Abdixhiku “mbetet pa fjalë”, “vendimi u mor nga motra e Fitore Pacollit”: LDK reagon pas ndërprerjes së punimeve në “Rrugën A”
Gjykata Komerciale me vendimin e shkallës së parë ka ndaluar punimet në projektin e Rrugës “A” në Prishtinë. Partia udhëheqëse në kryeqytet, Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar gjyqtaren Vlora Pacollin, motra e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, duke i quajtur “sulme të rëndë ndaj interesit publik të qytetarëve prishtinas”. Ndërsa nga VV-ja qendra në Prishtinë, kanë thënë se për këtë projekt ka pasur shkelje ligjore dhe sipas tyre etiketimi i gjyqtares Pacoolli është tendencë për ta mbuluar dështimin e vet të pashmangshëm dhe tashmë evident.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se kjo është një çmenduri që të lë pa fjalë.
“Sot, një gjykatëse vendosi ta ndalojë atë. Ta ndalojë punën e ndërtimit të rrugës ‘Jim Xhema’ në gjysmë të saj. Gjykatësja, del të jetë motra e deputetes në pushtet." - ka shkruar Abdixhiku, duke aluduar në motrën e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.
Abdixhiku në Facebook, ka akuzuar partinë në pushet për pengim të punës së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
“Këta janë përplot mllef e urrejtje; dhe fatkeqësisht urrejnë qytetarët e vet. Punë s’bëjnë vet por punën e tjetrit se durojnë dot. Prishtina dhe qytetarët e kryeqytetit, le ta shohin këtë çmenduri. Fillimisht me bllokim buxheti deri në gusht; tani me bllokim projekti me familjarë.” – ka shkruar kreu i LDK-së.
“Punë e palodhshme, në kohë rekord e në afat. Dhjetëra mijëra banorë pa kolektor e në kundërmim, një kryeqytet pa projektin më të madh kapital. Nuk do t’i lejojmë. Rrua e Re dhe rruga A nuk ndalen. Prishtina dhe Kosova do të bëhen.” – ka thënë tutje ai.
Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje qendra në Prishtinë ka deklaruar se ka pasur shkelje ligjore dhe se për këtë arsye janë ndalur punimet.
“Vendimi i sotshëm i Gjykatës Komerciale është pasojë e qasjes së vazhdueshme anti-institucionale dhe anti-ligjore të ekzekutivit të Komunës së Prishtinës. Kujtojmë që edhe disa rrugë të tjera të qytetit, si shkak i vendimeve të jashtligjshme të Kryetarit Rama, janë nën masën e sigurisë së gjykatave. Gjithashtu është inicuar kontest gjyqesor nga MAPL ndaj Komunes së Prishtinës për moszbatim të vlerësimeve ligjore siç parashihet me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Gjithandej nëpër matjet e të gjitha organizatave, Komuna e Prishtinës prinë për vendime e veprime të paligjshme. “ – ka thënë kjo parti.
Tutje, sipas VV-së duhet dënuar reagimi i kryetarit Përparim Rama rreth këtij vendimi, duke pretenduar se po tenton ta mbulojë dështimin.
“Është për çdo kritikë dhe për t’u denuar reagimi i Kryetarit të Prishtinës në lidhje me këtë çështje. Etiketimi i gjyqtares së rastit dhe deklarimi se vendimi është politik e ka për qëllim bllokimin e projekteve në Prishtinë, është tendencë e Përparim Ramës për ta mbuluar dështimin e vet të pashmangshëm dhe tashmë evident.” – thuhet tutje në komunikatë.
Ndërsa i pari i Prishtinës, Përparim Rama e ka quajtur sulm të rëndë ndaj interesit publik të qytetarëve prishtinas, vendimin e Komerciales.
Këtë vendim për ndalim të punimeve Rama e ka quajtur “të bazuar plotësisht në interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës”.
Edhe Rama ka aluduar se ky vendim është marrë nga motra e Fitore Pacollit.
“Sapo u njoftova nga mediet se shkalla e parë e Gjykatës Komerciale, paska marrë vendim në bazë të të cilit ka atakuar rëndë interesin publik të qytetarëve të Prishtinës, duke i ndaluar punimet në projektin më strategjik të Kryeqytetit dhe momentalisht të Kosovës, “Rrugën A” (Jim Xhema). Vendimi i sotëm, i bazuar plotësisht në interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës, është marrë nga, hiç më pak sesa motra e deputetes së VV-së Fitore Pacolli, gjyqtarja Vlora Pacolli.” – ka shkruar Rama në Facebook.
Gazeta Nacionale ka tentuar të marrë edhe qëndrimin e deputetes Pacolli, mirëpo e njëjta nuk ka kthyer përgjigje.
Për vendimin e komerciale ka pasur edhe reagime të tjera nga zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe nga disa analist.


