Modeli ekonomik gjerman po shkatërrohet: Simpati për Gjermaninë - NACIONALE

Modeli ekonomik gjerman po shkatërrohet: Simpati për Gjermaninë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Yanis Varoufakis

Ky shkrim është botuar së pari në Project Syndicate, dhe është përkthyer më pas nga gazeta Nacionale.

Grekët dhe evropiano-jugorët e tjerë mund të jenë duke ndjerë gëzim keqdashës (schadenfreude) derisa Gjermania po përballet me kolapsimin e modelit të saj ekonomik pas luftës së Ukrainës dhe të luftës së ftohtë me Kinën. Por, meqë Evropa demokratike është në pyetje, kjo s’është koha për t’u gëzuar.

Kurrë s’është e kollajshme që të zgjohesh me lajmet që thonë se modeli biznesor i vendit tënd është i dështuar. Është e zorshme të pranohet ajo që është e qartë: se liderët tuaj politikë ose janë mashtruar ose iu kanë gënjyer kur siguronin që standardet e jetës i kishit të sigurta. Që e ardhmja juaj e menjëhershme tashmë mbështetet mbi mirësinë e të huajve të vendosur të ju shtypin. Që Bashkimi Evropian, në të cilin keni besuar, ka qenë i përfshirë që të fshehë në mënyrë permanente realitetin. Që partnerët tuaj të BE-së, te të cilët po bëni thirrje për ndihmë, ju shohin si një keqbërës, ndëshkimi i të cilit është shtyrë qe sa. Se elitat ekonomike në vendin tuaj, por jo vetëm, po kërkojnë forma të reja që të iu sigurojnë se vendi juaj mbetet i ngujuar. Se duhet të duroni ndryshime të mëdha e të dhimbshme që të siguroheni se kurrgjë s’do të ndryshojë.

Grekët e njohin këtë ndjenjë. E kemi përjetuar në ashtin tonë në fillim të viteve 2010. Sot, janë gjermanët që po përballen me murin e mospërfilljes, antipatisë dhe bile edhe talljes. Ironike sa mund të duket, asnjë popull evropian nuk është në pozitë më të mirë se grekët për ta kuptuar që gjermanët meritojnë më mirë; që predikamenti aktual është rezultat i dështimit tonë të përbashkët, evropian; dhe që askush – aq më pak ata që vuajtën gjatë, grekët, italianët, spanjollët e portugezët – nuk përfiton nga gëzimi prej keqdashjes (schadenfreude).

Tavolinat janë përmbysur ndaj Gjermanisë sepse modeli i saj ekonomik mbështetej mbi pagat shtypëse, gazin e lirë rus, dhe në inxhinerimin e shkëlqyeshëm mekanik – veçanërisht në prodhimin e veturave me motorë me lëndë djegëse. Kjo ka rezultuar në teprica masive tregtare gjatë katër vazave të pas Luftës së Dytë Botërore: nën sistemin e udhëhequr nga amerikanët të Bretton Woods, që ofroi shkalla fike këmbimesh dhe me qasje tregu në Evropë, Azi dhe në kontinentet amerikane; atëherë, pas kolapsimit të Bretton Woodsit, kur tregu i vetëm evropian u duk shumë fitimprurës për eksportet gjermane; përsëri pas ardhjes së valutës euro, kur u hapën dyert për mallrat dhe kapitalin gjerman për në periferinë evropiane; dhe në fund, kur uria e Kinës për prodhime finale e të ndërmjetësuara zuri vendin pas krizës së euros duke plotësuar zbrazëtinë e lënë nga mallrat gjermane në Evropën jugore.

Gjermanët ngadalë po e kuptojnë vdekjen e modelit të tyre ekonomik dhe po fillojnë të shohin përtej Rrenës së Madhe shumëplanëshe që elitat e tyre e përsëritën për tri dekada: tepricat fiskale nuk shfaqnin urtësinë në veprim, por më shumë një dështim monumental, gjatë viteve të gjata të shkallëve ultra-të-ulëta të interesit, për të investuar në energji të pastër, infrastrukturë kritike, dhe dy teknologji kruciale për të ardhmen: bateri dhe inteligjencë artificiale. Varësia e Gjermanisë ndaj gazit rus dhe kërkesës kineze kurrë nuk ishte e qëndrueshme në plan afatgjatë; dhe këta s’janë veç do palavi që mund të hekurosen.

