Vetëm katër komuna shpenzuan plot 154 mijë e 628 euro për dekorimin e qytetit këtë fundvit
Si çdo fundvit, edhe kësaj radhe, shumica e qyteteve kosovare, dikush më pak e dikush më shumë, vendosën t’u japin ngjyra të tjera, kryesisht qendrave të tyre. Kjo me të vetmin qëllim, të krijojnë atmosferë festivë, e më pas edhe të fitojnë vizitorë..
Duke filluar nga kryeqendra, Prishtina e duke përfunduar te ai më i vogël, ‘zemrat’ e qyteteve u stolisën e zbukuruan sadopak nga dritat aritificale.
Si zakonisht, qytetarë të shumtë shpenzojnë kohën duke i shijuar këto dekorime, e të tjerë kërkojnë llogari për çmimin.
Gazeta Nacionale ndërkaq, ka siguruar çmimin e dekoreve që janë bërë në disa prej qyteteve të Kosovës.
Duke filluar nga “Prishtina e përjetimeve”, ashtu siç e quan kryetari i saj, Përparim Rama, u deshën 70 mijë euro, që kryeqyteti të ndriçohet për fundvit.
Kësaj radhe, me të vërtetë, kryeqyteti përjetoi një ndryshim, duke u stolisur në rrugën ‘Xhorxh Bush’, e duke vazhduar edhe në pjesën e shesheve.
Rama këtë herë mbylli edhe rrugë, duke e kthyer në një arenë festive njërën prej pjesëve më të frekuentuara.
“Kostoja e shpenzimeve të Komunës së Prishtinës për dekorimin e shesheve të Kryeqytetit është 70.000 Euro. Kompania që ka fituar tenderin është SH.P.K AGRI BAU & SH.P.K ANEA GROUP. Ndezja e dritave këtë vit është bere me datën 14 dhjetor dhe kryeqyteti do të jetë i ndriçuar deri me datën 8 Janar”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës për gazetën.
Në anën tjetër, veç pak më pak u shpenzuan nga kryeqyteti historik.
36 mijë e 78 euro është shuma që ndau komuna e Shaqir Totajt, Prizreni, vetëm e vetëm që qyteti të duket sa më bukur për festat e fundvitit.
Këto pamje, prizrenasit dhe vizitorët e tjerë mund t’i shijojnë këto pamje vetëm deri më datën 15 janar 2023.
“Kostoja e projektit është 36,078.00 €. Kompania Multi Business Group SHPK, Prizren, e ka fituar tenderin për dekorimin e qytetit këtë vit. Rregullimi i projektit ka filluar me datë 6 dhjetor dhe ka përfunduar me datë 17 dhjetor, ndërsa elementet e vendosura do te rijnë deri në përfundim të festave deri me datë 15 Janar 2023”, ishte kjo përgjigja e Komunës së Prizrenit dhënë Nacionales.
Reduktimi i dritave dhe kursimi i energjisë ishte thirrja nga Qeveria e Kosovës për ketë vit, thirrje kjo e cila u përfill nga kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini.
Gjakovës i mjaftuan 28 mijë e 620 euro për të dekoruar qytetin në prag të vitit 2023.
“Për këtë vit, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për sa me shume kursim te energjisë elektrike, ne si komune e kemi reduktuar në maksimum edhe dekorimin duke e koncentruar atë vetëm në parkun e qytetit. Bazuar n kontratën me kompaninë dhe me sasinë e dekorimit, për këtë vit gjithsej do të paguhen 28 mijë e 620 euro. Dekorimi është vendosur me datën 5 dhjetor 2022 dhe do të qëndrojnë deri me datën 5 janar 2023”, thuhet në përgjigjen e komunës.
Në krahasim me komunat e lartëcekura, ndriçimi i Podujevës, kushtoi më së liri, por që edhe u vendosën më së voni.
Kjo komunë harxhoi 19 mijë e 930 euro për dekorimin e sheshit dhe pjesëve të tjera për festat e pjesës së fundit të vitit kalendarik 2022, dhe kuptohet, atë të parën e vitit pasardhës, pasi dritat pritet të qëndrojnë deri në javën e parë ose më së largu të dytën e janarit.
“Shuma e cila është shpenzuar nga Komuna e Podujevës për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit është 19,930.20 euro. Kompania që e ka fituar tenderin për dekorimin e qytetit është "ProTrade Kosova" shpk. Dekorimi i qytetit është bërë para disa ditësh dhe përfundon pas festave të fundvitit”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Podujevës për Gazetën Nacionale.
Interesant është fakti se, hiq komunat që u përmendën më lartë, Peja ishte ajo që s’shpenzoi as edhe një cent, ani pse qyteti u dekorua.
“Obligimin” për ndriçim e mori kompania “Devolli Corporation”. Kjo u konfirmua nga Komuna.
Përkundër të gjitha komunave të përmendura më lartë, Peja kësaj radhe nuk shpenzoj asnjë cent për ndriçimin e qytetit, ani pse qyteti u dekorua.
“Komuna nuk ka nda mjete për dekorimin e qytetit! Devolli Corporation e ka stolise qendrën e qytetit pa pagës nga komuna! Ka fillu me 10 dhjetor 2022 dhe do të mbetet besojë deri më 05 janar 2023”, thuhet në përgjigje.
Gjithsej, 154 mijë e 628 euro harxhuan të katër komunat për ndriçimin e qytetit për festat e fundvitit 2022!

