Poshtërimi i mësimdhënësve me paga: Situata pas 'provokimit' të Kurtit mund të bëhet e pandreqshme - NACIONALE

Poshtërimi i mësimdhënësve me paga: Situata pas 'provokimit' të Kurtit mund të bëhet e pandreqshme

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pasi shpalli fitoren, Qeveria tashmë po kërkon poshtërimin e mësimdhënësve.

Sindikalistët kërkuan pezullimin e Grevës. Qeveria me eksponentë të saj e përshëndetën këtë vendim. Mësimdhënësit me shumicë (54%) vendosën të pezullonin grevën, duke dëgjuar kërkesën e sindikalistëve. Pagat pritej të ekzekutoheshin. Rrahman Jasharaj kishte humbur ndërsa Albin Kurti kishte fituar, përkundër linçimeve, bullizmit dhe pretendimeve pa asnjë provë. Dhe më e rëndësishmja, përkundër që nuk plotësoi kërkesat e mësimdhënësve. Por, çështja nuk u mbyll me kaq.

Pak njerëz të pushtetit ‘orkestrojnë’ grevën e re?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duket se ka vendosur që të mos pranojë fitoren ndaj mësimdhënësve. Ai po kërkon poshtërimin e tyre.

Në mëngjesin e sotëm, shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari, u shpreh se ligji e parashihte mos-ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit grevistë. Kjo gjë u konfirmua më vonë edhe nga Qeveria e vendit me anë të zëdhënësit, Përparim Kryeziut.

Krejtësisht i painformuar ishte kryetari i Komisionit Parlamentar për arsim, Ardian Gola, gjë që dëshmon se vendim-marrja e Qeverisë për këtë çështje ka kaluar në një numër të vogël njerëzish të pushtetit.

“Unë duhet me këqyrë a janë ekzekutu apo jo pagat, nëse jo, unë krijoj një qëndrim dhe ta artikuloj një mendim, pa problem, po tash nuk mundem se nuk e di a ka naj zhvillim a jo sepse nuk e di që ka zhvillime të tilla, më duhet me pasë informata fillimisht,” - i tha deputeti Gola (VV), Periskopit.

Deri në këto momente, ai nuk ka shprehur qëndrimin e tij të ri përkundër që ka marrë vesh për vendimin e mos-ekzekutimit të pagave nga bashkëpartiakët.

SBAShK-u

Nacionalja menjëherë kërkoi qëndrim nga i pari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj dhe i cili ishte po ashtu i befasuar me atë që po ndodhte.

“Procesi mësimor ka filluar, por për momentin e keqja më e madhe është se qeveria nuk ka alokuar pagat për shtatorin për sistemin arsimor, përderisa ka alokuar pagat për shërbyesit civilë, me të cilët ishim bashkë në grevë. Ne do të presim deri me 5 tetor, kur është edhe kufiri ligjor që duhet të bëhet bartja e pagave. Nësë kjo nuk bëhet, atëherë shihet qartë se është edhe një përpjekje e qeverisë për të krijuar situata të pakëndshme. Nësë ndodhë kjo ne e shohim si sulm ndaj nesh.Me këtë veprim joligjor qeveria sikur po thotë që paska pasur dëshirë që greva të vazhdojë,” – u shpreh ai.

Shumë mësimdhënës po ashtu kanë shprehur pezamtimin e tyre me vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Në anën tjetër, duket se vendimi qeveritar ka edhe probleme ligjore.

Ligji

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Mifataraj, është shprehur se Qeveria po vepron në kundërshtim me ligjin shkaku i kësaj çështjeje.

“Secili grevist që paraqet Padi në gjykatë, përveç pagës, pastaj do të kompensohet edhe me shpenzimet e avokatit dhe kamatën ligjore. Me fjalë tjera, nga një pagë që mund të jetë 480 euro, shteti do të paguajë diku 1500 euro. Në fund, faturën e paguan taksapaguesi.”u shpreh ai.

Edhe Këshilli i Prindërve, që deri tash i jepte mbështetje Qeverisë, ka shprehur qëndrimin se “pagat e mësimdhënësve duhen dhënë”.

“...asnjëherë nuk jemi dakord që ne të krijojmë një situatë edhe më të rëndë (sesa vetë greva) dhe të gjithë ata mësimdhënës të ngelen pa paga për diçka që shteti i Kosovës e ka pranuar vazhdimisht të mirëqene dhe asnjëherë nuk iu është ndaluar paga. Grevat në arsimin e obligueshëm duhet të rregullohen me ligj dhe jo me forma të tjera “disiplinimi”” – u shprehën nga Këshilli.

Në anën tjetër, ka pasur edhe reagime të ashpra opozitare. PDK ka paralajmëruar ngritjen e një padie ndaj ministrit Murati për çështjen në fjalë. Por, eksponentët e pushtetit kanë qenë shumë më të relaksuar duke provokuar edhe më shumë me fjalët e tyre.

Rron Gjinovci u shpreh se “kurrësesi s’bën me jau qitë pagat (mësimdhënësve)” duke e bërë përgjegjëse SBAShK-un përgjegjës për këtë çështje.

“Qe çka i gjen delirantat që menojnë që hajnë hekër, i hajnë thojtë tash prej sikletit.” – shprehej ai.

Deri tash është e vështirë të kuptohet pse Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë këtë veprim në këtë moment, por nuk besohet që kjo të jetë bërë për arsyen e respektimit të ligjeve në fuqi. Sidomos nëse marrim parasysh se kjo parti politike synonte ndryshimin e Ligjit për Organizimin Sindikal në të kaluarën.

Në anën tjetër, e gjithë kjo mund të çojë në një situatë të pakthyeshme situatën e arsimit publik në Kosovë marrë parasysh mllefin që mund të krijojë te mësimdhënësit. Vlen të kujtojmë se 9707 mësimdhënës kanë votuar kundër kërkesës së sindikalistëve që të pezullohet greva gjatë ditës së shtunë (më 1 tetor).

Lajme të ngjashme