VV-ja kritikon Ramën për etiketim të gjyqtares Pacolli, harron sulmet brutale të Kurtit e Haxhiut ndaj gjyqësorit
Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prishtinë, ka kritikuar mbrëmë të parin e kryeqytetit, Përparim Rama, për etiketimet ndaj gjyqtares Vlora Pacolli. Por, kjo parti ka harruar sulmet e vazhdueshme të kryeministrit Albin Kurti dhe ministres Albulena Haxhiu ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, raporton Nacionale.
Vendimi i Gjykatës Komerciale për të ndaluar punimet në projektin e Rrugës “A” në Prishtinë ka nxitur reagime të shumta. Reagimet morën përmasa tjera kur u kuptua se gjyqtarja që kishte vendosur për këtë çështje ishte Vlora Pacolli, motra e deputetes së VV-së, Fitore Pacolli.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe zyrtarët e tjerë të LDK-së kritikuan këtë vendim, duke thënë se është i motivuar politikisht.
Kritikat e zyrtarëve të LDK-së ndaj gjyqtares në fjalë kanë habitur Lëvizjen Vetëvendosje. Kjo e fundit, përmes një reagimi, ka vlerësuar se etiketimi i gjyqtares është politik.
“Është për çdo kritikë dhe për t’u denuar reagimi i Kryetarit të Prishtinës në lidhje me këtë çështje. Etiketimi i gjyqtares së rastit dhe deklarimi se vendimi është politik e ka për qëllim bllokimin e projekteve në Prishtinë, është tendencë e Përparim Ramës për ta mbuluar dështimin e vet të pashmangshëm dhe tashmë evident”, është thënë në reagimin e degës së VV-së në Prishtinë.
VV-ja nuk i përmend sulmet e Kurtit ndaj gjyqësorit
Në këtë mënyrë, VV-ja ka harruar kritikat që zyrtarët më të lartë të kësaj partie kanë shprehur dhe shprehin vazhdimisht ndaj gjyqësorit.
Pikërisht në kohën kur ishte lëshuar reagimi i VV-së ndaj kryetarit Rama, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhi dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishin shkruar statuse të ashpra ndaj sistemit gjyqësor për lirimin me dorëzani të serbit Dejan Pantiq.
E para, kishte thënë se me këtë logjik sistemi aktual gjyqësor mund t`i lirojë edhe terroristët e sulmit terrorist të 24 shtatorit.
“Të gjithë kriminelët të cilët sulmuan policinë dhe cenuan rendin kushtetues, Gjykata i ka liruar me dorëzani! Si ka nisur kështu, nuk është larg mendsh nëse edhe terroristët e sulmit terrorist të 24 shtatorit t’i lirojnë me dorëzani. Kjo veq drejtësi nuk është! E papranueshme. I bëj thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës, t’i trajtojë këto raste dhe të mos lejojë keqpërdorimin e dorëzanisë”, ka shkruar Ministrja Haxhiu në profilin e saj në “Facebook”.
Edhe ministri Sveçla ka kritikuar ashpër gjyqësorin për lirimin e Pantiqit, i cili dyshohej për terrorizëm.
Sipas tij, asnjëra nga masat që i janë vendosur Pantiqit nuk ka të bëj me dretesinë.
“Policia arreston terroristët, këta me paranë e krimit e blejnë lirinë me dorëzani. Sot pamë që terroristi Dejan Pantiq, i cili ka cënuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës e ka sulmuar Policinë dhe objektet e KKZ-së vitin e kaluar, iu paska lehtësuar masa nga Gjykata. Nga arresti shtëpiak, në lirim me dorëzani. As masa e parë dhe aq më pak kjo e dyta nuk kanë të bëjnë me drejtësinë. Mos të harrojmë që një pjesë e konsiderueshme të kriminelëve që vepronin në veriun e vendit tonë e që sulmuan insitucionet e Republikës së Kosovës, Policinë e Kosovës, pjesëtarët e misioneve të huaja dhe gazetarët, janë lënë të lirë në këtë formë. Mund të supozojmë pastaj se me çfarë aktivitetesh janë marrë sërish këta persona”, ka shkruar Sveçla në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka vlerësuar se askush nuk mund të jetë kaq neglizhent.
“Po ashtu, veprat për të cilat akuzohen Pantiq dhe të tjerët nuk janë çfarëdo veprash. Ata akuzohen për veprat ndër më të rëndat që parasheh Kodi ynë Penal. Kësisoj, këto lloj masash nuk i shërbejnë aspak përpjekjeve tona për rend dhe ligj në veriun tonë dhe as drejtësisë. Përkundrazi, ato lehtësisht mund të jenë stimulim për vazhdim të avazit të vjetër. Askush nuk mund të jetë kaq neglizhent dhe moskokëqarës ndaj punës së paepur, të përditshme, të palodhshme e me shumë sakrifica të organeve tona të sigurisë si Policia e Kosovës dhe Agjencia e Inteligjencës. Puna e madhe që po bëhet në luftimin e krimit në Mitrovicë, dhe jo vetëm, nuk mundet me kaq lehtësi të sabotohet”, ka shkruar ai.
Edhe më i ashpër ndaj gjyqësorit ishte treguar kryeministri Albin Kurti, në dhjetor të vitit të kaluar, kur gjykata kishte vendosur ndërrimin e masës për Pantiqin nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Në një konferencë për medie, ai kishte kërkuar të di se kush është ai gjyqtar që kishte marrë një vendim të tillë.
“Kur ke akuzë për terrorizëm e të dërgohesh në arrest shtëpiak unë jam shumë kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që e bënë këtë kërkesë dhe cili është ai gjyqtar që e aprovon”, kishte thënë Kurti.

