Harrojeni rritjen e çmimeve, duhet ta mësoni mirë fjalën "stagflacion" - NACIONALE

Harrojeni rritjen e çmimeve, duhet ta mësoni mirë fjalën "stagflacion"

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shkruan: NOURIEL R O U B I N I

Opinioni është shkruar për Project Syndicate dhe është përkthyer nga gazeta Nacionale.

Realiteti i ri të cilin shumë ekonomi të avancuara dhe tregje në rritje duhet ta shohin është inflacioni i lartë dh rritja e ngadaltë ekonomike. Dhe një arsye e madhe për periudhën e tanishme të stagflacionit është seria negative e tronditjeve që ka pësuar furnizimi agregat që ka kufizuar prodhimin dhe ka rritur çmimet.

Kjo s’duhet të vijë si befasi. Pandemia Covid-19 ka detyruar shumë sektorë që të mbyllen, ka prishur zinxhirët e furnizimit global, dhe ka prodhuar një pakësim në fuqinë punëtore, veçanërisht në Amerikë. Më pas na erdhi invazioni rus i Ukrainës, që e ka ngritur çmimin e energjisë, metaleve industriale, ushqimit dhe plehrave. Dhe tash, Kina ka marrë vendim për karantina drakonike të Covid-19 në qendra të mëdha ekonomike si Shangai, duke shkaktuar ndërprerje shtesë të zinxhirit furnizues.

Por edhe pa këta faktorë afat-shkurtër e të rëndësishëm, edhe perspektiva afat-mesme do të errësohej. Ka shumë arsye për t’u brengosur që kushtet e stagflacionit të sotëm do të vazhdojnë të karakterizojnë ekonominë globale, të prodhojnë inflacion të lartë, rritje të ulët, dhe ndoshta edhe recesione në shumë ekonomi.

Prej krizës globale financiare, ka pasur një tërheqje nga globalizimi dhe një kthim te format e ndryshme të proteksionizmit. Kjo reflekton në faktorët gjeopolitikë dhe në motivet e brendshme politike në vende ku grupe të mëdha të popullsive ndihen “të lënë anash”. Tensionet e rritura gjeopolitike dhe trauma e zinxhirit furnizues që u la nga pandemia është e mundshme të çojë në më shumë përtëritje të prodhimit nga Kina dhe në tregjet në zhvillim kah ekonomitë e avancuara. Prodhimi do të çohet te rajonet dhe shtetet me kosto të lartë.

Për më shumë, plakja demografike në ekonomitë e avancuara dhe disa tregje kyçe në zhvillim (të tilla si Kina, Rusia dhe Korea e Jugut) do të vazhdojnë të pakësojnë furnizimin e fuqisë punëtore, duke shkaktuar inflacion në paga. Dhe për shkak se të moshuarit priren që të harxhojnë kursimet pa punuar, rritja e këtij grupi do të shtojë presionin inflacionar ndërsa pakëson potencialin e rritjes ekonomike.

Përplasjet e vazhdueshme politike dhe ekonomike kundër emigracionit në ekonomitë e avancuara do të pakësojnë fuqinë punëtore dhe do të zbatojnë presione në paga. Për dekada me radhë, emigracioni i shkallës së lartë ka mbajtur një tavan në paga në rritje të ekonomisë së avancuar. Por atyre ditëve duket se po u vjen fundi.

Ngjashëm, lufta e re e ftohtë mes SHBA-ve dhe Kinës do të prodhojë efekte të gjera stagflacionare. Telashet kinezo-amerikane imligojnë edhe fragmentarizim të ekonomisë globale, ballkanizim të zinxhirëve furnizues, dhe restriksione më të ashpra mbi tregtinë e teknologjisë, të dhënave dhe informacionit – elemente kyçe për modelet tregtare të së ardhmes.

Edhe ndryshimet klimatike, do të jenë stagflacionare. Thatësia dëmton kulturat bujqësore, shkatërron korrjet, rrit çmimin e ushqimeve, ashtu si uraganet, përmbytjet dhe rritja e nivelti të detit shkatërron stoqet dhe prish aktivitetin ekonomik. Për më keq, politika e heqjes dorë nga mbetjet fosile dhe kërkesa për dekarbonizim agresiv kanë çuar në mungesë investimesh në kapacitetet me bazë karbonin para se burimet e energjisë së ripërtërishme të mbërrinin shkallën e mjaftueshme që të kompensonin për pakësimin e furnizimit me hidrokarbure. Nën këto kushte, rritjet e çmimeve të energjisë janë të paevitueshme. Dhe derisa rriten çmimet e energjisë, “gjelbërflacioni” (greenflation) do të godasë çmimet për materialet e papërpunuara që përdoren në panele solare, bateri, pajisje elektrike dhe të tjera teknologji të pastra.

