumë nga dimensionet e këtij projekti zhvillohen nga përvoja që nëna e Doruntinës ka pasur përbrenda këtij konteksti ekonomik. Si i tillë, aq sa është projekt personal po aq është edhe politik, pasi që trajton dimensionin e tjetërsimit dhe eksploatimit në tregun e punës. Si gjeneratë e re e grave, na ka interesuar sa strukturale janë pabarazitë me të cilat përballen gratë në kontekstin e industrive të lehta. Meqenëse janë gratë që targetohen kryesisht në këto sektore për shkak që shkathësitë e kërkuara të punës kanë ngjashmëri me punët përbrenda hapësirës domestike, kemi hulumtuar mënyrën se si nënvlerësimi i këtyre punëve në sferën private bartet në sferën publike.
Nacionale: Kur krijoni vepra arti, cila është audienca që keni në mend?
Doruntina Kastrati: Mendoj rreth mënyrës se si puna ime artistike e mirëpret audiencën pasi ata të kenë hyrë në hapësirën ekspozuese. Kur vijnë për të parë punën, jam e vetëdijshme që ata nuk janë të çliruar nga gjykimi; ata vijnë me një mori referencash dhe projektojnë idetë e tyre mbi punën time. Ata sjellin një ditë të mirë, një problem shëndetësor, një ditë të keqe, racizëm, homofobi, doza lumturie... Sjellin një botë me vete. Më duket se ky është një moment shumë i shenjtë për mua dhe është një privilegj sepse mund të komunikosh me ta në një gjuhë krijon ndërlidhshmëri, por shpesh edhe jo. Projektet e mia artistike trajtojnë punën, shfrytëzimin dhe klasën; mbart momente jete kur njerëzit poshtërohen sepse janë të varfër, të klasës punëtore, njerëz të thjeshtë dhe të tjera. Puna ime nuk mëton të jetë vetëm vizualisht e bukur, por provon të krijoj një gjendje jo të rehatshme. Ajo shkon përtej vizuales dhe unë jam e interesuar të dëgjoj mendimet dhe reagimet e audiencës. Unë jam me fat sepse njerëz të ndryshëm më shkruajnë në Instagramin tim personal (kur nuk jam i pranishëm në hapje ose gjatë ditëve të hapjes) dhe shprehin mendimet dhe ndjenjat e tyre për atë që marrin kur shohin punën time, dhe kjo ka vërtet rëndësi për mua.
Nacionale: Ky projekt trajton pabarazitë ndaj grave në vendin e punës në një fabrikë të llokumeve por jo vetëm atyre, pabarazi në vendin e punës ka në gati të gjitha sektoret dhe industritë në Kosovë.
Erëmirë Krasniqi: Projekti artistik i Doruntina Kastratit nuk tenton të përgjithësojë dhe të trajtojë të gjitha pabarazitë në vendin e punës të të gjitha grave në vendin tonë. Mundohemi të identifikojmë çfarë është strukturale dhe që mund të përkthehet në kontekste të ndryshme të punës ku targetohen gratë kryesisht për shkak të aftësive të tyre që nga shoqëritë patriarkale konsiderohen “punë që u shkojnë më për shtati grave”. Instalacioni skulpturor ka një kontekst specifik pasi që ka në fokus fabrikat e llokumeve, një ambient pune që shpesh i ka prodhuar gratë si subjekte margjinale. Ky treg i punës sjell fenomenin kontratave të përkohshme, orareve të gjata, pagesës së ulët dhe një të ardhme të pasigurt ekonomike. E gjithë kjo e përcjellur me pasoja si lëndime trupore në punë dhe shkelje të drejtave të punëtorëve në mungesë të sigurimit shëndetësor dhe benefiteve tjera. Sidoqoftë, projekti nuk ndalet këtu, por përmes prezantimit në Bienalen e Venedikut mëton të komunikojë më gjerë dhe me kontekste tjera në botë ku këto dinamika ekonomike janë të pranishme. Çfarë po trajtojmë, aq sa është specifike për kontekstin tonë, ka edhe dimensionin e saj gjenerativ që krijon platformë për të diskutuar çështjen e punës së feminizuar anembanë botës.
Nacionale: A mendoni që ka diçka si art kombëtar? Apo i gjithë arti është universal?
