Bashkëpunimi ruso-serb në Vilajetin e Kosovës: një paralele historike me situatën aktuale - NACIONALE

Bashkëpunimi ruso-serb në Vilajetin e Kosovës: një paralele historike me situatën aktuale

1 orë më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Sylë UKSHINI

Raportet konsullore austro-hungareze të fillimit të shekullit XX, veçanërisht ato të konsullit Gottlieb Pára nga Üsküb/Shkup, përbëjnë burime të dorës së parë për të kuptuar mekanizmat strukturorë të ndërhyrjes ruso-serbe në Kosovë dhe në hapësirën përreth saj. Këto dokumente dëshmojnë se bashkëpunimi politik, diplomatik dhe propagandistik ndërmjet Rusisë dhe Serbisë nuk ishte episodik, por pjesë e një strategjie afatgjatë të ndërtimit të ndikimit në Ballkan, e realizuar përmes instrumentalizimit të çështjeve lokale, të pakicave fetare dhe të diskurseve humanitare selektive.

Raporti i konsullit Pára, drejtuar ministrit të Jashtëm austro-hungarez Alois Lexa von Gołuchowski më 6 gusht 1901 nga Shkupi, atëherë qendër administrative e Vilajetit të Kosovës, dokumenton qartë bashkërendimin ruso-serb në veriun e vilajetit. Ai evidenton disa elemente kyçe: ekzagjerimin e qëllimshëm të shpërnguljeve të familjeve serbe nga Novi Pazari; dërgesat e organizuara të armëve nga Serbia; përpjekjet sistematike për të fshehur origjinën reale të këtyre armëve; si dhe ndërtimin e një diskursi ndërkombëtar që synonte delegjitimimin e shqiptarëve myslimanë si faktor politik dhe shoqëror. Ky mekanizëm propagandistik shoqërohej me ndërhyrje të drejtpërdrejta diplomatike ruse në punët e brendshme të Perandorisë Osmane, të justifikuara përmes pretendimit të mbrojtjes së “botës sllavo-ortodokse”.

Një element qendror i raportit është diskursi mbi dhunën dhe migrimin. Pára vëren se ikja e familjeve serbe ishte paraqitur në mënyrë të ekzagjeruar në shtypin serb dhe në qarqet diplomatike, duke u shndërruar në instrument propagandistik për të justifikuar ndërhyrjen diplomatike dhe për të mobilizuar opinionin publik ndërkombëtar. Në këtë kontekst, raporti problematizon edhe çështjen e armatosjes së popullsisë së krishterë, duke theksuar se dërgesat e armëve nga Serbia përbënin një fakt të njohur për autoritetet osmane, ndërsa përpjekjet për t’ua atribuar këto armë kontrabandistëve shqiptarë ose burimeve austriake paraqiten si narrativë e fabrikuar për të zhvendosur përgjegjësinë politike.

Raporti hedh dritë gjithashtu mbi aksionet e çarmatimit të ndërmarra nga autoritetet lokale osmane, të cilat, sipas burimit, u shoqëruan me përfshirjen e figurave të njohura shqiptare, ndër to edhe Isa Boletini. Roli i tij përshkruhet jo thjesht si aktor lokal, por si pjesë e një mekanizmi më të gjerë sigurie, ku bashkëpunimi selektiv i elitave shqiptare myslimane shërbente për ruajtjen e rendit, por njëkohësisht ushqente tensionet ndëretnike dhe perceptimet e padrejtësisë nga ana e popullsisë serbe.

Një dimension tjetër domethënës është prania e një gazetari çek me orientim proserb, e cila interpretohet si pjesë e një fronti më të gjerë propagandistik pansllavist. Udhëtimi i tij në zonat e tensionuara nuk shihet si aktivitet neutral gazetaresk, por si përpjekje për të ndërtuar një narrativë mediatike që mbështeste pretendimet serbe dhe ruse mbi gjendjen e popullsisë së krishterë në Kosovë dhe rrethinat e saj.

Raporti evidenton po ashtu përçarjet e thella brenda administratës osmane. Pakënaqësia e valiut me mënyrën se si mutasarrifi i Prishtinës kishte realizuar çarmatimin e popullsisë serbe, si dhe ndërhyrja ruse për shkarkimin e këtij të fundit, nxjerrin në pah mungesën e kohezionit dhe lojalitetit në hierarkinë administrative osmane. Kjo dobësi strukturore shfaqet si faktor kyç që lehtësonte ndërhyrjet e jashtme dhe përshkallëzimin e krizave lokale.

