Luledielli ynë dhe pesë idetë e mëdha
Për hir të popullit që i rri besnik Albin Kurtit, ligjërimi për të ka vërtet nevojë që të hidiset nga e para. Për 342 mijë e 331 njerëzit që e votuan së fundmi, ne duhet të jemi mjaftueshëm empatikë sa t’i japim hakun për secilën të arritur. Ashtu sikurse në biografinë që do t’i qëndiset në një të ardhme të afërt, ai duhet të peshohet me dritëhijet e tij, pra jo vetëm me ato gjëra që nuk i bëri asnjëherë, por edhe për ato ide, fëmijërore, banale ose të tejkohshme, që ia doli t’i jetësonte. Parasëgjithash, ai ishte kryeministri që u sprovua me gjithçka, i pari nga tanët që me vendim qeverie urdhëroi kafehanet, mejhanet e pijetoret t’i shërbenin myshterinjtë me një bardak ujë.
12 korrik 2026 – Le të bëhemi për një të qindtën e sekondës mbështetës të Albin Kurtit dhe trashëgimisë së tij qeverisëse.
Duke i këmbyer rolet, detyra jonë është t’ua japim hakun të mbërrimeve të tij ndër vite.
Nëse kundërshtarët me gjuhën zeher mohojnë gjithçka, ne do t’i çarmatosim ata duke përmendur vetëm fakte, dokumente e vendime, domethënë gjëra që janë të vërtetueshme.
Kur ata kërkojnë të shohin diçka të prekshme, ne plot konfidencë do të përmendim gjëra që në të vërtetë vetë Kurtin e patën ideator.
Edhe nëse ato janë mbuluar nga pluhuri i harresës, avokatia e ka për detyrë ta zërë në gojë nijetin e mirë të klientit në mbrojtje.
1. Alarmi 30 sekondësh në kryeqytet
Asnjëherë në jetë nuk veshi uniformë ushtarake, nuk u pagëzua në zjarr dhe kur atdheut iu deshën djemë me këllqe, ai do të thoshte me një anglishte të qëruar: “Unë kurrë nuk do t'i rrok armët”.
Ky kapitull antiluftë nuk do ta pengonte Albinin që në vitet e pasluftës të jepte ide për luftën.
Sa kohë drejtoi Vetëvendosjen kur ajo ishte një organizatë e tipit grassroots, bashkëpunëtorët e tij do ta dëgjonin me dhjetëra herë të parin e tyre tek i ushqente me ide grandomanie.
Ishte një militarizëm i një kohe që nuk vjen më.
Një prej tyre ishte që shoqëria të kalitej me psikozë lufte përmes alarmeve të sigurisë.
Ideja, çuditërisht, e gjeti rrugën e jetësimit kur atë e bleu miku i tij, Shpend Ahmeti, kur u bë bashkiak i Prishtinës.
Me të marrë pushtetin në kryeqytet, njerëzit e Vetëvendosjes i përvolën mëngët që ta aktivizonin ‘Sistemin e Alarmit’.
Nga 2014-a e gjer më sot, Komuna e Prishtinës e ka bërë si adet që t’i testojë alarmet publike disa herë në vit.
Ndonëse albinkurtistët nuk e drejtojnë më Prishtinën, qeveritë pasuese me ose pa vetëdije do të ruanin këtë praktikë.
Mjafton të lexohen njoftimet publike që afishohen në faqen zyrtare të kryeqytetit ose në rrjete sociale, dhe Drejtoria për Siguri e Emergjenca shpesh u bie ‘borive’ të tilla.
Kështu, kumbimet me tinguj të njëtrajtshëm, dy herë nga tridhjetë sekonda, përshkojnë Prishtinën skaj më skaj.
Nuk duket asnjë armik në tokë a qiell, madje fatmirësisht nuk ka as trandje sizmike, por alarmet vijojnë të bien për kërcënimet imagjinare që popullonin fantazitë kur Albin Kurti ishte në të tridhjetat e tij.
2. Kifle dhe qumësht për filloristët
Me jetë shumë më të shkurtër ishte ideja tjetër e Kurtit që blihej e shitej si ‘vizion’ i tij për shkollat fillore të kryeqytetit.
Që nga 2005-a kur Kurti i përjashtuar nga shoqëria merrej me publicistikë në ato pak media të shkruara që e mëshironin, ai përpiqej t’i mrekullonte lexuesit me diçka që i dukej si ide taze.
Një vizitë kazuale e bërë në Universitetin e Max van der Stoelit në Tetovë, atë që sot njihet si Universiteti i Evropës Juglindore, do të shkrepte në kokën e rebelit të pasluftës një ide për aftësitë ‘mrekullibërëse’ të socializmit.
Shujtat ditore për studentë e nxënës, e mendonte ai vetëmevete, do të krijonin një soj të ri shoqërie që ushqehet njësoj.
Edhe këtë ide do ta bënte të mundur miku i tij, Shpend Ahmeti, që filloi ta vinte në zbatim për shkollat fillore në komunën e Prishtinës.
Midis notave komike e përqeshjeve, qeverisja lokale e Vetëvendosjes krijonte skena ku filloristëve prishtinas iu jepeshin kifle e qumësht i ambalazhuar.
Për dëshpërimin e partisë, vogëlushëve nuk iu merrej dot buzëqeshja e lumturisë për shujtën.
Gjithsesi, ideja ishte e dënuar të vuante prishjen e Kurtit me mikun e tij.
Pas përfundimit të mandatit të Shpend Ahmetit, edhe sadaka me kifle e qumësht do të braktisej e do të përfundonte si një kujtim i largët.
3. Pazari me rrota
Sa kohë e kishte qeverisjen në duar, Vetëvendosja e Kurtit nuk shquhej as me vizione dhe as me kreativitet përballë nevojave të pafundme të qytetit me popullatën më të madhe në vend.
Gjithnjë i frymëzuar nga fantazitë e majta, Kurti do t’i mrekullonte bashkëpunëtorët e militantët partiakë edhe me idenë tjetër që bereqeti bujqësor të rritej.
Nuk është se kishte harxhuar kohë që ta pleqëronte në terma ekonomikë, por atë e kishte menduar si ‘treg mobil’ që do të hapej njëherë në javë në kryeqytet.

