Zbulohet sasi rekorde e kokainës me vlerë 677 milionë dollarë e mbi 2 milionë në qese në Australi - NACIONALE

Zbulohet sasi rekorde e kokainës me vlerë 677 milionë dollarë e mbi 2 milionë në qese në Australi

3 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Një rreth ndërkombëtar i drogës është goditur rëndë përmes një operacioni të përbashkët të forcave të rendit në Australi dhe në Shtetet e Bashkuara, duke zbuluar 2,4 tonë kokainë në një anije afër brigjeve të Amerikës Jugore, që ishte planifikuar të dërgohej në Australi.

Kokaina e lidhur me një kartel meksikan të drogës ka vlerë tregu prej rreth një miliard dollarësh australianë ose rreth 677 milionë dollarësh amerikanë dhe është e krahasueshme me gjysmën e sasisë së kokainës që konsumohet brenda një viti në Australi, raporton agjencia “Reuters”.

Dymbëdhjetë persona të dyshuar janë arrestuar dhe u janë ngritur akuza për këtë rast, thuhet në një deklaratë të policisë në Australinë Perëndimore. Hollësitë e rastit u publikuan për herë të parë, pasi operacioni filloi në nëntorin e kaluar, kur agjencia amerikane kundër drogës, DEA, e kishte penguar anijen.

Policia australiane e zëvendësoi dërgesën me kokainë të rreme, të paketuar në mënyrë të njëjtë, dhe e hodhi atë në det, rreth 40 milje detare në perëndim të kryeqytetit rajona, Perth, më 28 dhjetor.

Tre anëtarë të dyshuar të një dege australiane të një bande droge me 1,2 ton kokainë të rreme u arrestuan më 30 dhjetor, pasi dyshohet se kishin bërë lundrime nëpër det të trazuar për t’i marrë pakot.

Nëntë persona të tjerë u arrestuan deri më 13 janar, përfshirë ndalimin e në trafik në një autostradë rreth 600 kilometra në lindje të qytetit Perth, ku policët gjetën më shumë se 2 milionë dollarë australianë.

Lajme të ngjashme