Doruntina Kastrati: Është e vështirë të thuhet, veçanërisht kur Bienalja e Venecias fokusohet kryesisht në përfaqësimin kombëtar. Duke qenë nga Kosova, jam tepër e vetëdijshme se çfarë do të thotë koncepti i kombit dhe kombësisë, dhe ky kuptim vjen nga një moment shumë mirë i informuar – lufta çlirimtare e vitit 1999. Angazhimi në prodhimin e artit ndonjëherë na vë në një pozicion ku ne i riprodhojmë idetë e kombit. Shoqëritë në të cilat jetojmë dhe vlerat që e formojnë atë priren të krijojnë kuptimësi dhe kontekst për disa koncepte artistike dhe jo për të tjerat, dhe ndonjëherë ky është i vetmi kontekst që një vepër arti mund të zbarkojë dhe të marrë një kuptim. Por ky diskutim është shumë i rrëshqitshëm për të provuar ta trajtoj tutje.
Si artiste, përpiqem të vë në përdorim një gjuhë që i kapërcen kufijtë gjeografik dhe politik. Kjo më ka ndihmuar të tejkaloj pengesat si grua artiste dhe të ndërveproj me skena artistike që ishin më akomoduese për punën time. Mënjanimi i grave në botën e artit është ende një çështje madhore që po trajtohet gjerësisht dhe këto diskutime po vëjnë në pikëpyetje mënyrën se si janë shkruar historitë e artit dhe si janë prezantuar veprat e artit në ekspozita. Traditat dhe historitë e artit, kombëtare apo të menduara si universale, nuk arritën të njohin trashëgiminë e grave në art. Puna që bëj, në nivel lokal apo ndërkombëtar, është gjithmonë ndërhyrje në këto botëra të artit, sepse gjithnjë duhet të krijoj një hapësirë për veten, një hapësirë e cila nuk është e mirëqenë, por më është dashur ta gdhendi me shumë mund.
Tradita artistike e Kosovës është e lidhur me modernizmin socialist dhe ngjarjet politike pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo traditë përqendrohet kryesisht rreth piktorëve dhe skulptorëve ekspresionistë dhe abstraktë meshkuj. Arti i tyre konsiderohet se ka krijuar një gjuhë vizuale që ka përcaktuar traditën e artit vendas dhe në njëfarë mase atë të kombit. Por ne i shohim kudo këto rrëfime të artit me meshkujt artistë në qendër, kështu që nuk do të ndalem në të sepse nuk është një tipar shumë i veçantë i Kosovës.
Nacionale: Çfarë roli ka arti dhe artistët në përfaqësimin e Kosovës jasht vendit?
Erëmirë Krasniqi: Kosova është shtet në bërje dhe ende e ka shumë të rëndësishme mënyrën se si thuren narrativat në sferën ndërkombëtare. Për një kohë të gjatë lufta ka qenë konteksti bazë mbi të cilin çdo sqarim kontekstual mbi Kosovën është ndërtuar, dhe ky kontekst nuk ka qenë shumë i hapur, dhe ka pamundësuar të krijohen edhe referenca dhe ngjyrime tjera kulturore. Shpesh ky kontekst ka ditur të jetë edhe reduktues pasi që sillte në vëmendje vetëm një moment historik dhe dështonte të fliste për të sotmen dhe mënyrën se si dolëm nga përvoja e luftës. Artistët përmes punës së tyre duke reflektuar mbi realitetin bashkëkohor të Kosovës kanë mundësi të lëvizin nga narrativa e luftës, gjithnjë duke nderuar dhe njohur rëndësinë e kësaj përvoje, por edhe të kontribuojnë në perceptime të reja përmes kulturës dhe artit pamor që e prezanton vendin jashtë kufijve të tij.
Nacionale: Kur Bienalja të ketë përfunduar, çfarë shpresoni të ketë mbetë nga puna juja në këtë edicion?
Doruntina Kastrati: Shpresoj që arti im të ketë pasur një rezonancë emocionale, të ketë provokuar mendime, të ketë informuar dhe të ketë ngritur pyetje dhe inkurajuar dialogje mes shikuesve. Shpresoj që ambienti që kam krijuar të ofroj një eksperiencë dhe moment vizuel në të cilin gjithmonë do të mund të kthehen dhe strehohen ata që reflektojnë mbi tematikën e tëhuajsimit të atë të punës së feminizuar kudo nëpër botë.