Leximi kritik i këtij raporti, i vendosur në dialog me burime të tjera konsullore dhe diplomatike të së njëjtës periudhë, tregon se sfidat aktuale të Kosovës nuk janë produkte të zhvillimeve të vona post–Luftës së Ftohtë, por janë të rrënjosura thellë në struktura historike afatgjata të ndërhyrjes politike, propagandës së organizuar dhe rivalitetit rajonal e ndërkombëtar. Në këtë kuadër, Kosova shfaqet si objekt i një politike sistematike hegjemoniste të Serbisë, e mbështetur dhe e legjitimuar historikisht nga Rusia, e cila ka synuar në mënyrë të vazhdueshme kontrollin politik, territorial dhe simbolik të kësaj hapësire.

Si përfundim, dokumentacioni austro-hungarez ndihmon në dekonstruktimin e narrativave bashkëkohore që paraqiten si “të reja” ose si reagime ndaj zhvillimeve të fundit në Kosovë, por që në thelb riprodhojnë doktrina të konsoliduara të politikës shtetërore serbe të formësuara që nga fundi i shekullit XIX dhe të përforcuara përmes aleancës strategjike me Rusinë. Kjo vazhdimësi historike shpjegon pse Kosova vazhdon të mbetet një nyje qendrore e tensioneve gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor dhe pse stabiliteti i saj lidhet ngushtë me dinamikat më të gjera të rivalitetit ndërkombëtar.

Në raportin e tij konusulli Pára shkruan:”Episodi i ditëve të trazuara në Prishtinë, Mitrovicë, Kollashin dhe Novi Pazar duket se ka marrë fund me kthimin, të shtunën më 3 të këtij muaji, të komandantit ushtarak Ferik Nuri Pasha dhe me mbërritjen sot të zotit Maschkov nga ekskursioni i tij trejavor.

Nga vëzhgimet që gjatë këtyre ngjarjeve i janë ofruar vëzhguesit të paanshëm, ajo që meriton të përmendet në radhë të parë është fakti se qeveria ruse edhe kësaj here nuk e la pa e shfrytëzuar rastin për t’u përzier në çështjet e brendshme osmane, duke u vetëshpallur mbrojtëse e mbarë krishterimit sllavo-ortodoks.

Pas njoftimit të marrë nga zëvendëskonsulli serb në Prishtinë, sipas të cilit ai, për shkak të qëndrimit kërcënues të popullsisë myslimane, ishte detyruar të kthehej menjëherë pa kryer asgjë nga udhëtimi i tij i ndërmarrë më 15 korrik drejt Mitrovicës, i cili kishte për qëllim ndërhyrjen në favor të popullsisë së krishterë të Kollashinit, nga e cila myslimanët kishin konfiskuar armët, zoti Maschkov i parashtroi ambasadës së tij kërkesën për t’u dërguar në veriun e Vilajetit. Kjo kërkesë u pranua menjëherë, kështu që funksionari në fjalë u nis më 17 korrik për në Mitrovicë, duke u shoqëruar nga zëvendëskonsulli serb i Prishtinës, Avramović.

Më gjatë, zoti Maschkov qëndroi në zonën e Kollashinit, e cila shtrihet në perëndim të Mitrovicës në të dy anët e lumit Ibër dhe është e banuar kryesisht nga të krishterë. Në fshatin Brnjak (rreth 27 km në vijë ajrore në perëndim të Mitrovicës) thuhet se ai u kërcënua seriozisht nga myslimanët e mbledhur aty, aq sa u detyrua të kërkonte mbrojtje ushtarake.

Zoti Maschkov pati mundësi të komunikonte lirshëm me gjithë popullsinë ortodokse të asaj krahine dhe të hartonte procesverbale hetimore lidhur me shtypjet dhe keqtrajtimet e pretenduara nga ana e popullsisë myslimane.

Më 30 korrik ai mbërriti, në shoqërinë e oficerit të Gardës ruse Rittich, në Novi Pazar, ku u vendos në shkollën serbe të atjeshme dhe vazhdoi hetimet e tij në të njëjtën mënyrë si në Mitrovicë dhe Kollashin.

