Godeni: Shkolla e ‘Ahtisaarit’ në Gjakovë me vetëm katër nxënës, një motër e tre vëllezër - NACIONALE

Godeni: Shkolla e ‘Ahtisaarit’ në Gjakovë me vetëm katër nxënës, një motër e tre vëllezër

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

“Një shkollë për një familje.” Kjo është përshtypja e parë që të jepet porsa hyn në shkollën “Malush Stavileci”, të fshatit Goden të Gjakovës. Aty në dy nga katër klasat, i sheh veç katër nxënës. Janë këta katër fëmijët e familjes Morina të këtij fshati. Motra me tre vëllëzërit vijojnë mësimet të vetëm, pa bashkëmoshatarë, në këtë shkollë. Nacionale ju sjell rrëfimin prej Godenit të Hasit të Gjakovës.

“Zilja po bie”. Rreshti i nxënësve për t’u futur në klasë, ka kohë që s’është bërë. Jo se kjo shkollë nuk ka klasa, por se këtu mungon thelbësorja - ajo për çka është ndërtuar - NXËNËSIT.

Një klasë, një bankë, e me një nxënës nëntëvjeçar të cilin e mëson një mësues, ishte fotografia fillestare që e pamë kur u futëm në klasën e parë të shkollës “Malush Stavileci”, në fshatin Goden të komunës së Gjakovës.

Vullnetarë në orën e mësuesit që ligjëron aty, Teki Dërvishaj, ka kohë që nuk ka.

Mësues Tekiu edhe një vit del në pension, e jetë më të gjatë, vështirë se mund të ketë kjo shkollë.

“Unë kam fillu punën këtu që nga viti 1979, me mësim klasor. Që 42 vjet jam mësues. Për momentin e kam një nxënës duke i dhënë mësim. T’ju them të drejtën, pak është vështirë, si për mësimdhënie, ashtu dhe për mësimnxënie”, thotë mësuesi.

Me nostalgji kujton ditët kur para tij gjendeshin dhjetëra nxënës në klasën ku ligjëronte.

“Shumë… i kam pasë deri në 35 nxënës në klasë. Ishte lezet edhe me dhanë mësim.”

Nxënësi i vetëm që do ta përcjellë mësuesin Teki për në pension

Rrezoni, nëntëvjeçari i cili vijon mësimet i vetëm në klasë me mësuesin Teki, do ta ketë fatin që mësuesit të tij t’i urojë pensionim e pleqëri të mbarë.

“Gjithë ditën jam me mësuesin. Më mëson shumë gjëra të reja. Lexoj e shkruaj shumë mirë”, thotë Rrezoni duke iu shmangur pyetjes se a do t’i mungojë mësuesi.

“Është i shkëlqyeshëm”, vazhdon biseda e mësuesit Teki, i cili shpjegon profilin e Rrezonit të vogël.

Por, ndoshta mësuesi Teki para pensionimit, do të donte të shihte diçka në këtë shkollë. Dëshirën e tij të madhe.

“Zhurmat e nxënësve, hapat në korridor gjatë pushimit të gjatë, vullnetarët nëpër orë, zilja e mësimit, të gjitha këto më mungojnë shumë. Besa edhe mbledhjet e prindërve, më mungojnë.”

Pse shkuam në Goden, saktësisht te kjo shkollë?

Nga Prishtina, ekipi i Nacionales u nis rreth orës 09:00 të mëngjesit të së enjtës. Destinacioni ishte një kodër në Has të Gjakovës, saktësisht fshati Goden, fshat kufitar ky me Shqipërinë.

Si shpeshherë në të tilla destinacione, ndihmesë e madhe për ne janë banorët e zonave përreth, të cilët na orientojnë për vendin që ne e kërkuam.

“Ahh, në Goden, për shkollën po shkoni a?”, kështu na tha një qytetar qysh në hyrje të Gjakovës, i cili na orientoi rreth Godenit. Pra, në gjithë Gjakovën si karakteristikë e këtij fshati ishte shkolla shekullore “Malush Stavileci”.

Pas pak më shumë se dy orësh, mbërritëm në Goden.

Në kodër të fshatit gjendet shkolla “Malush Stavileci”. Shkollë kjo njëkatëshe. Nën shoqërimin e drejtorit e të mësuesit aty, futemi brenda hapësirave të saj.

Gjithçka aty, ishte e qetë.

Trokasin në njërën prej katër klasave. Mësuesja Lindita Rudi nga brenda na e dha lejen për të hyrë.

“Urdhëroni”, tha mësuesja e fizikës dhe e matematikës.

Përpara saj gjendeshin tri tavolina. Në to ishin ulur një vajzë e tre djem.

“Miiiii-rë-diiii-taaa”, duke u ngitur në këmbë, na urojnë mirëseardhjen.

Tre vëllezër e një motër, të vetmit nxënës në këtë shkollë

“Janë shumë të zgjuar. Shumë të pastër e kërkues”, kështu i përshkroi mësuesja tre fëmijët e familjes Morina, të cilëve po u jepte mësim të enjten.

