Fonde për t'i paguar mësimdhënësit, kriza e re që po jetësohet në Kosovë - NACIONALE

Fonde për t'i paguar mësimdhënësit, kriza e re që po jetësohet në Kosovë

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Nxënësit kosovarë u janë kthyer bankave shkollore të hënen e 3 tetorit ku edhe zyrtarisht ka nisur viti i ri shkollor në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar në Kosovë. Fillimi i mësimit ka ndodhur me një vonesë prej pesë javësh, si rezultat i një greve të mësimdhënësve, e cila është pezulluar më 1 tetor, deri në janar. E me t’u përfunduar muaji shtator, mijëra punëtorëve të sektorit publik e privat, në xhirollogaritë e tyre u kanë dalë pagat. Por fat të njejtë nuk ka në pasur edhe qindra punonjës të arsimit.

Mësuesit, edhe katër ditë pas fillimit të mujit tetor, vazhdojnë të mos kenë pagë për muajin shtator.

E është dikush që tashmë po solidarizohet me mësimdhënësit kosovarë.

Këshilli i Prindërve të Kosovës, ka paralajmëruar se do të organizohen për të mbledhur fonde për mësimdhënësit nëse Qeveria Kurti nuk i ekzekuton pagat për ta.

Në njoftimin e tyre, thuhet se mbledhja e fondeve do të bëhet në çdo shkollë.

SOLIDARITET! Nëse mësimdhënësve nuk iu jepen pagat e muajit shtator, ne prindërit duhet të organizohemi në çdo shkollë për të mbledhur fonde solidariteti për t’i ndihmuar financiarisht mësimdhënësit. Revoltën e kishim për të hapur çerdhet e shkollat por asnjëherë për t’i poshtëruar mësimdhënësit!”, thuhet në reagimin që ky Këshill e ka publikuar të martën.

E reflektim të qeveritarëve nga SBASHK-u thonë se do të presin deri më 5 tetor. Në një deklaratë për Nacionalen, kreu i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj shprehet i befasuar me atë që po ndodhte.

“Procesi mësimor ka filluar, por për momentin e keqja më e madhe është se qeveria nuk ka alokuar pagat për shtatorin për sistemin arsimor, përderisa ka alokuar pagat për shërbyesit civilë, me të cilët ishim bashkë në grevë. Ne do të presim deri me 5 tetor, kur është edhe kufiri ligjor që duhet të bëhet bartja e pagave. Nësë kjo nuk bëhet, atëherë shihet qartë se është edhe një përpjekje e qeverisë për të krijuar situata të pakëndshme. Nësë ndodhë kjo ne e shohim si sulm ndaj nesh.Me këtë veprim joligjor qeveria sikur po thotë që paska pasur dëshirë që greva të vazhdojë,” – u shpreh ai.

Por jo të gjithë deputetët e pozitës kanë mendim të njejtë me kreun e Qeverisë, Albin Kurtin e ministrin e Financave Hekuran Muratin sa I përket (mos) eksekutimit të pagave për mësimdhënësit.

Kurtit e Muratit për mësuesit i dalin kundër edhe nga partia

Dy deputetë të Listës Guxo, Jeta Statovci e Haxhi Avdyli veçse kanë dalë kundër qeverisë sa i përket kësaj çështje.

Fillimisht, Statovci përmes rrjetit social "Facebook" tha se si partnerë në qeverisje me VV-në i bashkon vizioni i njëjtë që kanë, pra ai që shtetit tonë t'i japin të mbarën dhe shpresën për një të ardhme dhe jetë më të mirë, porse është kundër faktit që mos t'u lëshohen pagat mësimdhënësve.

"Sa i përket grevës së sindikalistëve, më vjen mirë që më në fund nxënësit i jane kthyer bankave shkollore. Por, nuk mund të pajtohem me mos ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit për muajin shtator.Pavarësisht se a ishin të drejta kërkesat e tyre dhe bllokada që ata krijuan, atyre duhet t'u ekzekutohet paga, sidomos kur jemi në një situatë ku shumë familje përballen me rritje të çmimeve dhe po i afrohemi dimrit të ashpër", shkroi ndër të tjerash ajo.

Edhe bashkëpartiaku i Statovcit, Haxhi Avdyli thotë se qëndron në të njëjtën linjë me kryetaren e degës së GUXO-s në Prishtinë.

"Edhe unë si deputet i Kuvendit të Kosovës nga Partia Guxo , pjesë e grupit parlamentar të VV- së, pajtohem me konstatimin e koleges Jeta Statovci që duhet të kryhen pagesat e pagave të mësimdhënësve grevist.Greva shihet që ka pasur prapavijë politike, ku udheheqësit të SBASHK-ut devijuan tërësisht nga idetë sindikale. Por përkundër kesaj prapë mendoj që pagat duhet të paguhen", shkroi ai mes të tjerash.

Ligji

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Mifataraj, është shprehur se Qeveria po vepron në kundërshtim me ligjin shkaku i kësaj çështjeje.

“Secili grevist që paraqet Padi në gjykatë, përveç pagës, pastaj do të kompensohet edhe me shpenzimet e avokatit dhe kamatën ligjore. Me fjalë tjera, nga një pagë që mund të jetë 480 euro, shteti do të paguajë diku 1500 euro. Në fund, faturën e paguan taksapaguesi.” – u shpreh ai.

Greva u pezullua deri në janar

Greva në sektorin publik të Kosovës është pezulluar deri në janar të vitit 2023, bënë të ditur gjatë vikendit përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Greva në arsim dhe në administratën publike në nivelin lokal dhe qendror, nisi më 25 gusht.

Sindikalistët kërkuan nga 100 euro për punëtor për çdo muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për paga.

Por, Qeveria publikoi një pako për ndihmë për shkak të rritjes së inflacionit dhe në të u parapa 50 euro për të gjithë punëtorët e sektorit publik.

Qeveria së fundmi ka hartuar Projektligjin për paga dhe i njëjti është në procedura të konsultimeve publike. Ai më pas duhet të miratohet në Qeveri dhe Kuvend, e më pas të publikohet në Gazetën Zyrtare. Tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare, legjislacioni ky legjislacion pritet të hyjë në fuqi.

Lajme të ngjashme