Shëndeti publik pritet të jetë një tjetër faktor. Pak është bërë që të shmangen shpërthimet e sëmundjeve kontaminuese, dhe tashmë e dimë se pandemitë mund të prishin zinxhirët globalë të furnizimeve dhe të ndezin politikat proteksioniste të shteteve që duan të ruajnë ushqimin, produktet farmaceutike, etj.

Po ashtu, duhet të brengosemi edhe për luftën kibernetike, që mund të shkaktojë ndërprerje të rënda në prodhim, siç ishin sulmet e fundit në tubacione të gazit dhe në procesorët e mishit. Incidente të tilla pritet të bëhen më të shpeshta dhe më të rënda me kalimin e kohës. Nëse firmat dhe qeveritë duan të mbrojnë veten, do t’u duhet të harxhojnë miliarda dollarë në sigurinë kibernetike, duke shtuar kostot edhe për konsumatorët.

Këta faktorë do t’i shtojnë benzinë zjarrit politik për të ardhurat e vogla dhe pabarazitë, duke çuar në harxhime më të shumta fiskale për të mbrojtur punëtorët, të papunët, minoritetet e lëndueshme, dhe ata që janë lënë “anash”. Përpjekjet për të rritur të ardhurat e fuqisë punëtore.

Më pas e kemi luftën e Rusisë ndaj Ukrainës, që shenjon kthimin në politikën e shumës-zero të fuqive të mëdha. Për të parën herë në disa dekada, ne duhet të llogarisim edhe rrezikun e konflikteve ushtarake në shkallë të gjerë që ndërpresin tregtinë globale dhe prodhimin. Për më shumë, sanksionet e përdorura që të pengohet dhe ndëshkohet agresioni shtetëror janë në vetvete stagflacionare. Sot, është Rusia kundër Ukrainës dhe Perëndimit. Nesër, mund të jetë Irani fuqi nukleare, pasnesër Korea Veriore që kalon pragun nuklear, paspasnesër Kina që provon të marrë Taivanin. Çdonjëri prej këtyre skenarëve do të çonte në një luftë të nxehtë me SHBA-të.

Së fundi kemi armatosjen e dollarit amerikan – instrument qendror në përforcimin e sanksioneve – gjë që po ashtu është stagflacionare. Jo vetëm që krijon fërkim të rëndë në tregtinë ndërkombëtare të mallrave, shërbimeve, komoditeteve dhe kapitalit; por edhe inkurajon rivalët e SHBA-ve që të diversifikojnë rezervat e tyre të këmbimit të huaj prej aseteve të dollarit. Me kalimin e kohës ky proces mund të dëmtojë dollarin (gjë që i bën importet amerikane më të kushtueshme, duke e ushqyer inflaiconit) dhe mund të çojë në krijimin e sistemeve rajonale monetale, duke e ballkanizuar më tej tregtinë dhe financat globale.

Optimistët mund të argumentojnë që ende mund të mbështetemi te inovacioni teknologjik. Mund të jetë e vërtetë, por faktori teknologjik është më i dobët se 11 faktorët stagflacionarë që i përmendëm më lart. Për më shumë, impakti i ndryshimeve teknologjike në rritjen e përgjithshme të prodhimit mbetet i paqartë në të dhëna.

Inteligjenca artificiale, automatizimi dhe robotët nuk janë një e mirë që s’lidhet me të tjerat. Nëse kanë fuqi për të përmirësuar gjërat deri në atë pikë sa të krijojnë deflacion domethënës, ato edhe mund të ndërpresin krejt industritë apo punët e një kombi. Kjo do të çonte drejt një përplasjeje edhe më të fuqishme politike se ajo që e kemi parë – me krejt pasojat politike stagflacionare që pritet të rrjedhojnë.

Nouriel Roubini ka punuar në FMN, Rezervën Federale Amerikane dhe në Bankën Botërore.

Stagflacioni është realiteti ekonomik në të cilin ka inflacion të lartë, papunësi të lartë dhe rritje të ulët apo edhe negative ekonomike.

Lajme të ngjashme