Dy prej nxënësve janë në klasën e tetë, e njëri në klasën e gjashtë. Mësimi – siç mund të merret me mend - zhvillohet në klasë të kombinuar.

“Qe 8 vjet punoj këtu. Fillimi me klasë të kombinuara ka qenë i vështirë. Por tash jam adaptu. Këta nxënës që i kemi janë të shkëlqyeshëm. Jemi shumë të kënaqur. Kemi bashkëpunim shumë të mirë”, thotë mësuese Lindita.

Edhe mësuese Lindita, njëjtë si mësuesi Teki, e ka një merak.

“Kami mall me i dëgju zhurmat e nxënësve në koridore. Janë simbolike zhurmat e nxënësve”.

Albiona edhe një vit do ta ketë fatin të qëndrojë e vetme me vëllezërit e saj në këtë shkollë.

“Ne prej orës 8:30 vijmë këtu në shkollë ku mësimi vazhdon deri në ora 13:00. Jemi shumë mirë, nuk kemi probleme. Mësojmë qysh mësojnë krejt. Detyrat e shtëpisë i bëjmë ndaras me vëllezërit, edhe pse jemi në një klasë bashkë”, thotë ajo.

Pse kjo shkollë me kaq pak nxënës nuk është mbyllur?

Shkolla “Malush Stavileci” ka status të veçantë. Andaj nuk mund të mbyllet. Qoftë edhe me një nxënës të vetëm ajo duhet të funksionojë, ngase kështu sipas drejtorit të shkollës parashihet në Pakon e Ahtisarit, si shkollë kufitare.

Drejtori Halit Alijaj, na shpjegoi arsyet tjera se përse kjo shkollë nuk mund të mbyllet.

Në vitet e paraluftës aty vijonin mësimin mbi 100 nxënës. dhe mësimi zhvillohej me dy ndërrime. Por, çfarë ballafaqime ka pasur kjo shkollë me dekada, na tregoi drejtori Halit Alijaj.

“Shkolla jonë ka tre faktorë përmes së cilëve është lejuar puna këtu. Është se jemi në pakon e Ahtisarit, sepse jemi shkollë në brez kufitar, sipas pakos duhet të punojmë qoftë edhe me një nxënës. E dyta është lartësia mbidetare mbi 600 metra ku është Godeni dhe e treta është largësia e shkollave tjera që është më shumë se 8 kilometra. Plus, ne jemi shkollë amë dhe e njëjta mundet me u mbyllë vetëm me vendim të Ministrisë së Arismit, jo të komunës”, rrëfen drejtori i shkollës.

E kjo shkollë është afër me pikën kufitare në Qafë Dobrunë, fshati Dobrunë.

Aty për vite të tëra përveç kosovarëve kanë pasur edhe nxënës nga Shqipëria.

“Ne këtu kemi pasur shumë nxënës që kanë ardhë këtu e kanë mësuar. Por edhe ata tash janë shpërngulë dhe nuk kemi më nxënës të asaj ane”, thotë Alija, i cili ka 22 vjet që është drejtor në këtë shkollë.

Ai tutje rrëfen se si në vitin 2004 kjo shkollë kishte afro 40 nxënës.

“Në vitin 2003-2004, kjo shkollë kishte 38 nxënës. Ishte kënaqësi e madhe kur kishim kaq shumë nxënës. Kjo shkollë ka katër klasë mësimi, tri funksionale dhe sallën e arsimtarëve. Për momentin funksionojnë vetëm dy klasë. Kur të mbyllet shkolla, do të mund të gjejmë punë diku tjetër”, thotë drejtori.

Po jetëgjatësia e saj, sipas tij, nuk është e gjatë.

“Pas 5 viteve, nëse vazhdohet me këtë situatë, atëherë këtë shkollë e pret vetëm mbyllja. S’kemi kë ta mësojmë këtu. Nëse veç edhe një nxënës i vetëm vjen, ne e vazhdojmë mësimin”, thotë drejtori.

Por ai krenohet se nxënësit e kësaj shkolle, kur vazhdojnë studimet tutje, janë shumë të suksesshëm.

“Për nxënës është mirë, se u përsëriten gjerat, i kuptojnë më mirë. Për mësues është pak më problem. Por deri më tash ia kemi dalë shumë mirë. Nxënësit tanë kur shkojnë nga këtu në shkollat e Gjakovës, janë shumë të suksesshëm”, përfundon drejtori.

E fshati Goden, rrezikon të mbetet pa asnjë banor. Sipas drejtuesve të fshatit, aty për momentin janë vetëm 5 familje rezidente. Të gjitha shtëpitë tjera aty janë boshatisur ndër vite.

PËRDITËSIM: Burime të Nacionales kanë bërë të ditur se kjo shkollë prej vitit të ardhshëm pritet të mbyllet./GazetaNacionale/

Lajme të ngjashme