Zyrtare: Lista Serbe nuk aplikon për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore - NACIONALE

Zyrtare: Lista Serbe nuk aplikon për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tashmë ka kaluar afati që Lista Serbe e drejtuar nga Goran Rakiq të aplikonte për të kandiduar në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe.

Një lajm i tillë është bërë i ditur nga zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është përmbyllur afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq dhe në zgjedhjet e parakohshme për kuvendet komunale: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023”, ka thënë Elezi për gazetën Nacionale.

Ai ka treguar se gjatë kësaj periudhe nuk është pranuar asnjë aplikim i ri nga subjektet politike që dëshirojnë të marrin pjesë në këto zgjedhje.

Gjatë periudhës 14 ditore të aplikimit (09 mars – 22 mars 2023), KQZ-ja nuk ka pranuar ndonjë aplikim nga ndonjë subjekt politik. Njoftim shtesë: Nga 9 deri më 13 mars 2023, subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar në nëntor dhe dhjetor të vitit 2022, për pjesëmarrje në zgjedhjet e 18 dhe 25 dhjetorit, kanë konfirmuar certifikimin e mëhershëm dhe të njëjtit nuk kanë pasur nevojë të paraqesin aplikim nga fillimi, me përjashtim të udhëzimeve të dhëna nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike”, ka thënë Elezi.

Këto zgjedhje parashihet të mbahen më 23 prill, ndërkohë që ishin shtyrë shkaku i tensioneve në veri në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Shtyrja e zgjedhjeve kishte irrituar shumë kritikë të Qeverisë, por madje edhe zyrtarin e VV-së në KQZ, z. Sami Kurteshi që kishte nënkuptuar se ministri i brendshëm Xhelal Sveçla duhej të shqyrtonte pozicionin e tij nëse zgjedhjet nuk mbaheshin. Zgjedhjet nuk ishin mbajtur, dhe tashmë mund të ketë rrezik që të shtyhen përsëri.

Katër kryetarët e mëhershëm që ishin pjesë e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje gjatë dorëheqjeve masive të zyrtarëve serbë në katër komunat me shumicë serbe. Sidoqoftë, kishte pasur shumë shpresë se pas marrëveshjes së Ohrit më 18 mars dhe asaj të Brukselit për Propozimin Evropian më 27 shkurt, kjo çështje do të zgjidhej.

Lajme të ngjashme