Kurti mbledh qeverinë, shkak zhvillimet në veri - NACIONALE

Kurti mbledh qeverinë, shkak zhvillimet në veri

3 vjet më parë

nga Eriola Cacaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbledhur kabinetin qeveritar për të diskutuar lidhur me situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit në vend.

Sipas njoftimit nga zyra e kryeministrit, bëhet e ditur se në mbledhje është theksuar rëndësia e mbarëvajtjes së punës së institucioneve dhe shërbimeve që ato ofrojnë, dhe se gjatë diskutimit u konfirmua se institucionet vartëse të secilës ministri kanë vazhduar pandërprerë përmbushjen e detyrave në kuadër përgjegjësive që kanë.

Kryeministri Kurti u shpreh se ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e Republikës nuk mund të komprometohen, ndërkaq që dialogu dhe institucionet nuk kanë alternativë. Ai përsëriti thirrjen që mos të bojkotohen ose braktisen institucionet e Kosovës, të cilat i shërbejnë çdonjërit pa dallim”, thuhet në njoftim.

Nga zyra e kryeministrit kanë thënë se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për sundim të ligjit, respektim të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe pakicave, barazi, shërbim ndaj qytetarëve, paqe dhe siguri.

Kjo mbledhje e kabinetit qeveritar erdhi pas zhvillimeve të fundit në Veriun e Kosovës, ku sot gjatë ditës u mbajt një protestë në Mitrovicën e Veriut, në ora 12:00, protestë kjo e thirrur nga Lista Serbe.

E njëjta përfundoi e qetë, por me fjalimin e fundit të mbajtur nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili kërkoi paqe, ndërsa më pas shtoi se serbët do të mbrohen.

Veç kësaj, ai bëri thirrje edhe për formimin e Asociacionit.

Rakiqi gjithashtu konfirmoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

"Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri"- theksoi Rakiq, pas takimit.

Kujtojmë se qytetarët serbë të Kosovës protestuan pas largimit të serbëve nga pozitat në Institucionet e Kosovës, me këta të fundit që dhanë dorëheqje pas vendimit të institucioneve të Kosovës për ta pezulluar Nenad Gjuriqin, drejtor i policisë për rajonin e veriut. Kujtojmë, Gjuriq, refuzoi ta zbatonte vendimin e Qeverisë Kurti për targat.

Ndërkombëtarët

Reagimet ishin të shumta. Shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell u pa goxha i ashpër.

Spanjolli u bëri ftesë palëve që mos ta përshkallëzojnë situatën dhe t'i kthehen normalitetit.

“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale. Ajo ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren. Ne i bëjmë thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”, u tha në komunikatën e BE-së.

Chris Hill

Borrell nuk ishte i vetmi që nuk reagoi. Këtë e bëri edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill.

Ky i fundit në një paraqitje për N1, ka ftuar serbët e Kosovës që të rikthehen në institucione, ndërsa autoriteteve kosovare u ka bërë thirrje që të fillojnë negociatat për themelimin e Asociacionit.

“Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale. Veç kësaj ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet. Andaj, Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së duke ftuar përfaqësuesit serbë që të respektojnë angazhimet e tyre nga dialogu dhe t’u kthehen detyrave të tyre në institucionet e Kosovës, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale".

Lajme të ngjashme