Vuçiq takon Listën Serbe para zgjedhjeve në veri: Ka ide për ta “pastruar” veriun e Kosovës
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, së bashku me të drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviç, kanë pritur sot në “Pallatin e Serbisë” kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiç, dhe zyrtarët të tjerë të kësaj partie, shkruan Novosti.
Në këtë takim, i cili u mbajt vetëm 16 ditë para datës së zgjedhjeve në 4 komunat veriore të Kosovës, Vuçiq ka deklaruar se me deklaratë publike e me hollësi do të dal tek javën e ardhshme.
Ai ka njoftuar se do të mbajë një fjalim të enjten ose të premten tjetër, duke e vënë theksin te gjendja e sigurisë, që sipas tij është e vështirë.
Biseduam për situatën e sigurisë, e cila është e vështirë, tha ai.
“Pakënaqësia dhe zemërimi i popullit tonë po arrin kulmin. Ramë dakord që të vazhdojmë të punojmë së bashku për 7 ditët e ardhshme, në mënyrë që të dalim me një njoftim të përbashkët për të gjitha ngjarjet e ardhshme.” – tha Vuçiq.
Tutje, Vuçiq është shprehur se në Kosovë po mundohen ta pastrojnë veriun nga serbët.
“Dëgjova dhe u përpoqa të shpjegoj situatën në të cilën ndodhemi dhe të gjej zgjidhje që ata të jetojnë më lehtë, dhe veçanërisht janë të indinjuar nga arrestimi i pjesëtarëve të popullit serb. Është një përpjekje për të pastruar veriun e Kosovës nga të gjitha ata që do të mund të kundërshtojnë një ditë. Kam frikë se disa njerëz nuk e kanë kuptuar se çfarë po ndodh në Kosovë. Thelbi është formimi i Asociacionit, dhe ndërprerja e rrezikimit të sigurisë së popullatës serbe”- ka deklaruar presidenti serb.
Djegia e veturave me tarka RKS, arrestimi i Bozoviç
Vetëm në 3 ditë u dogjën 8 vetura që i kishin konverutar targat në RKS, në veri të vendit. Krejt kjo kur kemi hyr në muajin e zgjedhjeve atje. Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, e për një përshkallëzim të situatës para datës 23 prill u fol shumë këto ditë.
Por, Policia e Kosovës siç duket ka arritur ta kap njërin nga autorët, të dyshuar deri më tash për disa vepra penale, përfshirë edhe djegien e veturave.
Policia e Kosovës dje njofto se ka arrestuar të dyshuarin M.B, i cili po akuzohet sipas Policisë për veprat “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar", "Vrasje në tentativë", "Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm" dhe "Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare".
Ai, gjithashtu është i dyshuar edhe për djegien e veturave në rajonin e Zubin Potokut, të cilat ishin regjistruar në targa të Republikës së Kosovës.
Ndryshe për të arrestuarin Bozoviç, ministri Sveçla përmes një statusi në Facebook, ka thënë se është i dyshuar edhe për vrasjen e një pjesëtari të EULEX-it.
Zgjedhjet në veri
Sa i përket Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve gjithçka është duke shkuar drejt përgatitjes së procesit zgjedhor. Valmir Elezi zëdhënës i KQZ-së, në një prononcim për Nacionalen, ka thënë se KQZ është duke vazhduar më përgatitjet e se i inkurajon qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, ta shfrytëzojnë atë, për t’’i zgjedhur kryetarët në këto komuna.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me përgatitjen e procesit zgjedhor të 23 prillit dhe ne inkurajojmë qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë vote në këto komuna që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur kryetarin e komunës së tyre, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq apo Zubin Potok si dhe anëtarët në kuvendin komunal të Zveçanit apo Leposaviqit.” – ka thënë Elezi.
E nga Lista Serbe, ditën kur paralajmëruan se nuk do të marrin pjesë, e kur iku edhe afati ligjor për t’u regjisturar, pati disa fjalë edhe për KQZ-në.
Sipas tyre, KQZ po organizon zgjedhje të njëanshme.
“Kjo e bën më se të qartë se Prishtina dhe Komisioni i saj Qendror i Zgjedhjeve po përpiqen që në mënyrë të njëanshme të organizojnë zgjedhje në veri të Kosovës kundër vullnetit të qytetarëve, pa respektuar interesat legjitime të popullit serb” – thuhej në reagimin e LS.
Por, veprimet si këto të fundit, të djegieve të veturave, kanë ngjallur reagimin e shumë akterëve, duke e lidhur herë pas here edhe me zgjedhjet që pritet të mbahen në veri të vendit me datë 23 prill.
Ishte përsëri Blerim Vela nga Presidenca e Kosovës i cili para një jave, tha se zgjedhjet në veri do të mbahen sipas legjislacionit, dhe se nuk ka hap mbrapa.
“Zgjedhjet në katër komuna në veri të Kosovës do të mbahen pasi Serbia instrumentalizoi katër kryetarë komunash dhe zyrtarë të tjerë për të dhënë dorëheqje nëntorin e kaluar. Zgjedhjet do të zhvillohen në përputhje me ligjet e Kosovës. Qytetarët në këto komuna meritojnë të kenë përfaqësuesit e tyre të zgjedhur.”- shkroi Vela.
Alarmin për skenar të organizuar për pengimin e zgjedhjeve në veri, me anë të këtyre incidenteve e ngreu kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai në Facebook shkroi se mund të ketë një skenar për pengimin e zgjedhjeve në veri, duke i bër thirrje Presidentit të Serbisë Vuçiq që të heq dorë nga destruktiviteti.
“Incidentet e 2-3 ditëve të fundit në veri, janë tregues serioz se mund të ketë një skenar të pengimit të zgjedhjeve në veri, me pasoja edhe për sigurinë në atë zonë. Refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale atje, shpërfaq mosgatishmërinë e palës serbe që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel.
Serbia dhe Kosova duhet që urgjentisht të fillojnë me përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit. Presidenti i Serbisë të heqë dorë nga destruktiviteti dhe t’i urdhërojë njerëzit e tij që të heqin dorë nga sulmet e dhunshme.”- shkroi ndër të tjera Haradinaj.
Kujtojmë se zgjedhjet e 23 prillit për kryetar komunash në 4 komunat, në veri të vendit u imponuan, pas dorëheqjeve të kryetarëve paraprak si dhe shumicës së serbëve të Kosovës që punojnë në institucione.
Kushti i tyre për tu kthyer në institucione, e që politikisht përfaqësohen nga Lista Serbe, mbetet formimi i Asociacionit të Komunave Serbe.


