“Punë që bëhen”: Hill del me një simetri për kërkesat kosovare dhe serbe, thotë se “jemi në mes të procesit” - NACIONALE

“Punë që bëhen”: Hill del me një simetri për kërkesat kosovare dhe serbe, thotë se “jemi në mes të procesit”

2 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Të dyja palët duan diçka që është punë që bëhet”.

Kështu u shpreh ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, duke vendosur një simetri mes kërkesave kosovare dhe serbe në Dialogun e Brukselit për normalizim të marrëdhënieve; e ku konkretisht u pyet për Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe.

Se Asociacioni do të bëhet, Hill e merr për të mirëqenë, dhe nuk e vendos në dyshim, por se kësaj here, e shtroi pak më ndryshe tërë çështjen, teksa rikujtoi se sa ka mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kjo çështje.

Në lidhje me Kosovën, Christopher Hill, shtroi një çështje si kundërpeshë të këtij Asociacioni: ngecjen në konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë.

Për nga pikëpamja e Kosovës, ata e kthejnë kokën pas në dekadat e fundit dhe shohin se ju nevojiten hyrje/anëtarësime (foothold) më të madhe ndërkombëtare dhe kërkojnë që negociatat të përfundojnë ku ata janë në gjendje të anëtarësohen në struktura evropiane”, ka thënë Christopher Hill në një intervisë në “Nova”.

Në dritë të kësaj, Hill përfundon se “të dyja palët duan diçka që është punë që bëhet”.

Për komunitetin serb në Kosovë, Hill sërish u thirr në “nevojën” për themelimin të Asociacionit, ngase, siç thotë ai, “ata duhet të dinë se si do të duken jetët e tyre”.

Prandaj edhe ShBA’ja i jep kaq shumë mbështetje Asociacionit”.

Christopher Hill i kërkon si Prishtinës, ashtu edhe e Beogradit, që “të mësojnë” nga përvojat e Zëvendës Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesit Special për Dialog, Miroslav Lajçak.

Sa i përket gjendjes së dialogut dhe marrëveshjes për normalizim, dhe mbarë proceseve që vinë e shkojnë me ta, Hill ka edhe një vlerësim interesant.

Nuk jemi në fund të procesit. Jemi diku kah mesi”, u shpreh ai.

Mbase mund të kemi ngecur pak në lloç, por po lëvizim para. Nuk do ta përjashtoja optizmin si mënyrë e të shikuarit gjërat. Nuk shoh arsye për pesimizëm”, ka thënë Christopher Hill.

Ku ka mbetur Asociacioni?

Në takimin e fundit të Nivelit të Lartë ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksnadar Vuçiq, më 2 maj, u shpalua draft-Statuti i parë i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe nga Ekipi Menaxhues, i cili, parë nga pala kosvoare, ishte tërësisht e në mëse 60 pika, “i pa pranueshëm”.

Kurti e quajti “dëshirë të zjarrtë për Republika Srpska” në Kosovë dhe si të tillë “në themel anti-kushtetues”; ndërsa propozoi një, siç tha ai, “draft-Vizion” të paramenduar simbas modelit kroat për pakicën serbe atje; s’do shumë mend, e papranueshme për Vuçiqin.

Vuçiq, po atë ditë, tha se “e goditëm murin” sa i përket Asociacionit duke folur për atë se çfarë platforme ka ofruar Kurti. Ndërkaq, ndërmjetësit megjithatë, ndonëse vërejten se vizionet e palëve “s’kishin se si të ishin më të kundërta”, e quajtën “hap simbolik” drejt themelimit të Asociacionit.

Gabriel Escobar pati vlerësuar se vizioni i palës serbe edhe ai i palës kosovare, që të dyja “ishin serioze”, në një konferencë online për media. Por, këtyre vizioneve “serioze” Escobar tha se duhet që edhe seriozisht t’i gjendjet një mes.

Andaj, palët “duhet të gdhendin propozimet e tyre” për ta shkrirë në një model të pajtueshëm për të dyja palët, elaboronte ai. Sepse ky Asociacion, shprehej i bindur Escobar, është edhe nisësi i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke konfirmuar atë që pretendonte vetëm Serbia, se ata pa zbatimin e Asociacionit nuk nisin as zbatimin e marrëveshjes.

Në dritë me këtë, Escobar shprehej se ky Asociacion do të jetë “platformë për serbët etnikë” ndonëse Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, (kur ishte kategorikisht dhe absolutisht kundër Asociacionit) shprehej se assesi nuk mund të ketë Asociacion të ndërtuar mbi parim etnike.

Kjo platformë, sipas Escobar, do të adresojë “edhe disa prej anktheve – dhe disa prej tyre, do të thoja, janë goxho të arsyeshme – në lidhje me qeverinë qendrore në Kosovë”.

Tashmë situata është kështu, thoshte Escobar: “Topi është në oborret e palëve për të nisur të gdhendin propozimet e tyre për t’i bërë më të pajtueshme për palën tjetër dhe të nisin të kërkojnë për një model të bëshëm evropian(...)”. Tash palët do të paraqesin “versionet më të rafinuara” të tyre për këtë Asociacion, sipas Escobar.

Escobar linte të kuptonte se Asociacioni si i tillë do të vendoset në rishikim “parlamentar dhe ligjor”, dhe kjo për një arsye kryesore. “Që të sigurohet që ajo (Asociacioni) të bëhet i pakthyeshëm dhe pjesë qendrore e normalizim të marrëdhënieve”.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës janë tepër të përqendruara në sigurimin që kjo marrëveshje, për të cilën kemi punuar shumë, të bëhet realitet. Dhe ky realitet – nis me Asociacionin. Kjo – që normalizimi është i qendërzuar në të drejtat e pakicave, veçnaërisht minoritetit serb, në Kosovë. Prandaj është absolutisht kyçe. Andaj, është edhe pritshmëria jonë dhe do të thoja është kërkesa jon që të shkohet para në këtë”, vlerësonte ai.

Lajme të ngjashme