Gjendje kaotike në sektorin e çimentos, prodhuesit e betonit me letër urgjente për institucionet - NACIONALE

Gjendje kaotike në sektorin e çimentos, prodhuesit e betonit me letër urgjente për institucionet

1 javë më parë

nga NACIONALE

Nga 90 në 150 euro për një ton çimento po detyrohen t'i paguajnë prodhuesit e betonit në Kosovë. Gjendja kaotike e shkaktuar në këtë sektor ka bërë që disa kompani prodhuese të betonit t’u drejtohen me letër institucioneve të shtetit. Letrën e ka siguruar gazeta Nacinale.

Letra e prodhuesve të betonit në Kosovë është adresuar për Zyrën e Kryeministrit dhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Në letrën që e ka siguruar gazeta Nacionale thuhet se puna e tyre është bërë e papërballueshme si pasojë e rritjes së çmimeve të çimentos.

Ndryshimet në vitin aktual janë të papërballueshme për mbarëvajtjen e procesit të punëve tona si prodhues, dhe gjithë sektorit të ndërtimtarisë. Kjo pasi që nga janari që ishte çmimi 90 euro për ton, në këtë moment ka arritur deri në 150 euro për ton”, thuhet në letrën e prodhuesve të betonit.

Konsumi vjetor i çimentos arrin në rreth 1.2 milion euro dhe prejardhja është kryesisht nga "Sharrcem"-i, Fushë-Kruja e Shkupi.

Pronarët e fabrikave të betonit kanë vlerësuar se, në këtë formë, atyre po u shkaktohen humbje të mëdha.

“1.2 milionë tonë me ndryshim në çmim prej 60 euro për ton, 72 milionë euro ndryshim që konsiderojmë se i fitojnë prodhuesit e cementit dhe tregtarët e cementit në dëm të prodhuesve të betonit dhe sektorit të ndërtimtarisë. Poashtu, marrë parasysh që kemi kontrata të mëhershme për furnizim me beton me çmime të volitshme, kjo po bëhet e papërballueshme dhe do të na shkaktojë humbje”, thuhet më tutje në letër.

Pronarët e këtyre fabrikave kanë kërkuar hetime nga Autoriteti i Konkurencës, pasi dyshojnë se rritja e çmimeve është bërë në mënyrë të organizuar.

“Kërkojmë nga Autoriteti i Konkurencës që ta hetojë këtë dukuri pasi që sipas informacioneve që kemi ne si tregtar, fabrikat e cementit në vendet e origjinës nuk i kanë ngriut çmimet por ngritja e çmimeve është duke ndodhur vetëm në Kosovë”, përfundon letra, duke kërkuar veprime të menjëhershme nga institucionet.

Letra është nënshkruar nga tre prodhues: Muhamet Sinani, Mensur Hasani dhe Ramadan Salihu.

Pak investime kapitale edhe nga qeveria

Rritja e çmimeve në sektorin e ndërtimtarisë, shpesh është vlerësuar si arsye pse Qeveria e Kosovës ka dështuar në investime kapitale. Sipas të dhënave nga Instituti GAP, Kosova ka më së paku investime kapitale në dekadën e fundit.

Përfaqësuesit e partive politike opozitë dhe ekonomistët kanë kritikuar qeverinë për shkatërrim të ekonomisë së vendit.

Mungesën e investimeve kapitale në këtë qeveria, ata e kanë quajtur fukarallëku mendor të Qeverisë, e cila, sipas tyre, po prodhon tkurrje kolektive të gjithë shoqërinë kosovare.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se kjo çka po bën Qeveria është keqmenaxhim i parasë publike

“Në numra dhe me pamje grafike, këtë paralajmërim e faktoj Instituti GAP, me përqindjen e frikshme të realizimit të investimeve kapitale në 6 mujorin e parë të vitit 2022: vetëm 9%. Të marrësh taksa dhe kontribute tjera nga qytetarët dhe bizneset, dhe të njëjtat t’i mos i shpenzosh fare, në dobi të qytetarëve dhe bizneseve, është keqmenaxhim me paranë publike, në radhë të parë. Keqmenaxhim i parasë publike është edhe kur kjo para shkon në destinim të gabuar (rastet korruptive dhe klienteliste, edhe në rastet kur nuk ka destinim fare, siç po ndodh tani”, kishte shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Çmimet e banesave

Pas rritjes së çmimeve në sektorin e ndërtimtarisë, janë rritur dukshëm edhe çmimet e banesave.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kostoja e ndërtimit në Kosovë ka shënuar rritje për 16 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2021, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.

Sipas ASK-së, materialet ndërtimore janë shtrenjtuar për mbi 20 për qind, çka ka bërë që të rritën edhe çmimet.

Kosova është vendi me popullsinë më të re në Evropë, dhe kjo bën që shumica e kësaj rinie të jetë në kërkim të ndonjë strehe të përhershme për të krijuar familjet e tyre të reja: blerje banese apo ndërtim shtëpie.

Lajme të ngjashme