Standardi i VV-së: Prokuroria e keqe kur heton korrupsionin në KEK, e mirë kur heton Ndërmarrjen Banesore
Brenda një muaji Lëvizja Vetëvendosje ka treguar dy standarde të ndryshme në raport me luftimin e krimit dhe korrupsionit në vend. Partia në pushtet lavdëron organet e drejtësisë kur ato hetojnë ndërmarrjet publike që menaxhohen nga opozita, por akuzon rëndë ato organe kur hetojnë krimin dhe korrupsionin në ndërmarrjet që udhëhiqen nga zyrtarët e tyre, raporton gazeta Nacionale.
Pas arrestimit të drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili ishte zyrtar i lartë i VV-së, gjithë zyrtarët e lartë të kësaj partie ishin lëshuar në sulm të Prokurorit të Shtetit.
Sulmet më të ashpra ndaj prokurorit kishin ardhur nga kryeministri Albin Kurti.
Pa kaluar një muaj nga rastit i KEK-ut, prokuroria ka zhvilluar një aksion ku ka bastisur Ndërmarrjen Publike Banesore, e cila menaxhohet nga komuna e Prishtinës.
Partia në pushtet e ka lavdëruar prokurorinë për këtë bastisje.
Dega e VV-së në Prishtinë kishte lëshuar edhe reagim publik, ku mbështet aksionin e organeve të dretësisë.
“Kërkojmë nga organet kompetente që rasti të trajtohet me seriozitetin më të madh të mundshëm dhe personat përgjegjës të japin llogari për veprat e tyre. Për ne është e pakuptimtë dhe mjaftë shqetësuese heshtja e vazhdueshme e qeverisjes komunale për këtë çështje. As në Kuvendin Komunal nuk na është mundësuar të diskutojmë për këtë problematikë, ndërkohë që pikërisht ky Kuvend është themelues dhe aksionar i vetëm i NPB-së. E pse ka ndodhur kjo, edhe këtu duhet të ketë hetim”, është thënë në reagimin e VV-së, duke shtuar se për këtë parti publikja është e shenjtë.
“Të gjithë duhet ta kenë të qartë një gjë: për neve, publikja është e paprekshme. Do të jemi të pakompromis dhe insistues në mbrojtje të interesit të qytetarëve”, kishte vlerësuar VV-ja.
Ndaj këtij aksioni kishte reaguar edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka lavdëruar njësitet policore për këtë aksion.
“Që nga mëngjesi i hershëm janë duke u zhvilluar tre aksione nga Drejtori të ndryshme të Policisë së Kosovës. Krimet ekonomike në Ndërmarrjen Publike Banesore, Krimet e Rënda janë duke zhvilluar aksione kundër fajdeve dhe Krimet Kibernetike për mashtrimet me kartela bankare. Angazhimi ndaj çdo lloj krimi do të intensifikohet, përgëzoj Departamentin e Hetimeve për secilin rezultat të arritur”, ka shkruar Sveçla.
Sveçla heshti për aksionin në KEK
Kaq entuziast ministri Sveçla nuk ishte treguar me aksionin e policisë që kishte zhvilluar në KEK, ndaj drejtorit të kësaj ndërmarrje, Nagip Krasniqi.
Ministri nuk kishte shkruar asnjë status për këtë aksion, ndonëse shkruan edhe për aksione rutinë të policisë. Kjo sepse aksioni kishte përfunduar me arrestimin e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili ishte zyrtar i lartë i VV-së.
Madje, ky aksion i kishte kushtuar me post drejtorit të departamentit të krimeve ekonomike në polici, Musli Salihu. Ky i fundit, u larguar nga kjo pozitë disa ditë pas aksionit.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, kishte thënë për gazetën Nacionale, se Saliu ishte shkarkuar për këtë arsyeje.
“Po, është e vërtetë që kam deklaruar se shkarkimi i Drejtorit të Krimeve Ekonomike është bërë për shkak se sipas informatave që disponoj kanë qenë pikërisht njësitet e krimeve ekonomike ato që kanë hetuar dyshimet për keqpërdorime në Korporatën Elektroenergjtike të Kosovës dhe pastaj për shkak të kompetencave lëndorë të prokurorisë pasi që ky rast është hetuar nga Prokuroria Speciale rasti është bartur nga krimet ekonomike në Task Forcën Antikorrupsion”, ka thënë Qalaj.
Kurti mbron drejtorin e arrestuar, sulmon prokurorin
Pas arrestimit të Nagip Krasniqit, partia në pushtet kishte orkestruar një sulm brutal ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
I pari që kishte nisur sulmin ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Sipas tij, Isufaj nuk kishte aftësi për këtë pozitë dhe as për pozitën që po pretendon ai.
“Asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykatë. Ky dëshiron të bëhet kryeprokuror përkundër vullnetit të qeverisë e presidencës. Përkundër përvojës së hidhur që ka gjithë vendi me të dëshiron të bëhet kryeprokuror. Vendi më i lakmuar në republikën tonë del të jetë pozita që bën alukimin e rasteve e ky është kryeprokurori i shtetit. Sistemi lëngon se kemi një prokuori që nganjëher s’don, nganjëherë s’din”, ka theksuar kryeministri.
Me pas, ai ishte bërë kryeministri i parë që e mbron një zyrtar të arrestuar nën dyshimet për korrupsion.
“Prokuroria është shumë e zëshme në këtë rast, kur fitimi i KEK-ut në vitin 2022 ka qenë 107 milionë euro. Natyrisht që udhëheqja e re e KEK-ut ka depinuar me dhjetëra fakte dhe dëshmi materiale për kapërdimë qe i ka gjetur atyre. Mirëpo zelli i prokurorisë për tu marrë me deponimet e fakteve e dëshmimeve për keqpërdorime të me hershme ka qenë zero. Ndërkaq zelli për tu marrë me kryeshefin Krasniqi, i cili vitin 2022 bashkë me punëtoret e KEK-ut ia solli 107 milionë, ishte maksimal”, ka thënë Kurti.
Pas Kurtit, edhe shumë deputetë dhe ministrja të VV-së kishin vazhduar sulmet ndaj prokurorisë.
Këtyre sulmeve u ishte bashkangjitur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhi.

