Mungesë e habitshme fjalësh nga ministri Sveçla për arrestimin e drejtorit të KEK-ut
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është zyrtari i parë që reagon ndaj aksioneve policore që kanë për qëllimin goditjen e krimit dhe korrupsionit.
Në reagimet e tij ai jep informacione për zhvillimin e aksioneve, numrin e të arrestuarve dhe vazhdimit merr merita për këto aksione. Por, kështu nuk ndodhi me aksionin e djeshëm të policisë në KEK, ku është arrestuar drejtori i kësaj kompanie publike, Nagip Krasniqi.
Kanë kaluar gati 24 orë kur krimet ekonomike kanë bastisur zyrën dhe banesat Nagib Krasniqit si dhe kanë arrestuar atë, por, ministri Sveçla nuk e ka bërë asnjë reagim.
Ndoshta është hera e parë që ministri Sveçla heshtë ndaj një aksioni të rëndësishëm të policisë, i cili ka për qëllim luftimin e krimit dhe korrupsionit.
Heshtja e Sveçlës ka rënë në sy edhe të përfaqësuesve të opozitare.
Ata kanë bërë me dije se mos reagimi i ministrit të Punëve të Brendshme ka të bej me faktin se Nagip Krasniq ka qenë zyrtar i partisë në pushtet pra se të behej drejtor i KEK-ut.
Sekretari i Nismës, Zafir Berisha, ka thënë se kësaj radhe ministrit Svecka i ka hasur sharra në gozhdë.
“A e di dikush, a ka dëgjuar ministri Xhelal Sfeçla për aksionin e policis kundër krimit të organizuar në KEK? Zakonisht i rrin shumë gati aksioneve të policis për me i marrën meritat për vete, po në këtë rast po më duket i ka zën “sharra në gozhd”. A po ndoshta është duke shkruar postimin, e Albini nuk ja ka dhën dritën e gjelbërt me lëshu!”, ka shkruar Berisha.
Reagimet e Sveçlës
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, është shumë aktiv në Facebook. Ai njofton pothuajse për çdo aksion të Policisë së Kosovës.
Publiku nga ministri Sveçla merr edhe informatat për arrestimin e njerëzve të thjeshtë dhe për aksionet ku policia sekuestron armë ilegale në veri apo pjesë tjera të vendit.
Ndërsa, për aksionet që kanë për qëllim luftimin e krimit dhe korrupsionit ai përgëzon policinë edhe i merr meritat.
I menjëhershëm kishte qenë reagimi i Sveçlës për aksionin e policisë në Brezovicë, i cili kishte ndodhur në fund të vitit të kaluar.
"Përgëzoj Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe të gjitha institucionet tjera për realizimin e suksesshëm të aksionit të radhës në luftën e pakompromis ndaj krimit, korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, në aksionin ‘Brezovica’ pas vlerësimit të raporteve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës", kishte shkruar ai në Facebook.
Kështu kishte vepruar edhe për shumë aksione të Policisë së Kosovës.
Arrestimi i Krasniqit
Pas bastisjes në zyrën e tij në KEK dhe banesat e tij, dje është arrestuar drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.
Prokuroria Speciale përmes një komunikate për media ka bërë me dije se ai është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer veprat: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.
“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuter, një llap-top, një celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.” - thuhet në njoftim.
Gjithashtu, i pandehurit dje është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh. Kurse, sot prokuroria ka kërkuar që Krasniqit t`i caktohet masa e paraburgimit.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Speciale, ndaj të pandehurit me inicialet N.K. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘’Konflikti i interesit’’ nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.” – është bërë e ditur në njoftimin për media.