Abdixhiku për ndërprerjen e ‘Rrugës A’: Çmenduri që të lë pa fjalë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas ndërprerjes së punimeve në “Rrugën A” në kryeqytet.
Sipas tij, kjo është një çmenduri që të lë pa fjalë.
“Sot, një gjykatëse vendosi ta ndalojë atë. Ta ndalojë punën e ndërtimit të rrugës ‘Jim Xhema’ në gjysmë të saj. Gjykatësja, del të jetë motra e deputetes në pushtet." - ka shkruar Abdixhiku, duke aluduar në motrën e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.
Abdixhiku ka akuzuar partinë në pushet për pengim të punës së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
“Këta janë përplot mllef e urrejtje; dhe fatkeqësisht urrejnë qytetarët e vet. Punë s’bëjnë vet por punën e tjetrit se durojnë dot. Prishtina dhe qytetarët e kryeqytetit, le ta shohin këtë çmenduri. Fillimisht me bllokim buxheti deri në gusht; tani me bllokim projekti me familjarë.” – ka shkruar kreu i LDK-së.
Ai tutje ka thënë se “Rruga A po ecte në ritëm të mbarë”.
“Punë e palodhshme, në kohë rekord e në afat. Dhjetëra mijëra banorë pa kolektor e në kundërmim, një kryeqytet pa projektin më të madh kapital. Nuk do t’i lejojmë. Rrua e Re dhe rruga A nuk ndalen. Prishtina dhe Kosova do të bëhen.” – ka thënë tutje ai.