Pa ndonjë sforcim për të pyetur ekonomistë, prodhimit bujqësor i nevojitej dhe i nevojitet krijimi i mundësive për eksport jashtë vendit.
Kurti nuk dertohej për kompleksivitetin e gjësë, por besonte se vetëm ekspozimi i gajbeve dhe kavanozave me pemë e perime mjaftonte që prodhimi vendor të duket i bereqetshëm.
Nga ajo kohë e deri më sot, ‘tregu mobil’ është bërë një skenë e rregullt javore te hapësira para hotelit ‘Grand’ dhe te përmendorja e Bill Clintonit në Dardani.
Kështu, pazari me tezga të lëvizshme mund të numërohet si një nga të arriturat më pak të përmendura të Kurtit kurdo që do t’i shkruhet biografia.
4. Një bardak ujë për myshterinjtë
Një tjetër ide e guximshme e Kurtit që e pati fatin të bëhej dekret qeverie ishte ajo për ujin ‘falas’.
Njësoj me elemente të logjikës së sadakasë, vendimi i fuqizuar më 4 korrik 2022 urdhëronte që të gjitha lokalet e gastronomisë (resotrante, kafene e bare) t’i shërbenin myshterinjtë me ujë çeshme.
Për ata që e njohin nga afër, Kurti shpesh i detyron të tjerët rreth vete t’i shpjegojnë për publikun gjërat që janë vërtet të bezdisshme ose qesharake.
Kjo hise padenjësie i pati rënë ish-ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi.
Sipas tij, kafenetë duhej t’i shërbenin myshterinjtë me ujë, sepse kështu do të vendoseshin “standarde normative të ujit”.

Edhe kjo ide nuk do ta kishte të gjatë jetën, madje qysh në ditët e para u shndërrua në objekt talleje.
Në të vërtetë, më së shumti pësuan kamarierët e keqpaguar kur klientë me humor të dhjerë i bezdisnin me dhjetëra herë “Djalo, bima nji ujë të Albinit”.
Por, rrjeti i gastronomisë nuk do t’i rrinte pip në këmbë këtij dekreti të Albinit.
Katër vite më vonë, ideja e ujit nëpër kafene, mejhane e pijetore ka mbetur e zbatuar copa-copa.
5. Fabrika e keçapit në Banullë
Duhet të pranohet që Kurti më së shumti u tregua i zhdërvjelltë për t’i bërë për vete njerëzit me premtimin për ‘hapje fabrikash’.
Në kushtet e një shoqërie postkomuniste që as pas tridhjetë e kusur vitesh nuk i ka kuptuar shartet e ekonomisë së tregut të lirë, Vetëvendosja nuk do ta lëshonte t’i ikte nga duart rasti për të mashtruar gjindjen.
Një pjesë jo e vogël e publikut në Kosovë vazhdon të besojë marrëzisht se shteti mund të hapë fabrika.
Dhe ky marifet ndodh pavarësisht se ekonomitë centraliste tash e tre dekada nuk ekzistojnë në Evropë dhe pjesën më të madhe të botës.
Duke e ditur këtë, Kurti prapë do të argëtohej pa mëshirë kur mbështetësve të tij iu premtonte ‘fabrika’.
Me gjasë më 2019 ose edhe më herët, gjatë një takimi në një odë në Banullë të Lipjanit, ai i çoi peshë zemrat dhe fantazitë e fshatarëve që po e dëgjonin gojëhapur.

Atyre iu tha se ishte shumë lehtë që të hapej një fabrikë e keçapit që do të shërbehej vetëm me domate të prodhuara në vend.
“A mujmë me i bindë njerëzit me mjellë domate tu iu thanë mjellni domate? Ata nuk mjellin domate nëse iu thojmë me mjellë domate, por ata mujmë me i bindë veç nëse jau ndërton nji fabrikë të keçapit, qatherë krejt kanë me mjellë domate”, thoshte qesim Kurti teksa të pranishmit ia miratonin fjalët.
Ashtu siç edhe pritej, shtatë vite më pas, Banulla dhe as ndonjë fshat në vend nuk pa të ndërtohej fabrika e keçapit apo ndonjë tjetër.
Si kryeministër, Kurtit nuk pati zemër që të jepte leksionin e nevojshëm se asnjë qeveri nuk mund të krijojë fabrika.
Nuk iu tha njerëzve asnjëherë se ka ikur në pakthim koha kur shtetet socialiste e komuniste hapnin fabrika me vendim shtetëror, madje edhe i financonin me para publike edhe sikur ato të mos prodhonin asgjë.
Sidoqoftë, libri i parë biografik për Kurtin, kurdo që e sheh dritën e botimit, do ta ketë një kapitull me ide të realizuara, ide që u realizuan për pak kohë, dhe ide që nuk u realizuan për jetë të jetëve siç qe fabrika e keçapit në Banullë. /Nacionale/