"Serbia rreshtohet kah Perëndimi veç si ish-Jugosllavia e Titos" - NACIONALE

"Serbia rreshtohet kah Perëndimi veç si ish-Jugosllavia e Titos"

1 vit më parë

nga NACIONALE

Javën që po e lëmë pas, saktësisht të enjten e 3 nëntorit u publikua edhe episodi i radhës i Ditarit të Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.

Temë parësore ishte problemi shëndetësor me të cilin u përballë presidentja Osmani, teksa u përmendën edhe çështjet aktuale, siç ishte rasti me targat.

Autori Buzhala foli edhe për pozicionin e Serbisë, duke e krahasuar me atë të ish-Jugosllavisë së Titos më 1948.

Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë Serbia do të rreshtohet kah Perëndimi, pra asnjëherë plotësisht.

Serbia s’ka m’u rreshtu asnjëherë kah Perëndimi, në formën qysh janë rreshtu le të themi, Estonia, Letonia, Lituania. Maksimumi që do të rreshtohet Serbia kah Perëndimi është në formën e Jugosllavisë, 1948, ku ka vendos m’u shmang prej Bashkimit Sovjetik. Këtë rrugë po shikon me ndjekë", tha fillimisht ideatori dhe kreatori i Ditarit.

Tutje, kujtoi një deklaratë më të fundit të Ivica Daçiq. I ri-emëruar së fundi si ministër i punëve të jashtme, pohoi se ndërkombëtarët as mos ta presin distancimin nga Rusia, por nën tjetër kërkoi ndihma nga Bashkimi Evropian.

"Daçiq tha mos të presin distancimin tonë prej Rusisë, ama tha që presim ndihma prej Bashkimit Evropian. Pra, kjo do të jetë rruga që Serbia po e ndjekë, që në afat të shkurtër nuk është lajm i mirë për neve. Në afat të shkurtër lajm i mirë për neve do të ishte konvertimi Serbisë në Bjellorusi edhe pastaj Perëndimi me thënë, me bombardu Serbinë, po nuk ndodh ajo gjë", vazhdoi Buzhala.

Veç kësaj, gazetari vlerësoi se autoritetet ndërkombëtare, përfshirë këtu ShBA-në e BE-në po tentojnë me çdo kusht ta mbajnë Vuçiqin brenda dialogut, pasi vetëm në atë mënyrë e largojnë presidentin serb nga kthetrat e Vuçiqit.

"Tash, fakti që ka dështu kjo gjë, fakti që Amerika edhe BE po tentojnë që ta mbajnë Vuçiqin brenda, pra që ta nxjerrin Vuçiqin prej kthetrave të Putinit, me ia ofru një marrëveshje me Kosovën që, Kurti tash me gjasë e paska pa, se Scholz tha ekziston ajo marrëveshje, me ia ofru Serbisë një marrëveshje që nuk është njohje, qysh kanë thënë këta dialog me Serbinë me njohje në qendër të saj, po me gjasë dialog e marrëveshje me Serbinë me Asociacion në qendër të saj".

Në pjesën e fundit ndërkaq, ai ripotencoi faktin se Asociacioni brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nuk është kurrfarë problemi.

A është problem Asociacioni sipas meje? Nëse është në kuadër të kornizës së Kushtetutës, kurrfarë problemi. Është problem moral për Albin Kurtin, i cili e ka bë Asociacionin Zajednicë, tash si do të përballet Albini me demonët e vetë, ky është problem i Albinit, por mund të shndërrohet edhe në problem tonin në të ardhmen”.

Më poshtë gjeni pjesën e zgjeruar këtu, ndërsa siç edhe mund ta keni vërejtur, në pjesën e epërme të tekstit gjeni episodin e plotë.

Lajme të ngjashme