Pas raportimit të Nacionales për TV’të më të shikuara në vend, shpërtheu rivaliteti në mes tyre - NACIONALE

Pas raportimit të Nacionales për TV’të më të shikuara në vend, shpërtheu rivaliteti në mes tyre

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Të mërkurën e 6 korrikut, Gazeta Nacionale, publikoi disa matje që tregonin shikueshmërinë në televizionet kosovare. Matjet ishin bërë përgjatë një harku kohor prej 41 ditësh e në të cilat kallëzohej se cilat televizione ishin të preferuarat e teleshikuesve kosovarë. Por menjëherë pas matjeve që publikoi Nacionale, televizionet kosovare nisën me ‘matjet’ e tyre. Secila gjenin matje ku në krye te listës, ose aty afër, qëndronte televizioni ku shërbenin.

Të mbesim edhe pak tek çështja, matjet që Nacionale i publikoi e që ngjallën debat mes komunitetit medial e më gjerë.

Matjet ishin bërë nga data 15 maj (e diele) e deri më 21 qershor (e martë) dhe përfshinin 24 orët e një televizioni, dhe jo vetëm kohën prime (prime time) që zakonisht definohet mes orës 20:00 dhe 23:00. Të dhënat i takojnë njërit prej operatorëve më të fuqishëm kabllorë në vend.

Sipas po të njëjtave matje, Klan Kosova është televizioni më i shikuar në vend duke u renditur i pari për të gjitha ditët sa u bënë matjet dhe duke i marrë 205 pikë në sistemin e poentimit të Nacionales që numëronte pesë pozitat e para nga 1 (vendi i pestë) e deri në 5 pikë (vendi i parë).

Sa i përket vendit të dytë, përsëri kishim një televizion që veçohet. Bëhet fjalë për RTV Dukagjinin, që megjithëse në ditë të caktuara luhatej nga pozita në pozitë ishte në vend të dytë me 113 pikë.

Vendi i tretë i takonte RTV 21-shit me 104 pikë, që shumë shpesh doli edhe në vend të dytë por që në ditë të caktuara edhe binte krejtësisht jashtë top-5shes.

Televizioni publik (RTK) mund të ketë një bord të ri dhe buxhet mbi 10 milionë euro por në renditje qëndronte shumë më poshtë sa i përket shikueshmërisë, me vetëm 58 pikë të fituara nga Top-5.

'Shpërthen’ rivaliteti mes TV-ve kosovare

Drejtori i Klan Kosovës, Adriatik Kelmëndi thekson se pa dyshim mediumi që ai e udhëheq zë vendin e parë për nga shikueshmëria.

“Klan Kosova i merr të dhënat e shikueshmërisë në baza të përditshme, për çdo emision dhe orë të ditës. Ne nuk kemi bërë asnjëherë tabela ku publikisht kemi dhënë shikueshmërinë e televizioneve vetëm për shkak të korrektësisë ndaj mediave të tjera. Dhe sërish nuk e shoh etike të tregoj se kush del të jetë televizioni i dytë, i tretë e kështu me radhë”, shkruan në reagimin e dytë Kelmendi për matjet e shikueshmërisë.

E në postimin e tij të parë, të bërë dje, pas publikimit të matjeve nga Nacionale, Kelmendi shkroi:

“Një ndër betejat më interesante në Kosovë është se cili televizion është në vendin e dytë. Nënkuptohet, vendi i parë është larg i pakontestueshëm. Faleminderit për mirëkuptimin”, shkroi drejtori i Klan Kosovës.

Por siç e thamë, mediat nisën me matje ku tregonin pozicionimin e tyre në vendin e parë.

ATV në matjet e tyre renditet e para me shikueshmëri.

“Diferencë e madhe! Faleminderit!”, po thekson drejtori i ATV-së, Arbër Geci.

Për besueshmërinë, po lavdërohen edhe nga mediumi publik-RTK. Në matjet e këtyre të fundit, RTK llogaritet si mediumi i parë me besueshmërinë më të madhe në Kosovë. Të pakten, kështu po shkruan drejtori gjeneral, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Ani se në matjet që i publikoi Nacionale, RTK-ja në 14 nga 41 ditët e numëruara, nuk ishte fare në mesin e pesë televizioneve më të shikuara në vend.

Në matjet e Nacionales, menjëherë pas RTK-së ishte KTV-ja e Grupit Koha me një pikë më pak (57).

Jashtë top-5shes janë televizionet si Alsat M me 51 pikë, dhe televizionet Kanal10 e ATV me nga 7 pikë.

Nuk ka të dhëna sa i përket orëve gjatë ditës se kur kanë pasur shikueshmërinë më të lartë këto televizione./Nacinale.com/

Këtu e gjeni të plotë raportimin e Nacionales.

Lajme të ngjashme