Siç më tregoi zoti von Rittich, i cili ishte kthyer këtu që më 3 të këtij muaji, zoti Maschkov thuhet se kishte arritur të zbulonte disa gjurmë keqtrajtimesh dhe torturash të të krishterëve nga ana e myslimanëve. Si veçanërisht i rëndë përmendet fakti se në kohën e mbërritjes së tij në Novi Pazar, aksioni i çarmatimit ishte ende në vazhdim, ndonëse urdhri perandorak që ndalonte çdo ndjekje të mëtejshme kundër serbëve ishte shpallur tashmë më 23 korrik.

Edhe pse shumë banorë të krishterë gjatë tre muajve të fundit kishin braktisur vendbanimet e tyre dhe ishin strehuar në Serbi, shifrat e publikuara nga gazetat serbe në këtë drejtim janë dukshëm të ekzagjeruara. Në zonat e vizituara nga zoti Maschkov, sipas deklarimit të vetë zotit Rittich, numri i refugjatëve është i vogël dhe ata i përkasin kryesisht shtresave më të kamura, si priftërinj etj.

Sipas njoftimeve konfidenciale, përfaqësuesi rus i përmendur e shfrytëzoi kontaktin e tij me rajanë e krishterë për të bërë propagandë kundër Austro-Hungarisë, dhe në veçanti kundër projektit, sipas tij tashmë të vendosur, për zgjatjen e hekurudhave boshnjake deri në Mitrovicë.

Një interes të veçantë meriton çështja e armatosjes së të krishterëve, e cila nuk mohohet as nga pala serbe dhe as nga zoti Maschkov. Meqenëse gjatë javëve të fundit u gjetën disa qindra pushkë Martini në zotërim të fshatarëve serbë në pjesën veriore të Vilajetit, drejtuesit serbë të këtij aksioni armatimi dhe mbrojtësit e tyre rusë përpiqen tani t’ia shpjegojnë disi në mënyrë të besueshme opinionit publik evropian prejardhjen e armëve.

Pa u ndalur asnjëherë në shpikje dhe shtrembërime, pala serbe dhe ajo ruse e komentojnë posedimin e armëve nga raja e komprometuar duke thënë se armët janë futur fshehurazi nga kontrabandistë shqiptarë dhe u janë shitur popullsisë së krishterë. Autoritetet turke, megjithatë, dinë të japin një shpjegim tjetër, pasi disponojnë rrëfime të shumta të ortodoksëve të penduar, sipas të cilave armët vinin nga Kurshumlia dhe u shpërndanë falas me ndërmjetësimin e priftit të Kollashinit, Mihajlo, i cili vitin e kaluar ishte arratisur në Serbi.

Për më tepër, versioni serb bie poshtë sapo merret parasysh fakti se këtu një pushkë Martini kushton ende 40 deri 50 guldenë, një shumë krejtësisht e papërballueshme për banorët e varfër të krishterë të zonave kufitare.

Edhe sot nuk mungojnë thashethemet e përhapura nga Serbia, sipas të cilave e gjithë lëvizja qenka inskenuar nga Austria për të realizuar më në fund idenë e saj të avancimit. Është për të ardhur keq që insinuata të tilla gjejnë vend edhe në gazeta të mëdha si “Novoje Vremja” dhe “Národni Listy” …

(teksti vazhdon në të njëjtën frymë, me përshkrime të detajuara të konflikteve administrative, rivaliteteve mes valiut, komandantit ushtarak, mutasarrifit të Prishtinës, rolit të Isa Boletinit në çarmatime, planeve për një kuvend shqiptar pranë Pejës, si dhe pasigurisë së pozitës së zëvendëskonsullit serb në Prishtinë dhe mitropolitit serb të Prizrenit).

Burimi: Oliver Jens Schmitt dhe Eva Anne Frantz (red.), Politik und Gesellschaft im Vilayet Kosovo und im serbisch beherrschten Kosovo 1870–1914. Berichte der österreichisch-ungarischen Konsuln aus dem zentralen Balkan, Band 4 (1908–1914), Schriften zur Balkanforschung, Wien: Österreichische Akademie der Wissenschaften / Böhlau Verlag, 2020.

Lajme të ngjashme