Zëvendëskryeministri serb dërdëllit në Moskë: Protestat po ndodhin se nuk e njohim Kosovën - NACIONALE

Zëvendëskryeministri serb dërdëllit në Moskë: Protestat po ndodhin se nuk e njohim Kosovën

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Protestat në Serbi nuk do të ngjanin sikur udhëheqësia serbe ta kishte njohur Kosovën.

Me këso interpretimi konspirativ, zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vulin, është përpjekur t’i shpjegojë ngjarjet e fundit në Serbi para një audience universitare në Rusi.

Ai ka thënë se sikur Beogradi të kishte vendosur sanksione kundër Moskës, nuk do të kishte pasur këso protesta të mëdha në Serbi dhe Perëndimi nuk do të përpiqej të organizonte një revolucion me ngjyra.

“Nëse udhëheqësia serbe do ta njihte Kosovën, do të hiqte dorë nga Republika Serbe, dhe, më e rëndësishmja, të vendoste sanksione kundër Rusisë, atëherë nuk do të kishte pasur këso protesta revolucionare”, ka thënë Vulin në një ligjëratë të mbajtur në Universitetin Shtetëror të Humaniteteve në Moskë.

Sipas tij, përpjekja për një revolucion me ngjyra po vërehet anëkend vendit.

Ai më tej ka theksuar se protestuesit tashmë kanë filluar të harrojnë çfarë i filloi demonostratat – vdekja tragjike e 15 njerëzve – dhe parullat politike për ndryshim të pushtetit po dëgjohen gjithnjë e më shumë në protesta.

Protestat studentore dhe ato opozitare në vendin fqinj kanë filluar që prej nëntorit të vitit të kaluar.

Ato u nxitën nga vdekja e 15 njerëzve kur një çati prej betoni u shemb në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

Protestuesit kanë bllokuar punën e shumë prej institucioneve të larta arsimore si dhe kanë bllokuar thuajse çdo ditë rrugët.

Megjithatë, akuzat e pushtetit në Serbi se protestuesit janë të nxitura nga vende perëndimore janë përgënjeshtruar disa herë.

Së fundmi, draft raporti i fundit në Parlamentin Evropian, i përgatitur nga raportuesi për Serbinë Tonino Picula, ka adresuar ndër të tjerash edhe këtë çështje.

Në lidhje me krizën politike dhe sociale në Serbi, ai ka dënuar sulmet e dhunshme ndaj protestuesve paqësorë.

Sipas tij, autoritetet serbe kanë bërë “deklarime të pambështetura se shtetet anëtare të BE-së janë përfshirë në organizimin e protestave studentore”.

Kujtojmë këtu se zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vulin, njihet si një nga zërat më antishqiptarë në Serbi.

Në vitin 2012, ai ishte në krye të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Vulin shquhet për deklarimet e tij ku ka avokuar haptas idenë e Serbisë së Madhe, ndërkohë që cilësohet si politikan thellësisht prorus.

Në gusht të 2022-s pak muaj pasi kishte filluar lufta në Ukrainë, me rastin e një vizite në Moskë, ai i kishte thënë ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov: “Serbia është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka vënë sanksione dhe nuk është pjesë e histerisë antiruse”.

Sa kohë ishte në krye të inteligjencës serbe, BIA, Departamenti amerikan i Thesarit e përfshiu atë në listën e sanksioneve.

Në vendimin e marrë më 11 korrik 2023, Vulini akuzohej për “veprime korruptive e destabilizuese që kanë lehtësuar veprimtaritë keqdashëse ruse në rajon”, përfshirë edhe trafik droge dhe mbështetje të dërgesave me armë të paligjshme.

Si hakmarrje, më 30 janar 2024, presidenti rus Vladimir Putin i akordoi atij Urdhrin e Miqësisë, akt që u realizua në zyrën e Shërbimit të Jashtëm të Inteligjencës (SVR) në Moskë.

Lajme të ngjashme