Pretendimi se modeli gjerman ishte i përputhshëm me unionin monetar të Evropës u ekspozua po ashtu si fals. Duke mos pasur një union fiskal dhe politik, BE-ja herëdokur do t’i hypte në qafë qeverive mesdhetare, bankave dhe korporatave me borxhe të papaguara, që me kalimin e kohës do të detyronin Bankën Qendrore Evropiane (ECB) të zgjidhte mes mundësisë për ta lënë euron që të vdiste dhe nisjes së një projekti permanent për fshehje të bankrotimit.

Gjermanët po e kuptojnë këtë gjë sot, derisa shohin se ECB-ja është e mbaruar nëse rrit shkallët e interesit në mënyrë domethënëse (duke bërë që Italia me të tjerat të kolapsojnë) dhe e mbaruar nëse nuk e bën (duke lejuar inflacionin të shkojë në qiell). Edhe pse kurrë nuk do të duhej të ishte puna e ECB-së që të shpëtonte euron nga themelet e dobëta, gjermanët mund ta shohin se politikanët e tyre i gënjyen kur thanë se modeli ekonomik mund të mbijetonte krizën e 2008-s për aq kohë sa shtetet e tjera të eurozonës të praktikonin mjaftueshëm politika të austeritetit. Ata po ashtu po e kuptojnë se stimulo-fobia e liderëve të tyre ka çuar në socializmin permanent për oligarkët e Evropës jugore, bankierëve franko-gjermanë, dhe korporatat e zombizuara.

Një herë e një kohë, disa prej nesh që kritikuan nocionin se çdo shtet i eurozonës duhej të bëhej si Gjermania, kundërshtonin duke thënë se modeli i Gjermanisë funksiononte vetëm sepse askush tjetër nuk e kishte adaptuar atë. Sot, me fundin e gazit të lirë dhe me luftën e re të ftohtë të Amerikës me Kinën, modeli gjerman është i prishur (kaput) edhe për vetë Gjermaninë. Po, eksportet gjermane do të rikthehen, të ndihmuar nga vlera e lirë e euros. Volkswageni do të shes edhe më shumë vetura elektrike sapo të rivendosen zingjirët e furnizimeve. BASF-ja do të kthehet, sapo furnizimi me energji të sigurohet. Ajo çka s’do të kthehet është modeli gjerman: një pjesë e madhe e të ardhurave të Volkswagenit do të shkojë te Kina, sapo të vijnë teknologjitë e baterive, dhe mali i vlerës do të ndërrojë nga industria kimike në sektorët e lidhur me Inteligjencën artificiale (AI).

Disa miq gjermanë po shpresojnë që rënia e euros do të rikthejë shëndetin te modeli gjerman. S’do ta bëjë. Vendet me pak kursime me deficit strukturor tregtar, si Greqia apo Gana, përfitojnë nga zhvlerësimi. Vendet me shumë kursime e me teprica strukturore tregtare, nuk përfitojnë – krejt çka ndodh është që konsumatorët vendorë të varfër zëvendësojnë eksportuesit e pasur, dhe e cila është ekzakt e kundërta e asaj që i vyen ekonomisë sociale gjermane.

Mesazhi im për miqtë gjermanë është ky: ndaluni së kukaturi. Kalojeni mohimin, zemërimin, mashtrimin e depresionin, dhe filloni së disejnuari një model të ri ekonomik. Për dallim nga grekët, ju ende keni boll sovranitet për ta bërë një gjë të tillë pa lejen e kreditorëve.

Por më së pari, ju duhet ta zgjidhni një dilemë kritike politike: A doni që Gjermania të rimarrë sovranitetin politik dhe fiskal? Nëse po, modeli juaj i ri s’do të funksionojë kurrë brenda kësaj eurozonës tonë. Nëse nuk doni që të ktheheni te Marku (Deutsche Mark), ju duhet një model i lidhur brenda një Federata demokratike Evropiane. Çdogjë tjetër do ta vazhdonte rrenën e madhe, e të cilën ngadalë e dhimbshëm keni filluar ta kuptoni.

Lajme të ngjashme