"Shpëtuam prej drenicakëve, ama Gjakova po zbrazet" - çka flitet në autobusët Prishtinë-Gjakovë - NACIONALE

"Shpëtuam prej drenicakëve, ama Gjakova po zbrazet" - çka flitet në autobusët Prishtinë-Gjakovë

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Mes historive personale që njerëzit i tregojnë njëri-tjetrit dhe të tjerëve që dëgjojnë muzikë me kufjet e tyre ose thjesht janë të fokusuar 100% në telefona, udhëtarët në linjat e autobusëve për Gjakovë, për dallim prej linjave të tjera, kanë njëfar rregullsie.

Jena ma zotnishe”, më thotë një konduktor i një prej kompanive që udhëtojë shpesh me të.

Të vëzhgosh se çka flasin njerëzit nëpër autobusë është një punë paksa e mërzitshme sepse pakkush flet. Por kur vendos të hysh në muhabet dhe të pyesësh si gazetar, dalin turli llafesh. Politika dhe kriza ekonomike janë kryefjala e muhabeteve.

Gjakovarët të njohur edhe për humor të mirë dhe mbi të gjitha për “foret me ta” e kanë një sens interesant të llafit. Interesante mbesin pyetjet “tipike gjakovarqe” për pagën që merr, sa e paguan banesen e deri tek “mburrja” e prindërve gjakovar me suksesin e fëmijëve të tyre në Prishtinë. Por të gjitha këto më tingëllonin si “stereotipe” ndaj gjakovarëve.

Kështu që kur vendosa të shkruaj për llafet që fliten nëpër autobusët e linjave të ndryshme nëpër Kosovë, e sidomos kur më bie të udhëtoj me autobusë të linjës Prishtinë-Gjakovë, kam tentuar që të mos përdorja stereotipet e zakonshme kur përshkruhen qytetarët e rajoneve të ndryshme në Kosovë. Por shumë gjakovarë që kam folur, nuk kanë kursyer termet pezhorative sidomos kur iu kërkohet që të flasin për vetën në raport me të tjerët.

“Kuleta e shtetit në xhep të gjakovarëve”

Kësisoj me shumë prej udhëtarëve që më ka rënë të ulem e të flas, në dy-tre linja të ndryshme të autobusëve për Gjakovë, ata e kanë qasje lokaliste. Për shembull kur i pyetë për politikë, më saktësisht në pyetjen “se cili është ministri ose minsitrja më e mirë e Qeverisë Kurti”, të gjithë, ama të gjithë janë përgjigjur me “Artanja dhe Arbrija”.

Llafi ësht për ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli dhe ministren e Arsimit dhe Shkencës Arbërie Nagavci. Kur i pyet për arsyet, disa prej tyre përgjigjen me humor “janë gjakovare mer”.

Të tjerët japin arsye që lidhen me një far ideje ose miti urban se “gjakovarët janë njerëz që kursejnë” duke e portetizuar minsitren e Ekonomisë si një “gjakovare që mund ta ngjallë ekonominë”.

Unë gjithë kam thënë se kuleta e shtetit duhet t’i lihet gjakovarëve”, thotë Agimi një 50 vjeçar, që thotë se është gjakovar i moçëm, teksa menjëherë ankohet se “krizë”. Kur e pyes - me humor normalisht - pse ende kemi krizë ani pse Gjakova e ka kuletën, ai ka një arsyetim.

Ka ardhë në kohë të keqe në kohë krize. Plus që e kanë lanë këtë shtet shumë keq. Për 20 vite drenicakt e kanë pas shtetin, na pshtum prej tyre ama jo prej krizës”, thotë ai.

Në fakt temat për politike dhe mburrjen se gjakovarët janë njerëz të zot në qeverisjen e shtetit nuk janë të zakonshme e as interesante për të rinjt që kam takuar në autobusët e mbushur më gjakovarë. Për ata që janë mbi 50 vjeç, kjo është tema kryesore.

“Autobusi i Gjakovës si akademi”

Një tjetër gjakovar rreth të 60-ve me emrin Abedin që e takova në një ditë të fundit të Qershorit, më bëri përshtypje për një gjë. Ishte duke lexuar libër.

Në 4 muajt që kam udhëtuar me autobusë, shumë rralë, jashtëzakonisht rrallë më ka rënë të shoh njerëz që lexojnë libra gjatë udhëtimit. Shumica dëgjojnë muzikë me kufjet e tyre ose thjesht rrinë në telefon.

Normal që sheh duke lexu në autobusat e Gjakovës, se gjakovarët kanë traditë të lashtë në fushën intelektuale. Autobusi i Gjakovës është si akademi”, thotë Abedini, i cili më pas menjëher më pyet “se i kahit jam?”.

Kur i tregoj se jam drenicak, nisin menjëherë reagimet me shumë “fore gjakovarësh me drenicak”. Me shumicën nuk më qeshet, janë të dëgjuara aq shumë, por kjo prej tyre merret si “inati që e kam për shkak të prejardhjes”. Kështu që vendosi të fokusohem tek llafet e më të rinjë. Ata kanë tjera halle.

“Gjakova po zbrazet”

Andi është 24 vjeçar. Studion në Fakultetin e Inxhinerisë në Prishtinë. I bie të udhëtoj shpesh me autobusë. Thotë se viteve të fundit është duke menduar seriozisht që të zhvendoset në Prishtinë.

Veç një punë po e pres me u pranu”, thotë ai. Për të, dhe shoqërinë e gjeneratës së tij, Gjakova është shndërruar në një qytet në të cilin nuk ndodhë pothuasje asgjë.

Edhe qato kafet në Qarshi që kanë qenë dikur plot tash nuk e gjen kërkon”, thotë ai.

Një tjetër udhëtarë, kur dëgjon këtë muhabet menjëherë ndërhynë.

Nuk kanë faj rinia që ikin, sen ska met në Gjakovë”, thotë ndërhyrësi. Andi nuk dëshiron të argumentojë dhe me kaq mbyllet biseda me ta.

Një ditë tjetër, fola me të tjerë të rinj. Edhe ata e kanë shqetësimin e njejtë. Nuk ka jetë për të rinjt në Gjakovë.

Për këtë arsye, edhe shumica e të rinjëve gjakovarë duan me gjet një punë në Prishtinë”, thotë Albulena një 23 vjeçare studente në Prishtinë.

Sipas saj, dhe të tjerëve që kam folur, mentaliteti dhe papunësia janë dy faktorë pse të rinjt nuk duan të jetojnë dhe nuk e shohin Gjakovën si vendbanim.

Unë veç shkaku i familjes, me i pa, kthehna në Gjakovë, se ndryshe s’kam pse”, thotë Albulena teksa autobusi tashmë ka arritur në Gjakovë. Ndërsa unë duhet të kthehem sërish në Drenicë. Aty ku shumica po emigrojnë në Fushë Kosovë.

Lajme të ngjashme