Gjithandej frikë nga stagflacioni: A duhet të kemi frikë edhe në Kosovë? - NACIONALE

Gjithandej frikë nga stagflacioni: A duhet të kemi frikë edhe në Kosovë?

2 muaj më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Inflacioni mund të shpallet fjala më e përdorur gjatë vitit 2022. Rritja e çmimeve ka prekur keq Kosovën duke i varfëruar qytetarët e saj – dhe e cila erdhi edhe pas rrethanave të jashtme, me pandeminë dhe agresionin rus në Ukrainë. Por, tash e tutje po përmendet një tjetër fjalë vazhdimisht dhe e cila po nxit frikë: stagflacioni.

Rritja e çmimeve dhe ngadalësimi i rritjes së ekonomisë apo rënia e saj mund të bëhet problem i rëndë ekononomik.

Inflacioni në nivel rekord ka prekur edhe Kosovën, që njihet si shtet me ekonomi të brishtë dhe të varur kryesisht prej importeve dhe me papunësi në nivel të lartë.

Për të përshkruar situata të ngjashme, ekonomistët po përdorin terme si stagflacioni.

Kur kemi rritje të çmimeve (inflacion) dhe në anën tjetër rritje shumë të vogël ekonomike atëherë kjo quhet stagflacion. Stagnim ekonomik + inflacion.

Në mediet ndërkombëtare, frika është e madhe nga ky term. Por, çka duhet të dimë për stagflacionin dhe rrethanat e përgjithshme ekonomike në Kosovë. Për këtë çështje folëm me Musa Limanin, profesorin e mirënjohur universitar të ekonomisë.

Limani për Nacionalen ka shpjeguar më shumë se çka nënkuptohet me stagflacionin dhe a është pëfshirë Kosovë në këtë gjendje.

Stagfalcioni paraqet situtën ekonomike kur në të njëjtën kohë ekzistojnë norma të larta të inflacionit dhe norma të larta të papunësisë. Me fjalë të tjera, stagflacioni paraqet proces desekuilibër në ekonomi, që karakterizohet me tepricë të ofertës ndaj kërkesë në tregun e punës dhe në të njëjten kohë tepricë të kërkesës agregade ndaj ofertës agregate, në tregun e mallrave. Kuptohet, çdo lloj i inflacionit paraqet çrregullime në rrjedhat dhe proceset ekonomike, por me efekte të ndryrshme.” - ka thënë Limani.

Sipas profesorit të ekonomisë, Kosova po përballet me hiperinflacion, pra me nivel shumë të lartë të inflacionit dhe për të ndalur këtë, Qeveria e Kosovës nuk po vepron asgjë.

Në rastet e paraqitjes së inflacionit, shteti (Qeveria), me masa dhe instrumente të politikës së zbatuar ekonomike, veçmas me instrumentet e politikes fiskale ( TVSH, akcizë, taksa etj.), me politikë kreditore, duke i kontrolluar normat e interesit, me politikë të tregtisë së jashtme përmes normës së doganës dhe masave jashtë dohanore: lejeve, ndalesave, kontigjenteve etj., të intervenojë për ta frenuar dhe për ta sjellë në rrjedha të arsyeshme inflacionin, në të kundërtën pasojat do të jenë shumë të mëdha për ekonominë e vendit. Andaj, për të ndal inflacionin, Qeveria duhet të ketë program anti inflator. Ndalja e inflacionit, nuk zgjidhet me masa ad hoc, të njëhershme dhe parciale, siç po vepron Qeveria e Kosovës,” - ka thënë ai.

Me tej, Limani është shprehur i çuditur se si Qeveria Kurti nuk e ka parë të arsyeshme që të ketë debat për krizën ekonomike apo të bëjë ndonjë analizë për këtë punë.

Zgjidhja afatgjate e inflacionit, kërkon reforma rrënjësore ekonomike. Mirëpo, ketë nuk e ka bëtë asnjë Qeveri e Kosovës deri më tani. Është për të ardhur keq, por është e vërtetë, edhe për rreth trendeve jo të mira ekonomike, as Parlamenti, e as Qeveria, asnjëherë deri më tani nuk e bënë ndonjë analizë komplekse ekonomike, e as nuk e panë të arsyeshme të debatojnë për krizën ekonomike dhe sociale që është tani në Kosovë”, ka thënë ai për Nacionale.

Në anë tjetër, Qeveria vazhdimisht thirret se në Kosovë ka rritje ekonomike, pavarësisht krizës globale ekonomike në Evropë dhe botë.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se në çerekun e parë të këtij viti patëm 4.9% rritje ekonomike teksa nga qeveria supozojnë që kjo rritje të vazhdojë edhe për gjatë vitit.

Ndërkohë, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti ka thënë se ka ngadalësim të rritjes ekonomike në vitin 2022. Ai ka thënë se parashikimet gjatë këtij viti janë diku rreth 3 për qind.

Ndërsa, sipas Fondi Montetar Ndërkombëtar, rritja ekonomike do të jetë 2.8 për qind.

Aktualisht në Kosovës sipas të dhënave të ASK-së për muajin gusht, inflacioni është 13 për qind.

Ndërkaq, shkalla e papunësisë në tre mujorin e parë të viti 2021, është 20.5 për qind.

Gjithashtu, partitë opozitare, kanë kundërshtuar shifrat e Qeverisë për rritje ekonomike. Sipas tyre, i pari i ekzkutivit po manipulon me të dhënat pasi gjendja ekonomikë në Kosovë është e rëndë.

Lajme të ngjashme