Kurti e ia qet masën ‘suksesit’ në politikë të jashtme: Prova që "nuk jemi të izoluar" liberalizimi i vizave - NACIONALE

Kurti e ia qet masën ‘suksesit’ në politikë të jashtme: Prova që "nuk jemi të izoluar" liberalizimi i vizave

1 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

  • “Kushtëzimi [për liberalizimin e vizave] është mbajtja e fjalës, dhe fjala e dhënë nuk është mbajtur [nga Albin Kurti]”.

Këto fjalë të mësipërme i pati thënë Emmanuel Macron, President i Francës, gjatë një vizite në Tiranë më 17 tetor 2023, ku heqjen e regjimit të vizave për shtetasit kosovarë (që në fuqi do të hynte më 1 janar 2024) e pati lidhur me pranimin dhe jetësimin e planit franko-gjerman, përkatësisht Marrëveshjes së Bruksel/Ohrit, nga Qeveria e Kosovës në shkurt të 2023’ës.

Liberalizimi i vizave ishte shpërblesa dhe karrota politike e BE-së, që frenohej për vite e vite nga Franca, ndaj Qeverisë së Kosovës, vetëm pas pranimit të marrëveshjes me Serbinë, ku do të rifarkëtohej një formë më e avancuar juridike e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe (Neni 7) sipas Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, e quajtur “vetëmenaxhim adekuat për komunitetin serb.”

Për ekspertët juridikë dhe kushtetues, kjo kishte tejkaluar Asociacionin si organizatë jo-qeveritare dhe e pamëveshur me pushtete të deleguara nga autoriteti qendror, ç’gjë do të shihej me publikimin e draft-Statutit të BE-së të tetorit 2023.

Nëntëdhjetë e kusur kushtet ligjore të përmbushura kaherë nga shteti kosovar për liberalizim të vizave, e gjetën epilogun në kushtin përfundimtar, politik, të pranuar nga Albin Kurti: Marrëveshja e Ohrit, e ndërtuar në dy traka: Asociacioni si një shtresë autonomie politike/territoriale për serbët e Kosovës dhe integrimi i papenguar i Kosovës (nga Serbia) për t’u anëtarësuar në organiza ndërkombëtare (ndryshe nga marrëveshja e 2013’ës, që ishte mospengim vetëm në institucione evropiane).

Ky ishte sfondi dhe konteksti (gjeo)politik i liberalizimit të vizave.

Qeveria (tash thjesht në detyrë) e Kosovës këtë fushatë zgjedhor ka nisur ta stolisë me “arritje” ndërkombëtare si tregim të përsëritur të suksesit të politikës së jashtme. Albin Kurti i Vetëvendosjes, liberalizimin e vizave e risolli për arritje të madhe të “fuqizimit të shtetit dhe pasaportës”. Por, tha ai, këtë arritje e mbërriu “pa kompromise dhe pa shampanja”. Këtë tregim, e rivazhdoi Hekuran Murait, për t’ia kundërvënë qëndrimeve të ish-opozitës se Kosova është ndërkombëtarisht e izoluar. Liberalizimi i vizave, sipas tij, është prova që dëshmon të kundërtën.

“Shtet i fortë – pasaportë e fuqishme. Udhëtojmë në Bashkimin Evropian si të barabartë e të lirë, pas një kohe të gjatë izolimi e shpërfillje. Me qeverisjen tonë liberalizimi i vizave u arrit me punë, pa kompromise, pa shampanja, sepse ishte e drejtë dhe meritë, e shtetit dhe popullit të Kosovës”, shkroi Albin Kurti.

Menjëherë pas tij, shpërndarja erdhi nga Hekuran Murati. “Kur opozita po thonë “na ka izolu Qeveria Kurti”, tha ai.

Ana “e errët” e tregimit...

Si krejt PR-i, prapa saj fshihen edhe hile prej më domethënësve.

Kurti dhe Gërvalla javë më parë i brohoritën kalimit në vendin e 65-të në Indeksin Henley për pasaportën e Kosovës – dhe kjo si dëshmi “e fuqizimit të pasaportës së Kosovës, dhe Republikës”. Por, e vërteta është se fjala është për turizëm 90 ditor, dhe vetëm fare pak për fuqi të pasaportës – dhe ku, për më tepër, Kosova mbetet më së keqti në rajon mu në këtë Indeks. Shqipëria e 43-ta, Bosnje-Hercegovina, e 42-ta, Mali i Zi e 40’ta, Maqedonia e Veriut e 38-ta dhe Serbia e 34-ta.

Por, përtej rangimeve se cili shtet në sa shtete shkon pa viza dhe si licensë turizimi 90 ditor, në “fuqinë e pasaportës” dhe kriteret më të themelshme të saj, Kosova, nën qeverisjen e Albin Kurtit, i ka saktësisht të kundërtat. Në pesë vjet qeverisje, 13% e popullatës së Kosovës, sipas të dhënave zyrtare të Bashkimit Evropian.

Fuqi e pasaportës për të hequr dorë nga vendi?

Numrat e huaj kohëve të fundit rifshfaqën realitetin jopremtues ekonomik të vendit. Tri herë më shumë (për kokë banori) emigrim në vende të BE-së se sa Ukraina që është në luftë, 36 herë më shumë se Rusia, e diku 200 herë më shumë se India. Kjo rrjedhje e popullatës çdo herë e më lartë për Kosovën, si një vend me rreth 1.7 milionë banorë, përkthehet në perspektivë edhe më të frikshme. Numrat zyrtar të BE-së: 210 mijë persona janë larguar – që kanë marrë leje nga vendet e BE-së – që na koha kur Albin Kurti është ngjitur në pushtet.

Largimi i 46 mijë njerëzve për NJË VIT nga Kosova (2.7% e krejt popullatës) do të ishte e barabartë me ikjen e 9 milionë njerëzve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një vit. Asnjë vend tjetër me popullsinë e Kosovës nuk po dërgon sasi kaq të madhe vjetore në BE. Këto shifra të zhvendosjeve janë të krahasueshme thuajse me nivel lufte.

Saktësisht e kundërta si e vërtetë

Fuqia e pasaportës, siç e ha logjika, është kur vendi ku udhëton nuk të pandeh për imigrant e refugjat potencial (dhe Kosova, këtu kontribuon skajshmërisht në raport me madhësinë e saj), por, kur udhëtari (mbajtësi i pasaportës në fjalë) shihet për vizitor të sigurtë nga një vend me gravitet ekonomik. Kjo si "fuqi" e pasaportës.

Ta zëmë: Madhësia dhe besueshmëria e ekonomive gjermane dhe amerikane udhëtarëve të atyre shteteve u përkthehet në një formë sigurie globale. Lejimi i hyrjes për qytetarët e tyre paraqet rrezik minimal ekonomik ose të sigurisë. Në këtë kuptim, Bruto Produkti i Brendshëm bëhet vetë kalimi i heshtur kufitar, i.e, "fuqia e pasaportës".

Lajme të ngjashme