Vota dërmuese e diasporës për Vetëvendosjen ndërron krejt raportin e forcave në Kuvend, nga 48-52 në 53-47
Pesë mandate me votë ekskluzivisht të diasporës i shtoi Vetëvendosja e Albin Kurtit.
Nga 48 mandate prej votës së brendshme, Vetëvendosja mori dy mandate nga PDK-ja, dy nga LDK-ja dhe një nga AAK-ja, duke arritur 53 deputetë.
Rezultati po konkludohet me votat me kusht dhe ato me nevoja të veçanta, që ndjekin trendin e votës së brendshme.
Vetëvendosja është mbi 47%, vetëm katër deputetë më pak se në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Numrat, megjithatë, s'janë premtues për Kurtin për zgjedhje të presidentit, që ishte edhe arsyeja e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Kurti nuk ka dhënë indikacione se do të zgjerojë numrat me opozitën për zgjedhjen e presidentit përmes një koalicioni paszgjedhor.
Moszgjedhja e presidentit e çon vendin në zgjedhje të reja, më së largu 60 ditë nga konstituimi i Kuvendit.
Për më tepër, ai ka lënë të kuptohet se do të procedojë me zgjedhjen e qeverisë, kontra Paragrafit 162 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Ky paragraf përcakton se e para gjë pas konstituimit është zgjedhja e presidentit.
Pyetur nga gazetarët, Kurti la të kuptojë se Vetëvendosja nuk do të ndryshojë kursin nga legjislatura e kaluar, por se "opozita duhet të ndryshojë."
Studiuesi Agon Maliqi tha se raporti 53/47 është "mandat për të qeverisur, jo për të sunduar."
"Ose Kurti arrin konsensus politik për presidentin dhe çështjet strategjike, ose shkojmë prap në zgjedhje në vjeshtë," tha ai.
Maliqi thërret që opozita "nuk duhet të ketë frikë" nga zgjedhjet e reja. "Kushdo që heq dorë nga parimet do të zhduket politikisht në ciklin e ardhshëm zgjedhor," tha ai.
"Partitë opozitare nuk kanë mandat për t'i mundësuar Kurtit sundim mbi Kosovën dhe dorë të lirë në orientime strategjike." Duke njohur strategjinë e Kurtit, Maliqi tha se opozita duhet të përgatitet edhe për skenarin e zgjedhjeve.
Gazetari Adriatik Kelmendi vërejti se asnjë subjekt politik nuk ka marrë leje demokratike për të qeverisur vetëm.
"LVV-ja humb 4 deputetë, LDK-ja shton 3, AAK-ja 1 më tepër. Votuesi nuk ia ka deleguar asnjë subjekti të drejtën t'i bëjë institucionet vetë," shkroi ai.
Me 53 mandate dhe nëntë deputetë të pakicave joserbe, Kurti mund të formojë qeveri. Por kjo mbetet qeveri e brishtë, dy muajshe, pa zgjidhje për presidentin.
Kurti gjatë një eventi në Malishevë kritikoi Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për rastin Pacolli, duke e cilësuar "aktivizëm juridik, amandamentim, rishkrim." Shtoi se për atë aktgjykim "ka pasur kritike kredibile."
Për presidentin, ai tha se "nuk mund ta zgjedhim vetë."
"Ne do të përpiqemi për sa më shumë bashkëpunim me opozitën sa i përket zgjedhjes së presidentit ose presidentes," tha Kurti, pa dhënë indikacione për koalicion qeverisës me opozitën.
"Për të ecur përpara ka nevojë të përfundojë sjellja refuzuese e opozitës. Ndërkohë ne duhet të jemi kreativ, konstruktiv, aktiv," tha ai.