Zgjedhjet në veri, BE-ja: Të organizohen sa më shpejt, pa parakushte
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka kërkuar që sa më parë të mbahen zgjedhjet në katër komunat veriore – Mitrovicë Veriori, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq. Ai ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara. Në anën tjetër, Kosova ka lëvizur në drejtim për mbajtjen e zgjedhjeve.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano për Koha.net ka kërkuar që zgjedhjet të organizohen sa më shpejt dhe serbët të marrin pjesë pa parakushte.
“Sa u përket zgjedhjeve, edhe pse zgjedhjet e pjesshme për kryetarë të komunave të mbajtura në prill 2023 në katër komunat e veriut të Kosovës u zhvilluan në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, ne kemi qenë shumë të qartë se për shkak të pjesëmarrjes shumë të ulët, ato nuk kanë ofruar një zgjidhje politike afatgjate. Prandaj, është e rëndësishme që zgjedhjet lokale gjithëpërfshirëse, ku serbët e Kosovës marrin pjesë pa parakushte, të organizohen sa më shpejt.” – ka thënë ai.
Më tej, ai ka kërkuar respektim të deklartës së 3 qershorit dhe përmbajtje nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar.
“BE-ja nënvizon deklaratën e Përfaqësuesit së Lartë në emër të BE-së të datës 3 qershor 2023, e cila i kërkoi Kosovës dhe Serbisë që të marrin masa për të de-përshkallëzuar situatën dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar. Kosova u angazhua për këto parime në Bratislavë në korrik 2023.” – ka thënë ai.
Por si do të mbahen zgjedhjet?
Deri më tani, kryeministri, Albin Kurti, preferon që mbajtja e zgjedhjeve për katër komunat veriore do mund të mbahet nëse organizohet peticion për largimin e krytarëve aktual.
“Ne mendojmë se mënyra e duhur për këtë është duke shfrytëzuar nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili parasheh mundësinë e 20 për qind të trupit elektoral që të dalin dhe shprehin vullnetin e tyre për t’i ndërprerë mandatin e kryetarëve aktual.” – thoshte Kurti.
Ndërkohë, në diskutim publik është Udhëzimi Administrativ që rregullon iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave në veri të vendit.
Udhëzimin Administrativ i cili përmban shtatë nene dhe ka për qëllim “përcaktimin e procedurës së inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativave të qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni”.
Neni 4 i këtij Udhëzimit Administrativ flet për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës.
Në këtë nen thuhet seinicimin e kërkesës mund ta bëjë vetëm një qytetar, mirëpo që kërkesa të jetë e shqyrtueshme, duhet të jetë e nënshkruar nga së paku 20% e votuesve të regjistruar.
Ndërkaq, neni 5, thekson se në rast se konstatohet se kërkesa është mbështetur nga së paku njëzet për qind (20%) e votuesve të regjistruar, organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.
Gjithashtu, neni 5 parasheh edhe se iniciativa qytetare më së largu tridhjetë (30) ditë nga pajisja me dokumentacionin e nevojshëm, duhet të mbledhë numrin e kërkuar të nënshkrimeve.
Ky udhëzim është kritikuar për tjekalim të ligjit.
Ndërkohë, për shkak të situatë në veri, BE-ja ka caktuar datën 14 shtatorin si datë për takimin e kryeministrit, Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.




