Zv/drejtori i IML-së për zhdukjen e provave të rastit Dehari: Për momentin vetëm policia ka qasje në videot e laboratorëve
Suspendimi i tyre erdhi pas zhdukjes së provave të rastit Dehari në laboratorin e Toksikologjisë. Megjithatë, katër punëtorët e suspenduar të Institutit të Mjekësisë Ligjore raportohet të jenë kthyer në punë.
Kjo është pohuar nga shefi i kabinetit të Ministrisë së Drejtësisë, Genc Nimoni, i cili ka thënë se bazuar në Ligjin për shërbyes publikë, në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore janë të formuara dy komisione: komisioni disiplinor dhe komisioni për ankesa.
“Siç jeni në dijeni, komisioni disiplinor ka suspenduar zyrtarët në fjalë mirëpo të njëjtit janë kthyer nga komisioni i ankesave” – thuhej në përgjigjen e Genc Nimonit për Kallxo.com.
Veç kësaj, Nimoni ka bërë të ditur se legjislacioni aktual në fuqi nuk i jep kompetencë ministres për rastet e tilla.
“Të dy komisionet kanë pavarësi në vendimarrje. Siç jeni në dijeni, në rastin e zhdukjes së mostrave në laboratorin e toksikologjisë, Ministrja Haxhiu, ka njoftuar prokurorin dhe ka kërkuar nga drejtori i IML që konform ligjit dhe përgjegjësisë për të ndërmarrë veprime në lidhje me rastin.
Pavarësisht ndjeshmërisë së rastit, si Ministri, nuk kemi asnjë kompetencë për kthimin apo mos kthimin e tyre në vendin e punës, pavarësisht që ne nuk pajtohemi me vendimin e tyre” – ka shtuar Ministria, duke uruar që Prokuroria Speciale e Kosovës sa më shpejt t’i adresojë përgjegjësit në mënyrë që ata të ndiqen penalisht”.
Zëvendës-drejtori i IML-së
Lajmin e konfirmoi edhe zëvendës-drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti.
Halimi, deklaroi se me vendim të komisionit disiplinor, i cili ka rishqyrtuar lëndën në fillim të këtij viti, së pari është kthyer Anila Lakna, teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, ndërsa tre të tjerët, dy kimistët dhe toksikologu janë kthyer pastaj me një vendim të komisionit të ankesave me datë 27 janar të këtij viti.
Në pyetjen e RTK-së rreth akuzave të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi se ekzistojnë video-incizimet ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari, Haliti tha se nuk kanë pasur qasje në ato video, sepse janë marrë nga Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale.
“Ne i kemi kamerat të cilat e survejojnë hapësirat e IML-së duke përfshirë edhe ato të laboratorit, ato incizohen në serverët tanë të cilët janë marrë nga policia, dhe ne nuk i kemi parë, vetëm policia për momentin ka qasje në ato video dhe vetëm ata mund të thonë nëse ka diçka konkrete lidhur me këtë apo jo”, tha Haliti.
Deputeti Abazi
Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, të enjten që lamë pas në një konferencë për medie në hollin e Kuvendit, bërë pretendime për rastin e Astrit Deharit, teksa akuzoi edhe kryeministrit Kurti për këtë dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë dhe Vetëvendosjes.
Abazi trazoi opinionin publik, pasi apostrofoi kryeministrin Kurti në çështjen e humbjes së provave të rastit Dehari.
“Por ne as si shoqëri as si qytetarë individualë nuk mund të rrimë të heshtur përballë një procesi të këtillë, dhe të gjithë duhet ta kryejmë punën që na takon. Instituti i Mjekësisë Ligjore është i monitoruar 24 orë prej kamerave. Dihet qartë kush ka hyrë te frigoriferi dhe ka nxjerr mostrat të cilat kanë qenë të vendosura nën mostra tjera, dhe janë zhdukur.” – ka thënë ai.
Përveç kësaj, ai përmendi edhe aktivisten e VV-së, Dejona Mihali, e cila sipas tij, bën presion dhe kontrollon grupit parlamentar të VV-së.
Për këto deklarime, kryeministri Kurti nuk u përgjigj, teksa Abazi u shkarkua nga pozita e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme.
Ndaj deklarimeve të Abazit reaguan edhe prindërit e Astrit Deharit.

