Zëdhënësi 'edhe i pakënaqësisë' së BE-së me Kurtin, i thotë që dialogu s’është valvitje letrash në publik - NACIONALE

Zëdhënësi 'edhe i pakënaqësisë' së BE-së me Kurtin, i thotë që dialogu s’është valvitje letrash në publik

1 javë më parë

nga Xhezair Dashi

Takimi i së enjtes në Bruksel nuk prodhoi marrëveshje, por një mal me polemika. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk tha asnjë fjalë për çka ndodhi brenda takimit të Nivelit të Lartë pa e pritur Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, të përfundojë fjalën e tij. Pas tij, Kurti doli, me një fiziognomi që 'bërtiste' nervozizëm – e ku edhe lajtmotivi i krejt asaj që kishte për të thënë ishte se “ndërmjetësit pranuan kushtëzimin e Serbisë” dhe për më tepër “e bënë qëndrim të tyre” atë çfarë donte Beogradi. Bëri edhe atë që tashmë e ka shndërruar në strategjinë primare të tij – të fitimit të betejës të dialogut jo në tryezë, por te publiku i brendshëm, përkatësisht te shtrati elektoral i tij.

Nxori një letër ku kishte shkruar propozimin e tij për sekuencim të zbatimit të Marrëveshjes Bazike, e që siç kishte ngulur këmbë, të nisej me formalizimin e aspekteve që rëndom interpretohen të konkretizojnë atë që quhet “njohje de facto” të Kosovës nga Serbia. Por, këtë s’ia kishin pranuar. Megithatë, në mendjet elektorarit të tij, ajo jepej thuajse të ishte vetë Dekalogu. Triumf? Po, në marrëdhënie me publikun.; Jo, në dialogun për normalizim të marrëdhënieve.

Përkthyeshëm: për Kurtin del të jetë më me rëndësi bindja e (le të themi) 51% të elektoratit kosovar që supozon ta ketë ende votues, se sa më shumë se 51% të botës, i.e, mbarë komunitetin Trans-Atlantik që Kosovën e ka njohur dhe pjesë e së cilës synon të bëhet, e që e cila tashmë edhe e ka sanksionuar Kosovën. Por, tjetër gjë kjo. Të kthehemi të BE-ja që udhëheq procesin.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, duke parë krejt vrerin që Kurti shkarkonte mbi ndërmjetësit për anshmëri të pretenduar ndaj Beogradit, në një përgjigje për Nacionalen, do të thoshte fillimisht se “Kurti vazhdon të pretendojë shumë gjëra”. Stano në veçanti do ta godiste Kurtin në valvitjen e tij të kahershme të dokumenteve që propozon në tryezë; ose mbase që i propozon në funkson të kapitalizimi mbi to në PR-in e tij.

(Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti) vazhdon të pretendojë shumë gjëra. Dialogu nuk është të publikosh letra. Por, është të nxjerrësh rezultate përmes kompromisit”, na tha në një përgjigje me shkrim zoti Stano.

E njëjta gjë Stano-n e kishte acaruar edhe me çështjen e “planit pesë-pikësh për shtensionim në veri” ku Kurti e nxirrte nëpër konferenca për media, thuase ishin pesë pika të hartuara nga vetë Euklidi; e ku në një cicërimë në Twitter, ia kishte kthyer me një të Borrell-it ku në mbishkrim kishte vendosur përgjigien “pasi pamë letrën e stër-publicizuar të Kurtit...ja edhe përgjigja e Borrellit”.

Stanos, mëpastaj, siç duket iu ngritën nervat edhe nga një deputete mediokre e Lëvizjes Vetëvendosje, që e mban emrin Arbreshë Kryeziu, e cila në varg me reagimet e partisë, u mëshoi ndërmjetësve për anshmërinë e pretenduar ndaj Beogradit.

Zëdhënsi ia vuri në dyshim mendjen e shëndosh, duke e vlerësuar komentin e saj si “pa bazë racionale” në një përgjigje për gazetën “Express”. “Ne zakonisht nuk komentojmë në komente, veçanërisht në të tilla që iu mungon ndonjë bazë racionaliteti”, tha Stano.

Ditën tjetër Stano do të dilte në konferencë për media ku një fjali do të ishte mbase më ikonikja në dritën e refuzimit të propzimit të BE-së (të mbështetur në plotni nga ShBA) nga Kurti. Tha se “nuk ke çfarë bën” kur dëshiron t’i ndihmosh dikujt, por ai vetë nuk dëshiron të ndihmohet.

Nëse ti dëshiron që të ndihmosh dikë dhe ai nuk do që të jetë i ndihmuar, atëherë çfarë mund të bësh”, tha zëdhënësi në konferencën e tij ditore për shtyp.

Ndërsa, më goditsja, ishte sa i përket (mos)heqjes së sanksioneve të unionit njëzet e shtatë shtetësh evropian ndaj Kosovës. Masat mund të hiqen, tha Stano, por edhe mund të shtrëngohen e rëndohen edhe më tej – kjo krejt varësisht nga rrjedhshmëria e dialogut.

Nëse masat kanë sukses në terme të deeskalimit – ne sigurisht ende s’kemi para shtensionim të plotë, s’kemi parë ende hapa kuptimplotë, disa hapa janë ndërmarrë që janë mirëpritur – por duhen ende hapa që duhet të ndërmerren. Ka ende potencial për shtensionim, fatkeqësisht”.

“Masat janë të përkohshme, masat janë ndërmarrë nga shtetet anëtare sepse të gjithë janë pajtuar se tani ne duhet të përdorim jo vetëm karotat, por edhe shkopinjtë. Dhe ato do të qëndrojnë derisa shtetet anëtare mendojnë që ato janë të nevojshëm. Ne mund t’i zbusim, por edhe mund t’i shtrëngojmë, nëse e kërkon situata”, tha Stano.

Lajme të ngjashme