“Kriza e naftës” - Nacionale flet me qytetarët që po i lënë veturat në shtëpi e po udhëtojnë me autobus - NACIONALE

“Kriza e naftës” - Nacionale flet me qytetarët që po i lënë veturat në shtëpi e po udhëtojnë me autobus

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Ka 4 muaj që udhëtoj me autobus. Fakti që jetoj në një fshat në mes të Kosovës më jep mundësi që të ndërrojë linjat e autobusëve. Në secilin prej tyre, ka dy muaj që është dyfishuar numri i udhëtarëve. Duke qenë se udhëtarët tradicional tashmë i njoh si figura, vendosa të flas me udhëtarët e rinj. Ata që kanë vetura, por që duhet t’i lënë në shtëpi, sepse nafta është “çmendur”.

Lufto rusi në Ukrianë na në Kosovë guxhë në autobusa”, thotë Blediani nga Rahoveci teksa i përgjigjet thirrjes së konduktorit të autobusit “hajde shtynu pak” me qëllim që t’i fusë edhe 4-5 udhëtarë të tjerë. Vend nuk ka, por as udhëtarët nuk lihen në stacione.

Është mëngjesi i 2 korrikut dhe linja e autobusit “Rahovec-Malishevë-Prishtinë” është i stërmbushur me njerëz. Nuk ka karrika të lira e as vend për të qëndruar në këmbë. Por ka shumë udhëtarë të cilët presin në stacionet e gati secilit fshat.

“Njejtë është gjithkah. Prej Rahovecit e deri në Prishtinë në krejt katunet janë shtu njerëzit që udhëtojnë me autobus”, thotë konduktori i autobusit.

Kjo nuk do fakte shtesë për t’u argumentuar. Prej marsit që udhëtoj me autobus, qershori dhe korriku kanë shënuar një rritje enorme të numrit të udhëtarëve në autobus. Për mua kjo nuk është aspak e mirëseardhur, por përtej faktit që më duhet të qëndrojë shpeshherë në këmbë, është më e rëndësishme sesi njerëzit po i lënë makinat në shtëpi e po udhëtojnë me autobus. Për disa është “gazep i madh” ky kalim nga vetura në autobus, e për disa është një “befasi e mirë” ky ndërrim. Për gjatë këtyre muajve kam folur me shumë qytetarë të cilët për arsye të krizës e kanë ndërruar mënyrën e udhëtimit.

Nga autobusi në Golf - tash sërish në autobus

Ariani është student në njërin nga universitetet private që ka bazën në Fushë Kosovë. është në vit të fundit të studimeve. Qe 2 vjet është i punësuar dhe ka nja 10 muaj që ka arritur disi të blejë një veturë. Por nuk i ka rënë edhe shumë ta vozisë.

Me të kallxu drejt ja nisa me u rehatu me kerr. Kam udhëtu me autobus për vite të tana mu pat bo shumë bajat”, thotë ai. Por rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës ka ndikuar që ai të rikthehet sërish në formën e vjetër të udhëtimit.

Në fillim pak zor më vike. Në javët e fundit të majit, herë visha me bus e herë me kerr, ama dikur shpenzimet u dyfishun edhe kerrin u desht me lon në shtëpi. Prej qershorit çdo ditë me autobus”, thotë ai. Shoku dhe bashkëvendasi i tij, Bledari nuk ka veturë, por falë shokut të tij edhe ai kishte kohë që udhëtonte me veturë.

Tash sërish i është kthyer autobusit.

Nuk ka shanse me gjet vend vend të lirë asnjë ditë”, thotë ai. Para disa muajsh, e hëna dhe e premtja kanë qenë ditët kur nuk ke mundur të gjesh vend të lirë në autobus, ndërsa tash, kjo situatë po përsëritet gati çdo ditë.

Autobusat e Pejës e Gjakovës mbushen në stacion

Deri në mars, nëse ke qenë duke pritur stacion të autobusëve përgjatë autostradës, për shembull në ndonjë stacion në Kijevë, Orllat ose Komoran, gjasat që ndonjë autobus i Pejës ose Gjakovës të ndalenn për të marë udhëtarë kanë qenë të mëdha. Që nga marsi, asnjë nga këta autobusë më nuk ndalen nëpër stacionet tjjera të rrugës.

Veç nëse je për Pejë, ndryshe ska”, thonë konduktorët e autobusave të Pejës.

“Mos ma merr për të keq ama spo kem llogari”, shtojnë ata. Me të drejtë. Një biletë Prishtinë-Pejë ose Prishtinë-Gjakovë kushton 5euro. Një biletë e imja deri në Orllat është 1.5 deri 2 euro.

“Pse me të marrë ty kur i hupi 3 euro”, më thotë një konduktorë i linjës së autobusit “Prishtinë - Gjakovë”. Qeshem me këtë pretendim të drejtë. Refuzimi i tij është i drejtë, dhe meqënse kam zgjidhje të tjera vazhdoj në autobusë të tjerë. Edhe linjat e tjera të autobusëve për Prizren, Istog, Suharekë, Skenderaj, Ferizaj e Mitrovicë janë plot.

Kombibusët e Vushtrisë e Mitrovicës më nuk presin

Për shumë vite ka qenë e famshme thënia “hajde për Vushtrri hajde për Mitrovicë edhe njo edhe u nisëm”, por këtë vit, 2022-ta duket se përfundimisht e ka hequr nga përdorimi këtë thënie. Dy linjat e udhëtimit të cilat pëpos autobusëve kanë pasur edhe kombibusët si formë alternative. Shumë prej tyre funksionojnë ilegalisht. Por për vite të tëra këta kombibus janë përballur me ulje të numrit të udhëtarëve.

"Është dashtë me shpikë turli far thënie pak ma kreative me humor që me e mbush kombin”, thotë Avniu, shofer i një kombibusi për Vushtrri dhe Mitrovicë.

Tash nuk po kam nevojë as më prit ma shumë se 20 minuta”, shton ai teksa tregon se para muajit Maj është dashur të pres deri në 1 orë që t’i mbushet kombibusi me udhëtarë.

“Disa mujn me than që kjo krizë është e mirë për mu, për neve që punojmë me kombi, ama kjo nuk është bash qashtu. Se edhe neve na janë rrit çmimet edhe na udhëtojmë me naftë ama çmimet s’po mujna me i rrit bash qashtu shumë, kështu që fitimi pak e hiq”, thotë Avniu rreth të 50-ve.

Mos të harrojmë që edhe unë kam shpenzime. 4 fëmijë duhet me i mbajt”, shton ai. Për udhëtarët që kanë pasur rehatinë e të udhëtuarit më shpejt dhe me më pak njerëz sesa në autobusë, ky shtim i udhëtarëve është lajm i keq.

“Me të kallxu drejt, tash që është edhe vera, tepër era njers po vjen”, thotë Aida një 26 vjeçare nga Vushtrria, teksa shpjegon sesi kombibusët po stërmbushin mjetet e tyre me udhëtar. “Jo era njers po era shtet”, ia kthen një shofer kombibusi duke shkaktuar të qeshura të mëdha tek udhëtarët.

Lajme të ngjashme