LDK para një viti, tash edhe PDK-ja e Aleanca e çojnë në Prokurori Speciale kabinetin deputeto-qeveritar të Kurtit
Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar të mërkurën kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Albin Kurtit dhe anëtarëve të Qeverisë në dorëheqje.
Kallëzimi lidhet me ushtrimin e njëkohshëm të funksioneve ekzekutive dhe mandateve parlamentare nga anëtarët e kabinetit që janë certifikuar dhe betuar si deputetë.
Sipas PDK-së, kjo përbën shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, ndërsa Prokuroria kërkohet të hetojë përgjegjësinë penale të zyrtarëve.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se ndërhyrja e Prokurorisë është e nevojshme për zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe dispozitave kushtetuese.
“Po ashtu në kallëzim kemi përmendur edhe shpërdorimin e detyrës zyrtare, sepse duke mbajtë funksione të paligjshme janë shpërndarë mijëra euro”, tha Gruda.
Sipas kallëzimit, kabineti deputeto-ministror kanë vazhduar ushtrimin e funksioneve qeveritare nga 6 korriku, ndonëse në ndërkohë kanë marrë mandatin e deputetit.
Dokumenti i PDK-së përmend mbledhjen e 32-të të Qeverisë, të mbajtur më 12 gusht, ku u miratuan 24 vendime.
Vendimet përfshinin ndarjen e 100 mijë eurove, shpronësime, dhënie me qira të pronës publike dhe emërime në pozita të larta drejtuese.
Qeveria në detyrë miratoi gjithashtu themelimin e Komisionit Kombëtar për Refugjatë dhe vendime të tjera administrative, financiare dhe institucionale.
Për PDK-në, këto veprime tregojnë se një kabinet në dorëheqje ka tejkaluar kompetencat që i lejon kuadri kushtetues.
Aktgjyikimi të Gjykatës Supreme i 7 korrikut 2025, e pati trajtuar pikërisht konfliktin mes mandatit parlamentar dhe funksionit ministror.
Supremja e pati shpallur të paligjshëm një udhëzim administrativ të Ministrisë së Financave, të nxjerrë nga Hekuran Murati pasi ishte certifikuar si deputet.
“Sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar”, thuhet në aktgjykim.
Gjykata vlerësonte se akti ishte nxjerrë nga një autoritet pa kompetencë ligjore dhe në kundërshtim me parimet e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve.
Instituti Kosovar për Demokraci e lidh këtë precedent me kabinetin aktual, ku 19 nga 21 anëtarët e Qeverisë në detyrë janë deputetë të certifikuar.
“Çdo vendim i marrë prej tyre, qoftë si ministra veçmas apo kolektivisht si anëtarë të Qeverisë, është marrë pa autoritet ligjor”, deklaroi Eugen Cakolli.
Aktgjykimi i Supremes përcakton gjithashtu kufizime për një qeveri në detyrë, duke e orientuar atë drejt aktiviteteve të domosdoshme dhe të planifikuara.
Megjithatë, kabineti në detyrë me deputet-ministra ka vazhduar të marrë vendime që prekin financat publike, administratën dhe organizimin institucional.
Kjo, megjithatë, nuk është hera e parë që një parti opozitare e ka dërguar këtë çështje në prokurori.
Një vit më parë, Lidhja Demokratike e Kosovës kishte paralajmëruar kallëzime penale për vendimet e marra nga anëtarët e Qeverisë pasi ishin certifikuar si deputetë.
“Nga data 27 mars qytetarë të thjesht kanë marrë vendime në ndërtesat e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar Hykmete Bajrami.
LDK-ja kishte argumentuar se vendimet e marra pas certifikimit ishin të paautorizuara dhe kishte paralajmëruar sfidimin e tyre në institucionet kompetente.
Sot, një vit më pas, PDK-ja e ka kthyer të njëjtën çështje në kallëzim penal, ndërsa Qeveria vazhdon të marrë vendime.
Për opozitën dhe organizatat që kanë ngritur këtë shqetësim, përgjigjja është se Kurti veçse do vazhdimin e pushtetit e vet me çdo kusht, edhe përtej rendit ligjor dhe kushtetues.
“Çdo ditë vonesë po e kthen shkeljen e Kushtetutës në metodë të qeverisjes dhe paligjshmërinë në mjet për vazhdimin e pushtetit”, tha Cakolli.