Sheqer-thartia e Lumir Abdixhikut - NACIONALE

Sheqer-thartia e Lumir Abdixhikut

2 orë më parë

nga Xhezair Dashi

Efektiviteti zgjedhor, dhe arsyet pse dhe si, të Albin Kurtit, s'janë kurrgjë e re. Arçetipi i tij njihet përgjatë tërë historisë. Aftësia për të lajkëtuar publikun si një sheqerxhi që shoqërinë e dërgon deri në diabet embëlsie i dimë që nga shtjellimi që Sokrati bën në përballje me Kalikleun te "Gorgjias," të regjistruar nga Platoni.

Dhe kur sheqerxhiu demagog para jurisë së fëmijëve e denoncon doktorin se ky "u ka shtirë në fyt gjëra të idhëta, u ka lënë pa ngrënë, dhe mohuar kënaqësitë," ata, fëmijët, me të vetmen referencë dijeje kënaqësinë "më pëlqen, s'më pëlqen," sigurisht se e dënojnë doktorin. Doktori s'mund të përgjigjet me asgjë tjetër se "e kam pasë për shëndetin tuaj."

Për fatin tonë të keq, 2 mijë e 400 vite më vonë në Kosovë jemi te kjo analogji, veçse s'kemi doktor, vetëm imitues të sheqerxhiut që s'mund t'i thonë jurisë së fëmijve se "e kam pas për shëndetin tuaj." Fëmijët thjesht zgjedhin bonbonat e Albin Kurtit, ndërsa rivalët e tij shohin te recepta e librit të gatimit të kryeëmbëltarit.

Shih programin zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës që edhe Kominterrni ku ngarend ideologjikisht Albin Kurti do ta shtypte me konkluzion: jo aq ëmbël, jo aq majtas. Dhe do të ishte material i brendshëm të qeshurash mes socialistësh...

Lumir Abdixhiku s'ka as lajkë as zanat. Lajkën dhe zanatin këtu i përdor si shtjellimi i Sokratit në atributvëniet ndaj sheqerxhiut dhe doktorit. Për pesë vite, ai thjesht ishte mjaftueshëm fortun dhe oportun, të shpëtojë fytyrën e vet disi.

"Për besë ata që e kanë sjellë LDK-në në 13%, s'kanë drejtë as morale të flasin," pati folur Abdixhiku në një nga intervistat e para si kryetar partie, derisa kthesën që proklamonte se do ta bëjë po shtjellohej nga veprimet e tij rezultatet e të cilave, me nje buzëqeshje optimiste në buzë, na ftonte të besojmë se do të jenë rezureksion i vizionit të tij.

Pese vite më vonë, ai po i do edhe pesë tjera e pesë të tjera, se mos nxjerr formulë karamelizimi të vetin për të hyrë edhe vet si start-up me kioskë candy-popullizmit elektoral. Ai mund të fitojë ndaj Albin Kurtit, siç edhe e di edhe vetë, kur të humb vetë Albin Kurti. Një paramendim të tillë madje ai e kishte artikuluar edhe vetë.

Është dije fatkeqe, por elementare politike, qe përgjatë historisë, është dukja ajo që qeveris. Të gjithë të shohin çka e si dukesh, pakkush çka je. Defekti i doktorit aty konsiston në mungesë të inteligjencës politike-pa-etikë për t'u dukur dhe mbështjellë pilula të hidhëta me një shtresë të pëlqyeshme për shqisat, përkatësisht për të fituar votën.

Por juria e fëmijve do ta dënojë gjithmonë aktivisht doktorin, sepse refuzimi i doktorit për të lajkëtuar dhe ëmbëlzuar është provokim dhe parehati e madhe popullore.

Albin Kurti këtu, siç e shtjellon filozofi spanjoll Gjorgj Santajana te "Dashuria dhe Urrejtja për të Vërtetën," ka arritur që fëmisë së tij (që edhe e quajnë 'Baba') t'ua ngrisë paragjykimet më infantile në nivel të së vërtetës. Nëse dikush, një tregim që ata e kanë absorbuar, ua tregon për së dyti me ndryshime në përmbajtje, shpirti i tyre i vogël proteston "sepse kanë ndërtuar mbi të," thotë Santajana.

Lumir Abdixhiku paramendoi se me zëvendës chef-en e këtij gatimi ëmbëltoral/elektoral, por të çlincesuar nga Vetëvendosja, Vjosa Osmanin, mund të shishmojë votë.

Fshehja vullnetare e tij pas saj, të bërit shoferin e saj, dukja e tij i vogël në prani të saj, shprevënia e tij e tërë në të, eskapizmi i tij absolut në të, të luajturit e të marrit të saj, të vendosurin ekskluziv të tërë ofertës së partisë së tij në të, e cila ekskluzivisht ishte aty për një dhe të vetmën kërkesë, "Dua të jem presidente, me çdo kusht," e bëri LDK-në gjë të papërbishme si te votuesi më krudo, si te ai i gdhendur politikisht.

Dhe, pa marrë asnjë mësim, ai mbrëmë tha se "do të jem aty ku është Vjosa."

Dhe, kjo assesi s'do t'i binte: do të jem lider opozitar.

Kresë i ra votuesit të LDK-së shpëtimi i Vjosa Osmanit me shpëtim përmes Vjosa Osmanit: dyshja e tregimit Munchhasian që ngren veten për flokësh nga balta. Pët të nxjerrë shoqi-shoin nga balta, njëri duhet të jetë në tokë të sigurt.

Njëri kryetar partie me shumicë thjesht teknike, tjetra me dredhëza të derdhura që i kishte vetëm në një shportë, atë të Vetëvendosjes, natën e 7 qershorit dolën të palavdishëm. Njëri duke bërë gjeste meme-je me duar, tjetra duke kërkuar "më bëni Presidente."

Dikush edhe mund të respektohet kur e luan dorën me të gjitha që i ka, dhe me një të hedhure zari i humb krejt. Por, humbja shihet drejt në sy, dhe dihet arsyeja dhe përkushtimi shtyes. Problemi i të fytyrë-shpëtuarit të përhershëm është se ai e pandeh veten fitues, dhe titullar të parevokueshëm të garës që gjithmonë e humb, përvec postin e të parit të partisë.

LDK-ja, kështu siç është, e ka humbur çfarëdo tërheqje elektorale. Nga ajo elektoralisht tërheq vetëm Vetëvendosja. Një LDK, kështu siç është, e do vetëm Vetëvendosja. E do Dejona, e cila ka nisur të bëjë "Apologjinë e Lumirit," edhe vetë, edhe përmes trupave të spindoktorëve që i menaxhon si potbotë. Xhevdet Pozhari e pagëzoi edhe si "lider." Lumiri "i oligarkëve dhe bizneseve," u bë dinjitar.

Lumiri ka humbur qëmoti dhe humbësin e duan vetëm ata që e mundin kollaj. Sepse, pse mos ta dojë atë mundësi? Ja ku e ke një kundërshtar që kur të duash e ke të garantuar që e mund. Që ke përvojë se e mund. Ja ku e një "thartirë" që s'i blen fëmi bonbon, dhe s'ka as ilaq doktori. Një imitues i ynë që na shërben, por s'di shërbet.

Le ta kemi për kundër-provë.

Le ta kemi këtë lum-të-mirin-tonë.

Lajme të ngjashme