Përsëri kërkojnë rinumërim, Haxhiu dhe Kryeziu dorëzojnë ankesat në PZAP: KQZ duhet të pres për certifikimin e rezultateve
Dy kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, sot kanë dorëzuar ankesë në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ndaj rezultatit përfundimtar të KQZ-së.
Pas dorëzimit të ankesave, ata kanë bërë me dije se kanë kërkuar rinumërim të plotë të votave preferenciale brenda partisë.
Kandidati i PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu, ka vlerësuar se rezultati përfundimtar i KQZ-së nuk është i saktë.
“Sot bashkë me kandidatin për deputet Qëndrim Kryeziu, kemi dorëzuar ankesën në PZAP, në rezultatin përfundimtar të publikuar nga KQZ-ja, për arsye se rezultati i publikuar dhe përfundimtar është i pasaktë, i paverifikuar, tani më i pranuar dhe i evidentuar në dy fakte esenciale të konfirmuar nga rinumërimi i 5,201 votave të PDK-së, ku janë evidentuar 221 vota të regjistruara në regjistrimin fillestar gabimisht. Mua si kandidat në këtë rinumërim mu shtuan 6 vota dhe ankesa është e bazuar dhe rezultati nuk mund të certifikohet si i pasaktë, ai duhet të jetë i saktë, ligji e garanton që rezultati përfundimtar dhe i certifikuar duhet të jetë i saktë.Janë dy fakte dhe dy argumente kryesore. Një, rinumërimi i një mostre të vogël prej 3.5% të votave të PDK-së ka evidentuar gabim në numërimin fillestar në Qendrën e Numërimit, që në fakt është rezultat preliminar dhe nuk mund të bëhet rezultat përfundimtar pa u verifikuar”, ka thënë ai.
Sipas tij, ankesa është e bazuar në fakte.
“Prandaj, ankesa jonë është e bazuar në fakte tani më të njohura nga KQZ-ja dhe po kërkojmë nga PZAP-ja që mos të lejojë certifikimin e një rezultati zgjedhor i cili është i pasaktë. Nuk po kërkojmë procedurë të jashtëzakonshme, po kërkojmë një procedurë të cilën e parasheh ligji: rinumërimin. Ju rikujtoj se në zgjedhjet e 28 dhjetorit, në rinumërimin fillestar të verifikuar nga KQZ-ja në mostrën prej 2%, në atë periudhë kohore më janë shtuar plus 12 vota, ndërsa pas rinumërimit total më janë shtuar 522 vota. Rast pothuajse i ngjashëm me përmasa më të vogla është edhe tani, duke ditur që diferenca për fitimin e mandatit të deputetit është shumë e ngushtë, është 102 vota, marzhi i gabimit i cili është evidentuar është shumë i lartë që e tejkalon këtë diferencë të votave. Prandaj, që rezultati të jetë i saktë dhe i pakontestueshëm, po kërkojmë që të kemi një procedurë të rinumërimit të cilën duhet ta urdhërojë PZAP-ja dhe pastaj ta kemi rezultatin përfundimtar të saktë”, është shprehur Haxhiu.
Edhe kandidati tjetër, Qëndrim Kryeziu, beson se ka të drejtë.
Ai ka thënë se është në të drejtën e tyre që të rinumërohen të gjitha votat.
“Por ligji nuk thotë që duhet t’i falim, ligji thotë që duhet të zbatohet për të gjithë njëjtë dhe votë për votë të numërohet çdo votë. Kështu që, ne s’po kërkojmë diçka të jashtëzakonshme, po kërkojmë vetëm ata që na kanë votuar t’i falënderojmë dhe t’i kemi numrin e saktë të votave sepse dihet që ka aty më shumë gabime sesa thonë ata. Kështu që, ne kërkojmë të drejtën tonë që të numërohet çdo votë dhe asnjë gjë më shumë”, ka thënë Kryeziu.
Të dy kandidatët e PDK-së për deputet edhe para shpalljes se rezultateve kishin kërkuar rinumërim të votave të partisë, por organet kompetente nuk iu kishin dhanë të drejt.
PZAP dhe Gjykata Supreme kishin rrezuar ankesat e tyre, duke i cilësuar si të pabazuara.
Pas dorëzimit të ankesave, tani KQZ-ja duhet të pres shqyrtimin e ankesave në PZAP.
Nëse PZAP-ja refuzon ankesat e tyre dhe Haxhiu e Kryeziu vendosin të ankohen edhe në Gjykatën Supreme, certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit nga KQZ-ja do të shtyhet edhe për disa ditë.